Personat në foto janë Hamza Lici dhe Arlind Bushati, të cilët ishin shënjestër e një atentati me armë zjarri në Shkodër pasditen e kësaj të mërkurë (30 tetor). Lici mbeti viktimë, ndërsa Bushati u plagos rëndë.
Nga kjo ngjarje e rëndë u vra edhe një qytetare e pafajshme, Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj, Bashkim Basha mbeti i plagosur.
Arlind Bushati është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidatit të PD për kryetar bashkie në Shkodër. Ndërsa Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, emër i njohur nga drejtësia shqiptare.
Si ndodhi ngjarja?
Policia thotë se ka qenë ora 15:50, kur makina Benz ku po udhëtonin Lici e Bushati u sulmua me armë zjarri nga një tjetër mjet, brenda së cilës ndodheshin autorët, ende të paidentifikuar.
Pas sulmit me armë, makina e tyre humbi kontrollin duke u përplasur me një motor, ku po udhëtonin burrë e grua, Bashkim e Flutura Basha. Kjo e fundit vdiq, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Hamza Lici dhe Arlind Bushati ishin duke u kthyer nga Mali i Zi kur në Dobraç u sulmuan me breshëri kallashnikovi.
Në vendngjarje kanë shkuan shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
ARLIND BUSHATI
Arlind Bushati, i cili mbeti në këtë atentat i plagosur rëndë, është djali i Xhemal Bushatit, ish kandidatit të Partisë Demokratike për kryetar bashkie të Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2022.
Pak ditë më parë Arlind Bushati u kërcënua me armë para një lokali në qendër të qytetit të Shkodrës, fare pranë banesës së tij, nga dy persona që po lëviznin me një motoçikletë.
Ai bëri një denoncim në policinë vendore, por pa bërë të ditur nëse kishte identifikuar apo jo autorët. Ndërsa në mars të vitit 2022 banesës së prindërve të tij iu vu një sasi tritoli.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al