ALADIN STAFA
Bota rrotullohet në boshtin e vet dhe kryen heshturazi udhëtimin e saj drejt pafundësisë qiellore. Ndodhitë historike, bashkë me të gjithashtu. Nga periudha e formësimit të njeriut të parë e deri në epokën e sotme, pikat kulmore të së cilës përbëjnë dhe etapat e kryerjes së saj. Secila me njeriun-model. Çdo kohë, me njeriun e saj të ri, me arketipin që jo vetëm do të luftonte për t’iu përshtatur çdo përplasje të re, por madje do t’ia dilte të ishte modeli i vërtetë në rrethanat e reja shoqërore, kulturore e politike që do të sillte koha. Një human, në fillimet e tij i lidhur ngushtë me natyrën, i dyti më vonë i lidhur me liderin suprem dhe i sotmi, i lidhur me teknologjinë.
Tek të tre thelbi mbetet i njëjtë; qëndron rrotull kufirit të jetës dhe më së shumti jo largpamës, ku frika ndaj së resë e çon gjithmonë drejt kaosit dhe anarkisë. Nëse natyra dhe lideri pranohen lehtësisht nga mendja njerëzore si dy komponentë të sigurt te të cilët njeriu në çdo kohë beson, duke përfshirë këtu edhe kultin e Zotave, teknologjia është ajo që pritet të dalë përtej parashikimeve. Zhvillimi me hapa gjigant i saj në shek. e 21-të, sikundër po vjen një prej aplikacioneve të saj, Inteligjenca Artificiale duket se po afron dhe fillimin e një revolucioni të ri, që pritet të prodhojë edhe tjetrin, modelin e ri. Edhe pse evoluimi është fizik, këtë herë ai po merr përmasa të një dimensioni tjetër, të pakuptueshëm dhe krejt të panjohur. Këtë përshkruan në librin e tij të fundit studiuesi i njohur Yuval Harari. Sipas tij, shumë pak kohë na ndan derisa njeriu të kthehet në një qenie mekanike, në një robot. Dhe nisur nga kjo, të marrë “peng” prej teknologjisë, humanizmi, liria dhe besimi janë zbehur ndjeshëm në jetën tonë të përditshme.
Ndaj nëse ecet me këto ritme, disa pyetje përcillen në debatin publik: Si do të mund të kooperojnë humanët me IA-në? A është frikësuese influenca kaq e madhe në jetën tonë e teknologjisë kaq shumë të avancuar? Mos ndoshta një përndjekje e tillë pritet të shkaktojë një varësi permanente? A rrezikojmë ne, ekzistencën tonë në një të ardhme të largët? Natyrisht që teknologjia është një ndihmesë e madhe për ne, duke na lehtësuar ndjeshëm jetën e duke na informuar për çdo detaj që ndodh në kohë reale. Herë duke na i hapur sytë e herë duke na manipuluar. Andaj përdorimi i saj varet pikërisht nga ne, nëse është pozitiv apo negativ.
Njëkohësisht me zhvillimin e teknologjisë, njeriu po sfidohet çdo ditë e më tepër për të bërë kapërcimin e madh në aftësi e imazh. Ashtu sikurse koha ecën përpara, është e domosdoshme po aq që edhe njeriu të avancojë. Nëse dekada më parë ishte e mjaftueshme zhvillimi i vetëm i një aftësie në një fushë të caktuar, tanimë kjo nuk mjafton, pasi është pikërisht teknologjia-specifikisht IA, e cila është aty në përpjekje të vazhdueshme duke na frikësuar me zëvendësimin tonë.
Kjo është arsyeja pse gara nuk është më mes nesh, por shkon në një nivel tjetër evoluimi teknologjik. Një garë që nuk mund ta kontrollojë më mendja njerëzore, por zhvillimi i epokës, që vështirë të mendohej shekullin e kaluar. Duke qenë se humanët janë qenie lakmitare, rendja drejt perfeksionit, të bukurës dhe fitores mbetet qëllimi primar i tyre. Por me çfarë kostosh mund të vijë ajo? Në një kohë tjetër dhe në duar të gabuara, teknologjia mund të marrë në kontroll të plotë jetën tonë, forcën e mendimit, lirinë po aq dhe aftësitë tona krijuese.
Ashtu sikurse çdo gjë ka një cikël, ndoshta dhe tonit po i vjen fundi. E nëse nuk vjen nga shkaqe natyrore, duket se do të vijë pikërisht nga ne. E vetmja armë e mbetur, që gjithmonë është përdorur nga njeriu në situata kritike, është vetëdija dhe tërësia e ndjenjave të tij – forca që na kanë ardhur në ndihmë për të përballuar sfidat e ekzistencës sonë. E ardhmja pritet të rezervojë skenarë fantastiko-shkencor, e deri atëherë rrugëtimi për të gjetur veten tonë do të vazhdojë, për të mos lënë krijesën të mundë krijuesin. së cilës përbëjnë dhe etapat e kryerjes së saj./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al