Njëqind vite histori, Leka: “Harry Fultz”, perspektivë e re në shekullin e ri! Yuri Kim: Gur themeli i lidhjes unike SHBA-Shqipëri

May 30, 2022 | 11:36
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Instituti “Harry Fultz” është tradita njëshekullore që përfaqëson 100 vite histori me cilësi të të lartë dhe kontribut të çmuar në arsimin shqiptar.

81ea6776-5c99-43e5-8452-1ea7a88ee20f

Në 100 vitet e rrugëtimit, Instituti “Harry Fultz” u shndërrua në një qendër të madhe të edukimit dhe formimit të përgjithshëm e teknik sipas standardeve bashkëkohore të shumë e shumë brezave të të rinjve shqiptarë. Ndaj, një ceremoni përkujtimore në nderim të 100- vjetorit të Institutit “Harry Fultz” dhe partneritetit SHBA-Shqipëri bëri bashkë figura të rëndësishme që kanë kontribuar ndër vite: ambasadorë, ministra dhe biznesmenë të suksesshëm.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ambasadorja amerikane, Yuri Kim; kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj; ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj; drejtues të institutit, nxënës dhe ishnxënës. Kjo ditë bëri bashkë figura të rëndësishme edhe nga politika, kultura dhe biznesi, mes tyre edhe Presidenti i “Hyesenbelliu grup”, z. Irfan Hysenbelliu.

Në këtë përvjetor, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim me institutin “Harry Fultz” dhe Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), hapi ekspozitë me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Shkollës Teknike të Tiranës në vitin 1921, më vonë ish-Politeknikumi “7 Nëntori” dhe sot Instituti “Harry Fultz”. MBESHTETJA Edmond Leka, kryetari i bordit të drejtorëve, në ceremoninë e 100-vjetorit përmendi moton e shkollës Harry Fullty:

“Nëse ndalemi, ndryshkemi”. Me të ftuarit e shumtë, z. Leka ndau lajmin se: “Fondacioni ‘Harry Fultz’ ka arritur një marrëveshje me RIT (Rochester Institute of Technology) për të bashkëpunuar në ngritjen e AUTT (American University of Technology Tirana), i cili në bashkëpunim me RIT do të mundësojë dhënien e një diplome tërësisht të akredituar nga autoritetet në Shtetet e Bashkuara. Ne kemi filluar bashkëpunimin konkret me RIT dhe kemi në plan të presim studentët e parë në tetor 2023″.

Edmond Leka, gjatë fjalës së tij, u ndal në 3 momente që lidhen me këtë 100-vjetor. “Së pari, dua të vë në dukje se nuk është e rastësishme që ky 100-vjetor i Shkollës Teknike të Tiranës koincidon me 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt, SHBA dhe Presidenti Uillson, jo vetëm që luajtën një rol unik në konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë në Konferencën e Parisit në 1920-ën, por menjëherë pas saj u vendosën marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në 1922-shin, si akt formal që zyrtarizonte këtë njohje.

Ndërkaq, pothuajse njëkohësisht, mbështetën ngritjen e një sistemi arsimor në vend dhe, në të njëjtin vit, u nxit dhe u mbështet nisma për krijimin e dy shkollave në vend: Shkolla Bujqësore në Golem të Kavajës dhe Shkolla Teknike e Tiranës. Sot, në këtë 100-vjetor, mund të themi me plot gojën se mbështetja në fushën e arsimit, ishte një kontribut vizionar e i paçmuar. Ishte masa më efektive për të ndihmuar procesin e formimit të shtetit të pavarur shqiptar. Së dyti, në këtë 100-vjetor, do të doja t’u kushtonim respektin e nderimin që meritojnë atyre që me punën e përditshme të tyre kanë dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në edukimin e mijëra nxënësve që përmenda më lart.

E kam fjalën për trupën e mrekullueshme të mësuesve të kësaj shkolle në këto 100 vjet. Ju ftoj të më bashkoheni me një duartrokitje në shenjë mirënjohjeje! Së treti, do të ndalem tek e ardhmja e Shkollës Teknike të Tiranës në 100 vitet e mëpasme. Vetë shkolla ka pasur një moto të sajën që në ditët e para të ekzistencës së saj: ‘IF WE REST, WE RUST’, ose ‘Nëse ndalemi, ndryshkemi’ dhe ne si bord i fondacionit, bashkë me drejtuesit e shkollës, kemi punuar me këtë moto, duke ndërtuar apo përmirësuar çdo vit diçka në atë që bëjmë, për të arritur diçka më shumë në vitin që vjen. Por ndërkaq kemi punuar me këtë moto për të hapur dhe një perspektivë të re për Shkollën Teknike të Tiranës në shekullin e ri në të cilin ajo futet”, deklaroi z. Leka.

Kryetari i Bordit të Fondacionit “Harry Fultz”, gjatë fjalës së tij, veçoi drejtuesit e këtij institucioni ndër vite, duke filluar me vetë themeluesin e Shkollës Teknike të Tiranës, Harry T. Fultz dhe duke vijuar më tej me Gjergj Cancon, Ali Progrin e deri tek Arian Kapedani! “Është edhe meritë e angazhimit të tyre personal, nëse kjo shkollë ka arritur të jetë kjo që është sot, ku më shume se 1.000 nxënës ndërtojnë këtu çdo ditë të ardhmen e tyre!”, u shpreh Edmond Leka.

Arian Kapedani: “Harry Fultz”, pararojë e ndryshimeve

Arian Kapedani, drejtori ekzekutiv i Institutit “Harry Fultz”, foli për momentet më të rëndësishme të historisë 100- vjeçare të Institutit “Harry Fultz” si një qendër e madhe e edukimit dhe formimit të përgjithshëm teknik, sipas standardeve bashkëkohore.

