Nobelisti Hajnrih Bël dhe “Nderi i humbur i Katerina Blumit”! Pse gjermani e mbiquajti veten “Ndërgjegjja e kombit”

Jul 17, 2024 | 10:27
SHPËRNDAJE

belNGA SEJDO HARKA

“Popujt do të mbeteshin të ndarë shpirtërisht, po të mos ekzistonte magjia e artit”

Hajnrih Bël

Hajnrih Bël, ky mjeshtër i rrallë i digresionit artistik dhe i daltimit të karaktereve sfidues, do të mbahet mend gjatë edhe si kontributor i madh, jo vetëm për ripërtëritjen e letërsisë moderne gjermane, por dhe të asaj botërore. Por, kush është në të vërtetë nobelisti Hajnrih Bël. Ai u lind më 16 dhjetor të vitit 1917, në Calgon të Gjermanisë. Si pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore për 6 vite me radhë, ku dhe u burgos, ai përjetoi thellë tmerret dhe vuajtjet e saj, të cilat do t’i shërbenin si “buka” e shpirtit krijues artistik. Në hapat e para të krijimtarisë së tij artistike, ai do të ecë në gjurmët e Remarkut, përfaqësuesit kryesor të shkrimtarëve të rrymës “Brezit të humbur”. Ndërsa më vonë, ai do të shkëputet prej kësaj rryme, për ta mbiquajtur veten “Ndërgjegjja e Kombit”. Pas Luftës, ai do të studionte për gjuhën gjermane. Më vonë, pasioni i tij i veçantë do të bëheshin udhëtimet mes përmes Irlandës dhe Bashkimit Sovjetik, të cilat do ta frymëzonin për krijimin e udhëpërshkrimeve të bukura. Në vitin 1947, ai u bashkua me atë, që u quajt “Grupi 47”. Ka qenë President i Klubit Gjerman P E N. Ndërsa, në vitin 1971, ai drejtoi Shoqatën Gjithëpërfshirëse Gjermane. H. Bël u shqua edhe si ligjërues i poezisë në Frankfurt. Vdiq më 16 korrik të vitit 1985 në Kreuzoju të Gjermanisë. Krijimtaria e tij është, sa e gjerë, aq dhe e larmishme. Ai u shqua për reportazhet, udhëpërshkrimet, autobiografitë dhe kujtimet e ditarët e tij të rrallë. Ajo që i dha emër, ishte krijimtaria e mirëfilltë artistike, gati në të gjitha llojet e nënllojet e saj, si poezia, proza e shkurtër dhe e gjatë. Por, ai që do ta bënte Hajnrih Bël të pavdekshëm është romani. Ky prozator i madh i ka lënë letërsisë gjermane mbi 8 romane, të cilët flasin, gati në të gjitha gjuhët e botës. Disa nga veprat e tij më të mira janë “Vallja e tim eti”, me të cilin nis udhëtimin e tij të gjatë artistik, “Buka e viteve të hershme”, “Ku ishe ti Adam”, “Kthimi në shtëpi” etj. Disa prej tyre, si romani “Nderi i humbur i Katerina Blumit”(1993), dhe “Me syrin e një kllouni”(2011), kanë vite që flasin edhe në gjuhën shqipe. Hajnrih Bël, për krijimtarinë e tij artistike cilësore, u nderua me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Ishte ky shkrimtar i madh gjerman, që 43 vite pas Tomas Morit, mundi të marrë çmimin e madh “Nobel”, me motivacionin: “Për shkrimet e tij, që përmes kombinimit të një perspektive të gjerë të kohës së tij dhe një mjeshtërie të ndjeshme të karakterizimit, i ka kontribuar ripërtëritjes së letërsisë gjermane.”

Ditën e marrjes së këtij çmimi, më 2 maj të vitit 1973, në ligjëratën e tij, me titullin kuptimplotë “Një ese mbi arsyen e poezisë”, Hajnrih Bël, mes të tjerash thekson: “Sado të ndjeshme të jenë shqisat tona për të kapur dukuritë materiale, natyrore dhe shoqërore, ekziston edhe një boshllëk mes tyre. Po, çfarë qëndron e fshehur brenda këtij boshllëku”?! A mos është ajo, që ne zakonisht e quajmë ironi? A është poezi, rezistencë, apo fiksion?! Ç’është ajo, që ndonëse e krijojmë vetë, nuk arrijmë ta shpjegojmë as përafërsisht, por me kalimin e kohës bëhet e huaj edhe për ne, edhe kur është bërë e rëndësishme për të tjerët?! Thuhet se gjuha është diçka materiale, që materializohet nëpërmjet të shkruarit. Mirëpo, si mund të ma shpjegojë dikush se, diçka që i ngjan jetës, paraqitet me njerëz, fate, veprime, që ky personifikim ndodh mbi diçka aq të pajetë, siç është letra, në të cilën mund të regjistrohet e vetëdijshmja dhe e pavetëdijshmja, për t’u kaluar nga shkruesi tek lexuesi. Popujt do të mbeteshin të ndarë shpirtërisht, po të mos ekzistonte magjia e poezisë. Ajo nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë privilegj i kombeve të veçanta dhe aq më keq i klasave të privilegjuara shoqërore. Fuqia e artit dhe e letërsisë qëndron, jo tek ndarja, por tek internacionalizmi i rezistencës njerëzore dhe kjo rezistencë buron nga poezia, në brendinë e së cilës gjallojnë personifikimi dhe ndjesia, fuqia e imagjinatës dhe bukuria. Këtë diskutim H. Bël e mbyll me fjalët: “Më duket pa kuptim të refuzoj, apo të lartësoj të renë, apo të vjetrën. Më duket e pakuptimtë të ëndërroj për mënyrat e vjetra të jetës, që mund të rindërtohen vetëm nëpër muze, më duket pa kuptim të krijoj diktoni, si ato konservativo-progresive”. Proza e nobelistit gjerman Hajnrih Bël është sintezë e jetës së shoqërisë gjermane të shekullit të kaluar. Një nga veprat e tij më të mira, që gjallon me pulsin e atij fundshekulli të vrullshëm ndryshimesh të thella shoqërore, është romani “Nderi i humbur i Katerina Blumit”.

VETËGJYQËSIA

Subjekti i këtij romani me brendi, sa dedektive, aq dhe sociale, lidhet me ngjarje, sa të vërteta, aq dhe pjellë e fantazisë krijuese të nobelistit H. Bël. Kjo luftë e ashpër, që në këtë roman personifikohet me fatin e një gruaje të fortë dhe të ndershme si Katerina Blumi, e cila lufton deri në fund për të mbrojtur dhe çuar në vend nderin e saj të humbur. Aq e vendosur ishte ajo për këtë sfidë, sa që kur e sheh se balta, përçmimi dhe intrigat ndaj saj, bashkë me shkatërrimin e gjumit, po i brenin edhe nderin e dinjitetin, vendos të bëjë vetëgjyqësi. Kur dhimbja i shkon deri në palcë dhe askush nuk e ndihmonte t’ia lehtësonte atë, ajo, bashkë me gazetarin intrigant Twtges, vret edhe shurdhmemecërinë e shtetit dhe të shoqërisë së kohës, që nuk bënte atë që duhej, për mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të qytetarëve të vetë.

Protagonistja e këtij romani, Katerina Blumi, ishte jo vetëm një grua e ndershme dhe tepër e sinqertë, por dhe e aftë profesionalisht. Por, për shkak të së kaluarës së saj të vështirë, ishte vënë në shënjestër të njerëzve intrigantë, të korruptuar dhe imoralë me pushtet të lartë ekonomik dhe politik si industrialisti Alios Shtrojtblederi, i cili për të arritur qëllimet e tij të mbrapshta, vë në shërbim edhe shtypin e ditës. Sipas përkthyesit të librit, shqipëruesit të njohur Robert Shvarc, pas “Foto-Gazetës”, që hidhte baltë mbi Katetrina Blumin, fshihet gazeta “Bild Zeitung”. Por, ngjashmëria që vihet re midis praktikave dhe personazheve të gazetës së imagjinuar dhe asaj të vërtetë, nuk është bërë as me qëllim, dhe nuk është as rastësi, por krahasimi është i pashmangshëm. Ngjarjet e vrullshme të këtij romani, herë marrin rrugën e qetë lineare dhe herë kthehen mbrapa përmes digresiont intrigues artistik. Nis me vrasjen e gazetarit shpifës dhe intrigant, Tëtges, dhe mbyllet me tregimin e Katerina Blumit në hetuesi e gjyq për vrasjen e këtij njeriu të pështirë, që ia shpuri shpirtin në majë të hundës. Edhe pse Katerina e pati vrarë gazetarin Tëtges, për të shpurë nderin e saj në vënd, “Foto-Gazeta”, përsëri vazhdonte të shtrembëronte të vërteten, duke shpikur se gjoja Tëtgesi kishte rënë viktimë e profesionit të vetë dhe ngulte këmbë se edhe Shenëri i vrarë atë ditë, paskësh qenë viktimë e Katerina Blumit.

KUSH ISHTE KATERINA

Ajo njihej si një vajzë fanatike për çështjet seksuale, por sipas thashethemnajave akuzohej se bënte dashuri me Ludvig Gëtenin, i cili dyshohej se kishe marrë pjesë në grabitjen e një banke dhe akuzohej për disa krime të tjera. Ndërsa, në deponimet e vërteta që ajo bëri në hetuesi pas vrasjes së Tëtgesit, ajo tregon se ishte e bija e një babai që vdiq në moshën 37- vjeçare, nga një plagë që kishte marrë në mushkëri gjatë luftës, duke mbetur jetime që në moshën 6-vjeçare. Nga që nëna ishte pa punë, u detyrua të punonte që në moshë të njomë si amvisë për të siguruar bukën e gojës. Pasi mbaroi një shkollë ekonomike, u bë një ekonomate e zonja në familjen e çiftit Blorna. Për çfarë s’e pyetën hetuesit Katerinën. Por, përshtypje i bëri pyetja retorike me spec: “Pra ju e njihni Ludvig Gëtenin, qysh prej 2 vjetësh”? Ndërsa ajo përgjigjet shkurt: “Për herë të parë e kam takuar dje”. Katerina e kuptoi, që pas kësaj pyetje fshihej një mister, i cili më pas do t’i dilte tymi. Enigmën djallëzore e thelloi më tej pyetja e Bajcmenes: “A s’më thoni, si arriti të dalë natën e kaluar nga godina, ai, Ludvigu juaj i ëmbël, në një kohë kur të gjitha hyrjet e daljet ruheshin rreptësisht?!” Por kishte edhe njerëz të mirë si Medingu, ndihmësi i shefit të madh, i cili i pat thënë, se nuk besonte në të ashtuquajturin komplot të madh që propagandonte Gazeta, në të cilën na qenkësh ngatërruar Katerina Blumi. Prandaj, e përcolli atë për në shtëpi dhe e porositi të mos e prekte me dorë telefonin dhe të mos e lexonte “Gazetën” e nesërme, e cila mund të shkruante pallavra komplotesh. Është ky moment i brendisë së romanit, që do të shërbejë si pikëlidhje për zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve. Pas këtij momenti do të ndeshemi me veprime dhe kundërveprime, lajme dhe kundërlajme, zhvillime lineare dhe digresione të njëpasnjëshme. Në faqet e “Foto-Gazetës”, e cila vetëquhej si gazetë e lajmeve të mëdha, nisi serinë e shkrimeve shpifëse. Ajo niste që në faqen e parë me një fotografi të Katerina Blumit dhe më pas, me shkronja të mëdha, thuhej: “Katerina Blumi, dashnore e banditit, kundërshtoi t’i tregojë policisë për vizitat e meshkujve që priste e përcillte në dhomën e saj. Banditi dhe vrasësi Gëten, nuk do të ishte arratisur dje, sikur dashnorja e tij të mos e kishte ndihmuar që të arratisej. Katerina është ngatërruar prej kohësh me një komplot”. Hollësira të tjera mund t’i lexoni në faqen tjetër me titullin “Vizita meshkujsh…” Lajme të tilla të rreme do t’i kundërshtonte edhe Dr. Blorna, kur pa se, edhe fjalët e tij për Katerinën ishin deformuar e kthyer përmbys sipas oreksit. Për Katerinën kishte shpifur edhe prifti, i cili mes të tjerash theksonte se i ati i saj kishte qenë komunist i maskuar, ndërsa nëna e saj vidhte verën e meshës dhe bënte orgji me dashnorët e saj. Thashethemet e “Gazetës” kishin arritur të shkruanin edhe enigma të tilla si: “Mos vallë edhe Katerina kishte gisht me grabitjet e bankave për të marrë hisen e vet?! Dhe shumë intriga të tjera, të cilat do ta dëshpëronin shumë atë. Të kundërtën mendonte për të çifti Blorna. Ajo, për ta ishte një ekonomiste e shkëlqyer, që punonte me pasion e dashuri, por për fat të keq, Katerina ishte ligështuar shumë, jo vetëm nga intrigat e “Gazetës”, por edhe nga e kaluara e saj e trishtë. Prandaj, në një bisedë të ngrohtë me të, e porositën të harronte fëmijërinë e saj fatkeqe dhe martesën e shkatërruar. Dhe e falënderuan për punën e saj të shkëlqyer si nikoqire e mençur. Por fatkeqësisht gazeta vazhdonte të tirrte fijet e merimangës, se gjoja e “e fejuara e vrasësit, Katerina, vazhdonte të mos tregonte se ku ishte zhdukur krimineli Gëten. Bashkëshortja e Dr. Blornit, e shqetësuar thellë për fatin e asaj gruaje punëtore e të ndershme, i drejtohet atij me fjalët: “Ata po e shkatërrojnë vajzën”. Dhe kjo ishte më se e vërtetë. Pothuajse të gjithë: policia, gazetat dhe mileti, me thashethemet e tyre i ishin qepur Katerinës për ta shkatërruar e shqyer pa mëshirë, ashtu si bishat e egra gjahun e tyre të mjerë. “Gazeta” vazhdonte të villte vrer kundër saj edhe nëpërmjet intervistave të deformuara të ish-bashkëshortit të saj, se gjoja ai paskësh thënë se Katerina, kohët e fundit, ishte pasuruar shumë.

Katerina Blumi, e lodhur nga sulmet që i bëheshin nga të gjitha anët, mbasi nxiton të shfletojë numrin e fundit të gazetës, iu drejtua të pranueshmëve përmes pyetjes retorike, nëse kishte apo nuk kishte shtet që ta mbronte nga shpifjet dhe intrigat, për t’i vënë në vend nderin e saj të humbur nga shtypi dhe njerëzit skrupulozë. Ajo e kuptonte, se marrja në pyetje nga hetuesia ishte e nevojshme për të kthjelluar ngjarjet, por ç’ishte nevoja për t’u futur thellësisht në intimitetin e jetës së saj private, dhe aq më keq ato të trilloheshin e pastaj të shiteshin si lajme sensacionale nëpër gazeta. Një nga lajmet e asaj gazete ditët e fundit ishte se gjoja Katerina Blumi paskësh ndihmuar arratisjen e kriminelit Gëten. Prandaj ajo ishte bërë “gruaja e ditës”. Fundja, për shpifjet e “Gazetës” Katerina mund të hapte padi dhe po të vërtetohej se nga organet e hetuesisë kishin dalë fjalë sekrete, nëse do të funksiononte drejtësia, personat shkaktarë duhet të mbanin përgjegjësi. Po, siç dukej, drejtësia pengohej nga merimangat e mafies. Të gjitha thashethemnajat gazetareske, që helmonin, jo vetëm Katerinën, por edhe mjedisin shoqëror, kishin për qëllim mjegullimin e të vërtetës, me qëllim që ta gjunjëzonin, dhe pastaj ta përdornin si “kavje’’ këtë grua të shumëvuajtur. Katerina Blumi kishte qenë përherë një vajzë e rregullt, e turpshme dhe e trembur nga jeta e vështirë. Ajo buronte nga një familje me një nënë të përfolur për orgji, një baba të sëmurë e të lodhur nga lufta dhe një vëlla që dergjej burgjeve. Megjithatë, ishte koha kur ajo dukej se i kishte shëruar plagët e tronditjeve të mëdha familjare. I ishin rritur shanset për t’i treguar vetes dhe të tjerëve, se ç’ishte në gjendje të bënte në fushën profesionale të organizimit, përllogaritjes, estetikës dhe njëkohësisht për ndryshimin e gjendjes së saj ekonomike dhe sociale. Por, në se gazeta nuk do ta merrte mbrapsht atë mori shpifjesh në adresën e saj, atëherë ajo kishte rrezik të largohej nga pasioni dhe puna e nisur mbarë.

Kur retospektiva digresive e romanit nis të davaritet, udhëtimi linear i konfliktit të tij shkon drejt pikës kulmore. Për ta vënë Katerinën përballë presionit dhe shantazhit psikologjik, që ajo të dorëzohej, nisin telegramet dhe letrat e çmendura tronditëse. Atë të premte, pas darke, tregon narratori, Katerina e gjeti kutinë postare të mbushur plot me letra shpifëse e injoruese. Njëra prej tyre mbante adresën e një ndërmarrjeje të sendeve imtime: shtatë kartolina me propozime seksuale, që përmbanin diçiturën “Dosa komuniste”; pesë zarfe të mbushur me shkrime të prera nga gazeta; disa letra me këshilla fetare të tilla “O dele e gjorë, duhet të mësosh përsëri të lutesh” etj. Si pikëlidhje e subjektit të romanit, e cila do ta çojë konfliktin drejt fundit, është zbulimi i enigmës, se kush fshihej pas “mashkullit të vizitave” në dhomën e Katerinës. Prandaj, kur zbulohet se, pas “vizitorit misterioz” fshihet miku dhe shoku i tij i vjetër, Alios Shtrojblederi, fabrikues i shumë shpifjeve ndaj Katerinës, dr. Blorna e ndjen më tepër nevojën për ta ndihmuar atë vajzë të pafat. Duhet ndihmuar, me doemos, ajo vajzë mjerane, i thotë bashkëshortes së tij, sepse vetëm nuk mund t’ia u dilte gjithë atyre kurtheve. Erdhi çasti, kur Alios Shtrojblederi ta pranonte, se pas mysafirit misterioz fshihej ai vetë, për synimet e tij të mbrapshta. Për të humbur gjurmët e prapësive të tij, shpik misterin e “çelësit” të vilës së tij verore, se ia paskësh dhënë Katerinës, me shpresë se do ta vizitonte ndonjë natë. Qëllimi i tij i mbrapshtë ishte të bindtte policinë se çelësin e vilës së tij, Gëtenit ia paskësh dhënë Katerina për t’u fshehur, në mënyrë që policia ta akuzonte atë si mbrojtëse të krimeve të tij. Por shpejt e vërteta zbulohet. Ludviku, i kapur në vilat e industrialistit politikan, deklaron se lidhja e tij me Katerinën kishte qenë thjesht një punë dashurie. Ajo nuk kishte ditur asgjë për veprimet e tij të dëmshme për të cilat e akuzonin. E vërteta, po nxirrte në shesh intrigat e mbrapshta të Alios Shtrojblederit.

Jemi në momentin, kur ngjarjet e romanit rrokullisen si ortek i fuqishëm drejt fatit grotesk e tragji-komik të atyre, që me veprimet dhe shpifjet e tyre i shkaktuan Katerina Blumit drama dhe tronditje të thella shpirtërore. Zinxhiri i ngjarjeve, herë ndërlikohet dhe herë kthjellohet. Është koha kur gazeta dilte me lajmin e madh sensansional: “Një ekonomiste amvise, shkon e ia fut me plumb një gazetari…’’. Kjo vrasje vuri në alarm organet kompetente të policisë dhe të drejtësisë për të gjetur vrasësin dhe rrethanat. Në ndjekje të kësaj vrasjeje, nga njëra anë janë vënë disa avokatë të zotë për të mbrojtur amvisën e tyre, dhe nga ana tjetër ca industrialistë e funksionarë partish, që kërkojnë t’i lënë në derë “çelësin misterioz” të vilës së tyre, por pa sukses. Në funksion të sqarimit të rrethanave të kësaj vrasjeje u vunë dhe shumë linja mafioze përgjimi të paligjshme, që u shërbenin klaneve mafioze për mjegullimin e të vërtetës. Për të zbuluar shkaqet e vrasjes së gazetarit Tëtges nga dora e asaj gruaje të shumëvuajtur, policisë iu desh të sqaronte edhe rrethanat e vdekjes së papritur, në spital, të nënës së Katerinës, sapo kishte kryer me sukses një operacion të vështirë. Përmes digresionit artistik, autori sqaron se, shkaktar i vdekjes së nënës së Katerinës, në spital kishte qenë gazetari Tëtges. Ai kishte hyrë në spital ku mjekohej nëna e Katerinës, i kamufluar si bojaxhi për ta pyetur se ç’lidhje kishte vajza e saj me të ashtu quajturin kriminel Gëteni. Nëna, e çuditur nga kjo pyetje, pasi i tha Tëtgesit, se këtë emër nuk e kishte dëgjuar kurrë, vdes papritur nga tronditja që i shkaktoi gazetari intrigant. Vdekja e papritur e nënës së saj, si rezultat i asaj interviste intrigante të atij gazetari manjak, në një kohë që ajo nuk duronte dot asnjë shqetësim të vogël, ishte një arsye më shumë për t’ia numëruar në ballë atij njeriu të pashpirt e intrigant.

Në hetuesi Katerina, për herë të parë, tregon edhe për marrëdhëniet e saj me industrialistin dhe politikanin e mbrapshtë Alios Shtrojblederi. Ja ç’thotë ajo: “Një natë, pas një banketi në shtëpinë e çiftit Blorna, ai e kishte përcjellë me veturë deri në shtëpi. Pastaj, ndonëse ajo ia kishte prerë shkurt, ai e kishte ndjekur deri tek dera e apartamentit dhe ishte futur brenda me zor. Sakaq, ishte përpjekur t’i fuste duart, por ishte fyer keq, nga që Katerina nuk ia kishte varur fare, duke ia thënë hapur, se ç’mendonte për të. Kështu që atij s’i mbeti gjë tjetër veçse të ikte andej nga kishte ardhur i turpëruar. Por, që prej asaj dite ai përsëri kishte nisur ta ndiqte këmba këmbës. I pati dërguar lule, i kishte shkruar letra, ndërsa gjatë një vizite, i pati lënë në dorë unazën e famshme. Ja, kjo kishte qenë e gjitha. Megjithatë, Katerina nuk kishte treguar asgjë, sepse ishte i bindur që nuk do ta besonin për refuzimin e një njeriu me para e pushtet të madh si Aljos Shtrojblederi. Por, siç tregon ajo, ky njeri nuk i kishte pëlqyer si tip. Ai ishte një pseudoshkencëtar, njeri vanitoz dhe manjak i urisë seksuale që bën gjithçka, jo vetëm për pushtetin e paranë, por dhe për të kënaqur perversitetin e tij shtazarak, edhe në kurriz të nderit e dinjitetit të një gruaje të ndershme dhe të pambrojtur si Katerina Blumi. Pas kapjes së Gëtenit nga policia, fushata shpifëse e gazetës u bë akoma më e ethshme. Në numrin e ditës, me shkronja kapitale, ajo shkruante: “Dhëndërri i ëmbël i Katerina Blumit, u kap në vilën e një industrialisti”. Ndërsa më poshtë vazhdonte shënimin, se bashkëshortja e një punëdhënësi të hershëm të saj paskësh thënë se, gjoja Katerina ishte një grua bishtpërdredhur dhe se, ajo e paskësh ndihmuar Gëtenin për t’u arratisur…

