SEJDO HARKA
“Kam shkruar për atë që nuk thuhet me fjalë…” (Fosse)
Jon Fosse, ky koloz i letrave norvegjeze, s’ka më shumë se dy-tre muaj, që nga Akademia Suedeze e Shkencave, shpallet laureati më i ri i çmimit “Nobel’, i vitit 2023, për letërsinë. Ky çmim, edhe pse për autorin ishte një suprizë, për lexuesit nuk mund të konsiderohej i papritur, pasi kritika letrare e globit, ka vite që atë e thërret me emrin e madh ”Samuel Beketti i shekullit XI”. Krijimtaria e tij shquhet për unikalitetin dhe karakterin shumëplanësh. Arsyeja kryesore që Komiteti i Nobelit i akordoi këtë çmim të lartë, është, se Fosse, me prozën dhe dramaturgjinë e tij, i jep zë të pathënës dhe misteriozes. Poetika e tij dramatike gjurmon atë, që nuk thuhet, por mendohet, dhe si e tillë bëhet e pranishme në jetën e përditshme të njerëzimit.
PO, KUSH ËSHTË NË TË VËRTETË, JON FOSSE DHE KRIJIMTARIA E TIJ:
Ai u lind në Bregun Perëndimor të Norvegjisë, në vitin 1959. Në adoleshencën e tij të herëshme, ai aspironte të bëhej rock-kitarist, por pasioni i tij më i zjarrtë ishte të bëhej shkrimtar. Masterin për letërsi krahasuese, ai e kreu në Universitetin e Bergasit, në vitin 1979, viti kur u bë baba për herë të parë. Pas këtyre studimeve, ai do të jepte mësim në Akademinë e Shkrimit në Hardaklong. Fosse ka shkruar mbi 30 libra. Krijimtaria e tij është përkthyer në 40 gjuhë të botës. Disa nga librat e tij më të njohura janë: “Melankolia”, “Trilogjia”, “Mëngjes dhe mbrëmje”, “Septologjia”, etj. Krijimtaria e J. Fosses, thekson Olsson, ndërthur elementet gjeografike me gjuhën dhe teknikat artistike. Përmes reduktimit të gjuhës, shenjave të pikësimit dhe veprimit dramatik, ai shpreh emocionet dhe ankthin e pafuqinë për të ndryshuar realitetin e hidhur. Romani i tij i parë, që e inkurajoi për t’u ngjitur më lart në udhën e gjatë të shkrimtarisë, ishte ai me titullin “Raund svart”, ku trajton temën e vetvrasjes. Te romani i dytë, me titullin “Kitarë e mbyllur”, Fosse trajton temën e frikës ndaj pamundësisë për të zgjidhur problemet dhe zbuluar enigmat. Në qendër të këtij romani qëndron historia e një nëne, që braktis fëmijën nga pamundësia për ta ushqyer dhe mbajtur atë. Ndaj shpesh është quajtur dhe shkrimtari i së pamundurës. Fosse njihet edhe si dramaturg i madh. Ai ka shkruar 28 drama, njera prej të cilave, me titullin kuptimplotë “Nëna dhe fëmija”, e cila trajton temën e braktisjes së fëmijës nga pamundësia për ta mbajtur, është vënë në skenë edhe nga aktorët shqiptarë në Kosovë. I fymëzuar nga çmimi “Ibsen”, ai u përkushtua për ta ngjitur më lart dramaturgjinë e pararendësit të tij. Dramat e tij do të pushtonin skenat e teatrit europian dhe atij amerikan. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, Fosse do të merrte vlerësimin e parë për tregimtarinë e tij cilësore për fëmijë. Në vitin 1996, ai fitoi çmimin e parë prestigjoz “Henrik Ibsen”. Më pas, në vitin 2005, u emërua komandant i Urdhrit Mbretëror Norvegjez. Në vitin 2007, Franca i dha “Urdhrin Kombëtar të Meritës”. Në vitin 2015, Universiteti i Bergasit i dha atij njëkohësisht, edhe doktoraturën, edhe çmimin e “Letërsisë së Këshillit Nordik” për veprën madhore “Trilogjia”. Në vitin 2016 ai u nderua me çmimin “Brandt”. Ndërsa në dhjetor të vitit 2023, ai do të merrte çmimin “Nobel” për letërsinë.