Ai përmendi kontributin 100-vjeçar të Shkollës Teknike të Tiranës, nga misionarët e parë amerikanë, vullnetarë të Kryqit të Kuq Amerikan kishin mbërritur në Shqipëri pas vitit 1913 deri të diplomimi i teknikëve të sotëm. Z. Kapedani evidentoi se shkolla ka 1050 nxënës dhe kolegji i komunitetit 700 studentë dhe se në “Harry Fultz” deri tani janë diplomuar 3500 nxënës.

“Historia jonë 100-vjeçare është sot jo vetëm kujtime dhe kontribute. Ajo është një histori e gjallë aktive dhe e kudotakuar. Nxënësit tanë ndër vite janë rritur dhe janë bërë inxhinierë të zotët, menaxherë, biznesmenë, projektues, njerëz të fushës së kërkimeve teknologjike apo teknikë të mesëm, që me duart e tyre të arta, kanë ndërtuar historitë personale të suksesit.

Rrjeti ynë Alumni organization është i gjerë në numër dhe në gjeografi. Anëtarët e tij e kanë shpënë emrin e mirë të kësaj shkollë në shumë vende të botës. Ne krenohemi me ta dhe ata krenohen me shkollën që kanë bërë”, deklaroi drejtori ekzekutiv Arian Kapedani. Para të ftuarve të shumtë në oborrin e shkollës, Kapedani deklaroi: “Jetojmë në një botë që ndryshon, jo me ditë dhe me muaj, por me minuta dhe sekonda. Kush e ndjek këtë ndryshim, bëhet pjesë e tij. Kush nuk e ndjek, humbet kohën, shanset dhe vlerat… Këto 100 vite tregojnë se ne kemi qenë në pararojë të ndryshimeve. E tillë do të jetë edhe e ardhmja…”, theksoi z. Kapedani.

 Kim: Gur themeli i lidhjes unike SHBA-Shqipëri

Për ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim, Instituti “Harry Fultz” u bë pjesë e pandashme e historisë së marrëdhënieve SHBA-Shqipëri. E pranishme në ceremoninë e përkujtimit të 100-vjetorit të Institutit “Harry Fultz”, Yuri Kim vuri në dukje se kjo shkollë ishte ndër investimet e para të SHBA-së në Shqipëri. “Kjo shkollë nuk kishte të bënte vetëm me mësimdhënien e aftësive teknike dhe profesionale, kishte të bënte me rrënjosjen te të rinjtë shqiptarë të ndjenjës së patriotizmit, të disiplinës dhe të respektit për punën, që do t’u nevojitej për të ndërtuar një vend të ri. Në të vërtetë, nxënësit dhe personeli i kësaj shkolle ndërtuan Ambasadën amerikane”, theksoi Kim.

Ambasadorja amerikane u shpreh se “Harry Fultz” dhe marrëdhëniet diplomatike hodhën themelet e një lidhjeje unike mes SHBA-së dhe Shqipërisë, që vazhdoi dhe sot është më e fortë se kurrë. “Kjo shkollë ishte ndër investimet e para të SHBA-së në Shqipëri. Nuk kishte të bënte vetëm me mësimdhënien e aftësive teknike dhe profesionale, por kishte të bënte me rrënjosjen te të rinjtë të disiplinës dhe të respektit për punën, që do t’u nevojitej për të ndërtuar një vend të ri. Të gjithë të pranishmit kanë ndihmuar në ndërtimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë, është një marrëdhënie e pathyeshme dhe SHBA është krenare që është miku juaj”, deklaroi ambasadorja amerikane. Yuri Kim iu rikthye historisë duke thënë se:

“Kjo lidhje me Amerikën, e ndërthurur me patriotizmin shqiptar, disiplinën dhe respektin për punën, u bë vdekjeprurëse kur komunistët morën pushtetin. Ndër ata që u vranë nga Enver Hoxha ishin Loni Adami dhe Kol Kuqali, nxënës të diplomuar nga kjo shkollë, të cilët ishin edhe punonjësit e parë shqiptarë të Ambasadës amerikane. Këta dy burra u vranë, por idealet që ata mishëruan nuk vdiqën kurrë. Ndërsa festojmë 100-vjetorin e Institutit ‘Harry Fultz’ dhe të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, do të doja të mendoja se Harry Fultz do të ishte krenar të shihte se çfarë ka ndodhur me vendin dhe njerëzit që ai i donte aq shumë. Ai do të ishte krenar të shihte se nxënësit e tij i vunë veshin nxitjes së tij për t’u ‘përpjekur për ta bërë Shqipërinë një vend për të cilin ia vlen të jetosh dhe, nëse është e nevojshme, edhe të vdesësh’”, theksoi Kim.

Veliaj: Shkollat, hapësira që na hapin mendjen

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në ceremoninë e 100-vjetorit të themelimit të Institutit “Harry Fultz”, theksoi se shkolla duhet të jetë një institucion që krijon hapësira të reja mendimi. Ai u shpreh se është moment feste, por edhe reflektimi, për të ruajtur shkollat me fanatizëm, si hapësira që na bëjnë më të mirë dhe na hapin mendjen. Kreu i Bashkisë nënvizoi se, përtej dijeve dhe medaljeve, në themel qëndron humanizmi. “Unë besoj se mbi dëftesat, mbi kupat, mbi çmimet, mbi medaljet, është humanizmi. Është ajo që në gjuhën tonë të përditshme themi ‘njerëzillëku’ dhe, qartazi, shkolla juaj i kishte të gjitha aftësitë teknike, dijet e kohës, por mbi të gjitha, kishte humanizmin”, deklaroi Veliaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura