Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka bërë thirrje për paqe sot në një vjetorin e sulmit terrorist të Hamasit kundër Izraelit.
Spiropali shprehet se lufta që i ka marrë jetën dhjetëra mijëra qytetarëve civilë, duhet të mbarojë një orë e më parë.
“Është koha që të bashkohemi për të kërkuar kthimin e të gjithë pengjeve si edhe të kontribuojmë për një paqe të ndershme, të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, që do të mund të garantonte siguri dhe stabilitet për rajonin e gjithë botën”, shkruan ajo.
Reagimi i plotë
Sot është përvjetori i parë i një akti të shumëfishtë terrorist që goditi Izraelin, me kosto të jashtëzakonshme njerëzore; dhjetra mijëra jetë qytetarësh civilë, që janë viktimat e para të një lufte, e cila e kishte nisjen një vit më parë, por që duhet të përfundojë një orë e më herët.
Dhembje pafund për pengjet njerëzore ende në robëri, për të vrarët dhe të dhunuarit e sulmit barbar, për viktimat e luftës dhe për pasojat gati të pakthyeshme që e bënë edhe vetë paqen e brishtë në rajon, një viktimë direkte të luftës që godet gjithëkënd!
Është koha që të bashkohemi për të kërkuar kthimin e të gjithë pengjeve si edhe të kontribuojmë për një paqe të ndershme, të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, që do të mund të garantonte siguri dhe stabilitet për rajonin e gjithë botën!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al