-Ç’THA FOSSE, DITËN E MARRJES SË ÇMIMIT TË MADH PARA KOMITETIT TË NOBELIT, NË STOKHOLM
Lajmin e çmimit, Fosse e mori kur ishte duke shëtitur përmes mjediseve piktoreske të Norvegjisë. Qetësinë ia prishi zilja e telefonatës së sekretarit të Përgjithshëm të Akademisë Suedeze, Mats Malm, nëpërmjet së cilës ai i dha lajmin, se ishte bërë laureat i çmimit “Nobel” i vitit 2023, për letërsinë. Në konfirmimin e këtij lajmi, Fosse thekson, se ishte befasuar nga ky lajm tepër i gëzueshëm për të. Jon Fosse, pati theksuar në njoftimin e tij nga kryetari i Komitetit të Nobelit, Andrea Olsson, se është norvegjezi i katërt që merr këtë çmim prestigjoz.
Në cermoninë e dorëzimit të këtij çmimi me dimensione botërore, që u zhvillua në Stokholm, më 8 dhjetor 2023, Jon Fosse, mes të tjerash tha:
Kur isha në shkollën e mesme, mësuesi më kërkoi të lexoja me zë të lartë një fragment. Në këto çaste më pushtoi një frikë e beftë, e cila më mposhti. Kjo frikë më ndoqi pas për një kohë të gjatë. Frika më kishte marrë gjuhën. Për ta mposhtur, nisa të shkruaja tregime. Ata, dalëngadalë, po më bënin të gjeja një vend brenda vetes. Ky vend ishte vetmia. Shpejt e kuptova se vetëm nga ai vend mund të shkruaja atë që do të ishte vetëm imja. Nga frika e leximit me zë, thekson Fosse, kisha kaluar në zonën e vetmisë. Kam shkruar edhe poezi, edhe drama, ku vendin kryesor e zë ligjërimi, dialogu, biseda, monologu, i cili është një univers imagjinar që nuk informon, por përjeton qenien e vetë, ekzistencën. Bakhtin thoshte se, arti i të treguarit ka dy zëra: Zëri i personit që flet dhe zëri i personit për të cilin flitet. Një gjë është e sigurt, thotë Fosse. Unë nuk kam shkruar për veten, por për t’u larguar nga vetja. Kam shkruar për atë që zakonisht nuk thuhet me fjalë, sepse kam dashur të them të pathënën. Gjërat më të rëndësishme të jetës nuk mud të thuhen. Ato vetëm shkruhen. Jam i sigurt se, ato që flasin më qart janë pauzat dhe heshtja. Nëse në prozën e Fosse-s funksionin shprehës e marrin përsëritjet, në dramat e tij, këtë funksion e kryejnë pauzat. Për të, një vepër letrare është e mirë, kur brenda saj dëgjon dhe ndjen heshtjen. Kjo, sepse vetëm heshtja të bën të dëgjosh zërin e Zotit. Për mua, thekson Fosse, të shkruarit është profesioni i të vetmuarit. Ndërsa teatri dhe drama është arti i vërtetë i të dëgjuarit. Kur shkruaj, nuk përgatitem kurrë, nuk planifikoj asgjë, filloj me të dëgjuarit, sepse të shkruarit më kujton muzikën. Kur mbaroj së shkruari, e ndjej se, ajo që kisha brenda meje, tashmë ndodhet jashtë meje e materializuar në veprat artistike. Unë, thekson Fose, që në fillim nuk doja të shkruaja drama. Më vonë kësaj gjinie i kushtova 15 vitet e mia më të vrullshme, të cilat janë vënë në skenat teatrale më prestigjoze të botës, deri në shtetin më të ri të saj, në Kosovë. Për mua, përfundon Fosse, të shkruarit është një sëmundje, që po të zuri nuk të ndahet kurrë. Ndaj të shkruarit më është bërë një zakon i përhershëm, pa të cilin nuk rroj dot…
– STILI I PAPËRSËRITSHËM I JON FOSSE-S
Librat e shkrimtarit të madh J. Fosse , në fillim nuk u pritën mirë nga kritika letrare. Ndaj ai, nisi të mos e përfillte shumë mendimin e saj. Romani i tij debutues është ai me titullin intrigues “E kuqja, e zezë”, botuar 40 vite më parë, i cili tërhoqi vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës letrare. Prej këtej, nisi seria e vlerësimeve të mëdha. Kjo, thotë Fosse, më inkurajoi të shkruaj me të njëjtën mënyrë edhe sot e kësaj dite. Për çimimet e mia, thekson ai, nuk u përlota vetëm unë, por dhe shumë lexues dhe dashamirës të mi. Në librat e mi ka shumë vetvrasës. Me këto personazhe, mendoja se kisha legjitimuar vetëvrasjen, por, në të vërtetë, kisha bërë të kundërtën. Ishin të shumtë lexuesit që kishin menduar disa herë të vrisnin veten, por, që nuk e vranë kurrë, mbasi kishin lexuar veprat e tij. U bëra edhe më i lumtur, thekson Fosse, kur mësova se librat e mi, jo vetëm që lexohen me kënaqësi, por paskan shpëtuar edhe jetë njerëzish nga fantazma e vetvrasjes.
Analizën më të thellë stilit të papërsëritshëm të krijimtarisë së J. Fose-s e ka bërë eseisti i madh Karl Ove Knausgard. Ai thekson se, e gjithë krijimtaria e tij, mes viteve 1983-2000, ruan një stil, jo vetëm të dallueshëm, por edhe të pagabueshëm. Vend të dukshëm zënë persiatet, konvolucionet, varkat radhë-radhë, shiu i paparë, muzika, peizazhet e natyrës… Për J. Fosse, askush si letërsia dhe muzika, nuk mund të na bëjnë ta shohim botën të freskët, me të gjithë madhështinë dhe bukuritë e saj. Dhe ky është thelbi i letërsisë. Vetëm letërsia mund ta vendosë individin në kontakt me një shpirt tjetër njerëzor. Krijimtaria e Fose-s, nuk përmban asnjë ide, a copëza provokuese. Në to, edhe bashkëkohësia, ose maskohet, ose shmanget plotësisht. Brendia e veprave të tij ka karakter të thellë ekzistencialist. Ajo qëndron larg mizantropisë, duke i kënduar shpresës. Krijimtaria e tij na shtyn drejt unikes dhe të jashtëzakonshmes. Për Jon Fosse, tek unikja, e jashtëzakonshmja dhe paradoksalja qëndron e vërteta e botës dhe legjitimiteti i letërsisë. Në veprat e tij nuk ka vetë, as autori, as lexuesi. Esetë e Fosse-s, nuk kanë as karakter biografik, as karakter sociologjik, as karakter historik. Ai, rëndësi të veçantë i kushton komunikimit, fiksionit, emocionit dhe peizazhit. Letërsia e tij i sheh dukuritë natyrore dhe njerëzore nga brenda, dhe jo nga jashtë. Askush, më mirë se Fosse nuk ka shkruar për kontrastin midis pafundësisë së mundësive që ka njeriu për të ecur përpara dhe kufizimeve e pengesave të jashtme, që e ndrydhin dhe e venitin atë.
“TRILOGJIA” SI NJË NGA VEPRAT TIPIKE, KU GJEJNË SHPREHJE TIPARET E PAPËRSËRITSHME TË KRIJIMTARISË SË FOSSE-S
“Trilogjia” është vepra e parë, me të cilën Fose flet edhe në gjuhën shqipe, përkthyer nga V. Adhami dhe E. Petriti. Ky roman është konceptuar në tri pjesë, shkruar në vite të ndryshme, i kompozuar bukur në një libër të vetëm. Në pjesën e parë “Pagjumësia” (2007), tregohet historia e trazuar e dashurisë së violinistit Asle me Alidën. Të pashpresë e të pagjumë, ata enden nëpër shi drejt Bjorgvinit, për të gjetur një strehë, por askush nuk u hap derën. Për shkak se ata u dashuruan shumë herët, kohë kur ngjizën dhe fëmijën e parë, pa u kurorëzuar nga kisha, kurrkush nuk u jep as shtëpi me qera. Kudo që ata trokasin, marin përgjigjen e hidhur.
“Nuk kemi shtëpi për një çift që mban një fëmijë bastard. Ju nuk meritoni gjë tjetër, veç se të kalbeni në shi”. Nga pamundësia për të gjetur një strehë për të lindur fëmijën e tyre, Asle vret një njeri, krim që më vonë do t’i kushtojë jetën. Te pjesa e dytë, “Ëndërra e Olafit”(2012), Aslen e shohim të rendë për të blerë unazat e çmushme për të dashurën e tij, Alidën. Ndërsa pjesa e tretë, me titullin “Rraskapitja”(2014), përmes Asles, vajzës së Alidës, tashmë të moshuar, kuptojmë se si rrodhi më tej historia e këtij çifti, i cili, për të mbrojtur dashurinë e tyre, shkelin mbi ndërgjegjen e tyre, duke vrarë. Përmes trilleve të pasura historike, plot aludime teologjike, Fosse ndërton një parabolë moderne për padrejtësinë, qëndresën, krimin dhe katarsin(vetpastrimin shpirtëror). Fosse, nëse në drama, si elemet stilistik përdor pauzën, në prozë, veçanrisht në këtë roman, përdor përsëritjen. Kjo duket edhe në përsëritjen e emrave të personazhëve, si Asle-Asler-Asleik.
Tekstet e këtij romani kapëcejnë përtej zhanreve, të cilët përshtaten dhe harmonizohen me njeri-tjetrin për të krijuar një vepër madhore unike. Boshti i brendisë filozofike të këtij romani është papërsëritshmëria e Fosse-s, por këtu ndihet edhe filozofia ekzistencialiste e Herderit, që shfaqet te veprimi i Asles, i cili për të realizuar lumturinë dhe ekzistencën e tij, kryen një krim, i cili bën që të përfundojë para giotinës. “Trilogjinë”, thotë Fosse, e shkrova në rrjedhën e një lëvizjeje të vrullshme, e cila nuk më lejonte të merrja frymë, aq sa nuk më lejonte të vendosja as pikën. Për t’u njohur me këtë dukuri grafike të të shkruarit të Fosse-s, mjafton të citojmë këtë fragment të shkëputur romani “Trilogjia”: “Asle dhe Alida po endeshin rrugëve të Bjorgvinit, Asle mbante mbi supe dy torba me gjithçka që ata kishin dhe në grusht mbante kutinë e vjolës me vjolën brenda që, e pati trashëguar nga Pa Sigvaldi, dhe Alida mbante dy rrjeta të mbushura me ushqime…”.
Ishte koha kur Asle, që tashmë mbante pseudonimin, Olaf Vik, për t’i shpëtuar përndjekjes së policisë, pas krimit kishte marrë rrugën e largët drejt Bjorgvinit, për të blerë byzylykët e shtrenjtë prej ari, që i pati premtuar të dashurës së tij Alidës, e cila tani mban pseudonimin Asta. Por, erdhi çasti që Olafi të bjerë në lakun e policisë. I vënë një thes në kokë dhe pastaj i vendosin një litar në qafë, dhe pastaj si në ëndërr dëgjon Alidën(Aslen), që thotë, ti je djali më i mirë në botë, i dashuri im… dhe pastaj fluturon lart mbi fjordin vezullues dhe lart në qiellin blu. Tashmë Asle, gjithçka e ka paguar me kokën e tij në litar. Ndërsa e dashura e tij Alida, e mbetur vetëm me djalin e saj të vogël, shtërngon fort byzylykun e verdhë në emër të dashurisë së saj të pavdekshme, për gjetjen e të cilit Asle bëri një udhëtim të gjatë dhe tepër të vështirë, përmes shirash dhe stuhish. Për Alidën, edhe kur ishte thinjur e kishte mbetur vetëm me vajzën e saj të vogël, Asle ishte edhe dielli, edhe qielli, edhe deti, bile e gjithë bota. Ajo ecën hipur mbi një valë të nxehtë deti, e cila i përplaset mbi fytyrë, duke ia shprishur flokët e saj të thinjura. Edhe pse ajo ëndërr e bukur dashurie përfundoi me varjen e të dashurit të saj, Asle-s, fundi i këtij romani tingëllon si një himn i bukur për dashurinë. Është kjo magji e rrallë vuajtjeje dhe dashurij, që e bën këtë roman të një lloji të veçantë, të tërheqë edhe vëmendjen e kritikës letrare e të shtypit botëror, i cili shprehet me superlativa.
“New York Times” shkruan: “…është e lehtë ta mendosh veprën e Fosse-s, si të një Ibseni të ri, të tkurrur deri në themelet e veta emocionale. Por, ‘Trilogjia’ është shumë më shumë se kaq”. Ndërsa, “Le Monde”, thekson se, “Trilogjia” është një zhbirim i rrallë i Fosse-s nëpër hapësira që janë të errta, të rrezikshme, të paqëndrueshme, atje ku mjeshtëria dhe frymëzimi përgjojnë dhe mësyjnë njeri-tjetrin”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al