Pika kulmore, që shënon dhe zgjidhjen e konfliktit të romanit është vrasja e gazetarit intrigant Tëtges nga Katerina Blumi. Në mbrojtje të saj u vu avokati dr. Blorna, i cili vihet nën presion nga vanitozi Alios Shtrojblederi, për të mos u zbuluar prapaskenat e tij mafioze. Dr. Blorna, për ta lehtësuar, e porosit Katerinën që në hetuesi të deklarojë se nuk kishte pasur qëllim ta vriste Tëtgesin. Ky mendim i lindi spontanisht, mëngjesin e së dielës, pasi lexoi shpifjet e tij në “Gazetë”. Ndërsa ajo kishte këmbëngulur se, këtë vrasje të merituar e kishte menduar me kohë, për t’u hakmarrë ndaj atij shpifësi skrupuloz, që ia kishte nxirë jetën, dhe në fund e kishte lënë fillikat edhe pa nënë.

Gazetari Tëtges, tregon ajo në gjyq, më kishte kërkuar një intervistë dhe unë e pranova pa hezitim. Shkova në atë lokal, vetëm se desha të dija se si e kishte surratin, ai që ma kishte shkatërruar jetën. E prita gjatë, por ai nuk po vinte, prandaj renda drejt shtëpisë. M’u deshën të prisja vetëm disa minuta, derisa të binte zilja e portës së shtëpisë. Ai qe ngjitur shpejt, dhe tashti e kisha para meje. Vura re që Tëtgesi ishte një kafshë me plot kuptimin e fjalës. -Eja karafilja ime- më tha. Ç’do të bëjmë tani?! Pa iu përgjigjur fare, vazhdoi. -Ç’ke që më sheh ashtu si e fandaksur, karafile e dashur?! Të propozoj që sefte të shtrihemi në shtrat bashkë. Dashke të shtrihemi, i thashë?! Po, si jo, dhe në çast nxora revolen dhe ia numërova aq herë, sa nuk e mbaj mend fare. Vazhdonte të më shihte me habi. Pastaj u shtri sa gjerë e gjatë. Në atë çast u largova si era, duke shprehur habinë: “Si ka mundësi të jetë e vërtetë!(148) Pastaj, vazhdon ajo, iu duk sikur ishte në një ëndërr të frikshme, ku përpara i shfaqesh nëna e vdekur nga shqetësimi që i solli intervista e këtij gazetari intrigant në spital, sapo ajo kishte dalë nga një operacion i vështirë, iu shfaqën vuajtjet e mëdha që i sollën tërë jetën thashethemnajat që e ndoqën pas tërë jetën si qen i tërbuar. Dhe, sikur të të mos mjaftonin këto, në fund i kërkon t’i përdhosë edhe gjënë më të shtrenjtë të saj, shtratin e ndershmërisë. Ky ishte fundi, sa tragji-komik, aq dhe grotesk i një makinerie përbindëshe shpifëse dhe çlirimi shpirtëror i një gruaje të shumëvuajtur që, për të fituar nderin e saj të humbur dhe për të vrarë shurdhmemecërinë e shtetit dhe të shoqërisë së kohës, është e detyruar të bëjë vetëgjyqësi, për t’i dhënë fund atij ankthi, që i kishte nxirë jetën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura