BARDHYL MUSAI
Sot mbushen 112 vjet kur në Elbasan hapi dyert shkolla e parë e mesme shqipe kombëtare, Shkolla Normale. Kjo shkollë kombëtare u bë vatër e përgatitjes së mësuesve, falë kontributit dhe përkushtimit të mësuesve patriotë, personalitete të arsimit kombëtar. Hapja e Shkollës Normale, si projekt i Rilindjes Kombëtare, është një prej ngjarjeve më të rëndësishme përgjatë zhvillimit historik dhe kulturor të popullit tonë. “Normalja e Elbasanit”, siç quhej më së shumti në ligjërimin joformal, ka përgatitur për të gjitha trojet shqiptare mijëra mësues, të cilët zgjuan, mbrujtën dhe edukuan rinia shqiptare ndjenjat më të larta për atdheun, arsimin dhe përparimin.
RRUGËTIM TRANSFORMUES
Normalja e Elbasanit është institucioni më i rëndësishëm iluminist gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20-të, që bart meritën e padiskutueshme të institucionit që mori përsipër të formojë mësuesit e ardhshëm në gjuhën amtare, duke hedhur, në këtë mënyrë, edhe bazat e arsimit tonë kombëtar dhe duke u shfaqur njëherazi si “universiteti i mësuesve” për atë kohë. Ajo përgatiti rrethanat që më tej, në gjysmën e dytë të shekullit XX, edhe Shqipëria të bëhej vend me shkolla të larta të përgatitjes së mësuesve, me institute dy dhe trevjeçare dhe, më pas, me universitet.
Në vitet e pasnëntëdhjetës, rikonceptimi i përgatitjes së mësuesve përbënte një nga përparësitë, me të cilat po përballej reformimi i institucioneve të arsimit të lartë që përgatitnin mësues. Problem kryesor në atë kohë ishte ekzistenca e dy sistemeve paralele për përgatitjen e mësuesve të arsimit fillor: ende funksiononte shkolla e mesme pedagogjike, ndërkohë që përgatitja e mësuesve të arsimit fillor, që nga viti 1981, bëhej edhe nga institutet e larta pedagogjike, tashmë universitete.
Më i mprehtë ky problem ishte në Elbasan, vendi i Normales. Tradita e Normales duhej ruajtur dhe duhej çuar më tej përmes rinovimit të sistemit të përgatitjes së mësuesve, që t’u përgjigjeshin kushteve dhe kërkesave të reja të zhvillimit, që edhe Shqipëria të ndiqte shembullin e vendeve të përparuara për universitarizimin e përgatitjes së mësuesve. Zyrtarisht diploma e shkollës së mesme pedagogjike nuk njihej për punësim, por klasifikohej si mësues pa arsim përkatës.
FAKULTETI I EDUKIMIT “NORMALJA UNIVERISTARE”
Për të rritur statusin e Shkollës Pedagogjike, vazhduese e Normales, në ato vite, përgjegjës i Departamentit të Psikologjisë dhe Edukimit dhe më pas rektor i Universitetit të Elbasanit “A. Xhuvani”, propozova që fakulteti i mësuesve të arsimit fillor në universitet të shndërrohej në Fakultet Edukimi, me emërtimin “Normalja universitare”. Këtë platformë e diskutova edhe në senatin e universitetit dhe e botova në gazetën lokale të Elbasanit, “Fjala e lirë”, 27 maj 1995, ku theksoja(po citoj): Kohët e fundit, në mjediset intelektuale të qytetit tonë, po diskutohet perspektiva e zgjerimit të universitetit përmes hapjes së degëve të reja, si dhe ristrukturimi i atyre ekzistuese. Në këtë kuadër është diskutuar edhe mundësia e kalimit të degës së “Ciklit të ulët” në godinën e Normales, e cila mundëson një ristrukturim të tillë. Diskutimet që po zhvillohen sot, kanë të bëjnë me strukturën e Normales Universitare, e cila ruan traditën, krenari jo vetëm e qytetit tonë, por edhe e mbarë kombit.
Ngjarjet janë zhvilluar në mënyrë të tillë, saqë mund të bëjmë një paralelizëm me kohën kur u themelua Normalja, si domosdoshmëri për përparimin e kombit. Themeluesit e saj dhe ata që punuan më pas e që ia lartësuan emrin, sollën kulturën dhe përvojën perëndimore. Edhe sot, pas një izolimi tërësor profesional gati gjysmëshekullor, lipset të projektohet e ardhmja e saj, bazuar në përvojën më të përparuar, europiane e botërore.
Normalja ishte universitet për kohën dhe të tillë duhet ta bëjmë atë për të sotmen dhe të ardhmen e arsimit kombëtar. Struktura e re, e menduar mirë do ta lartësonte traditën.
Bazuar në këto prirje të sotme, shpreh bindjen e patundur se shumë shpejt në vendin tonë do të krijohen Fakultetet e Edukimit. Ashtu sikurse Elbasani qe i pari që çeli Normalen, edhe sot kemi shansin që, për hir të kësaj tradite, të jemi në ballë të këtij procesi. Përmbajtja e strukturës mund të diskutohet, Fakulteti i Edukimit duhet krijuar sa më parë(“Arsimi në demokracinë e brishtë”, Botime EduALBA, Tiranë, 2020, f. 3-12).
Artikulli kaloi në heshtje të plotë në mjediset arsimore të Elbasanit. Kishte një rezistencë të heshtur për këtë ndryshim progresiv, i cili do t’i jepte Elbasanit mundësinë që të shndërrohej në qendrën e përgatitjes së mësuesve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe për mbarë trojet shqiptare, sikurse Normalja. Asnjë argument nuk jepej në favor apo kundër, asnjë debat i hapur.
SHQETËSIM I VONUAR
Shkolla Pedagogjike po zbehej nga viti në vit, duke mbetur një hije e shformuar e Normales. Sot është zhdukur identiteti i saj, si institucioni që bëri epokë në arsimin shqiptar. Kaluan njëzet vjet nga propozimi për Normalen Universitare dhe atëherë filloi të shqetësohej opinioni për atë çka ndodhi. Jola Alimemaj, në artikullin e saj me titull “Si u katandis shkolla “Normale” në Elbasan”, shkruan: Normalja e Elbasanit ka vite që e ka humbur statusin e saj. Me vendime të ndryshme, shpesh të padrejta dhe kontradiktore, ajo është kthyer nga shkollë për përgatitjen e mësuesve, në një shkollë të zakonshme në këtë qytet. …Apeli i normalistëve të fundit të mbetur të gjallë: Ktheni dinjitetin e dritës së kombit shqiptar! (Shekulli, 16.12.2015).
Një vit më parë, Besim Dybeli në shkrimin me titull “A do të ringjallet Normalja e Elbasanit”?, midis të tjerash shprehet: Tashmë dyert e saj nuk kanë regjistruar më nxënës pedagogjikas, por të rinj gjimnazistë. Përkundër këtij vendimi, në Elbasan debati qytetar, intelektual apo edhe ndërinstitucional edhe sot mbetet i hapur. Sidoqoftë pyetja retorike, që bëhet në opinionin qytetar dhe intelektual të Elbasanit, mbetet: A do të ringjallet Normalja?! (Elbasani “Neës tv”, 1 dhjetor 2020).
Në këto shkrime, por edhe të tjera, një gjë është e qartë. Këto propozime, ndonëse mund të jenë me dobi, janë në kohën e gabuar dhe, si të tilla, nuk vlejnë. Tashmë Normalja i takon historisë, por jo të tashmes, pasi nuk ekziston. Në këto njëzet vjetët e fundit, në drejtimin e universitetit, të bashkisë apo edhe në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësuesit e intelektualizmit elbasanas nuk thanë as edhe një fjalë të vetme, e jo më të ndërmerrnin veprime në dobi të çuarjes më tej traditës së Normales. Kur duhej të flisnin, ata dhe të tjerë, heshtën, tani që flasin, bëjnë mirë të heshtin.
RRËNIM I PAMERITUAR
Gjatë viteve 1998 – 2005 pothuajse situata mbeti e pandryshuar dhe nismat e mëparshme u zbehën. Sistemi i përgatitjes së mësuesve nuk pësoi ndryshime, përveç disa ndërhyrjeve të pjesshme në kurrikula, por edhe këto si shtojca e zëvendësime mekanike, sesa si ndërhyrje të studiuara për të sjellë ndryshime në këtë sistem.
Në librin e tij, “Vlera të rishfaqura-përmbledhje me studime në 110-vjetorin e Shkollës Normale të Elbasanit”, Tomorr Plangarica për traditën e Normales shkruan: Të vlerësosh një traditë, do të thotë të pozicionohesh në një pikëvështrim kritik në raport me vlerat e përftuara, do të thotë të kuptosh thelbin e nocionit traditë, që është transmetim i përvojave nën filtrin e përqasjes me rezultatet e përftuara nga ato përvoja, të cilat mbeten të vlerta, e gjithnjë në evoluim e rinovim pikërisht sepse vlerësohen përmes filtrit kritik në raport me zhvillimin.
Universiteti i Elbasanit jo vetëm që nuk bëri hapa përpara në këtë drejtim, përkundrazi, tradita u rrënua me shpejtësi, pasi gëluan edhe dukuri të shëmtuara si korrupsioni, mitmarrja, nepotizmi, të cilat sollën humbjen e besimit të publikut arsimdashës elbasanas, të interesit të studentëve, tashmë në numër të papërfillshëm, me disa degë të mbyllura.
E ardhmja e përgatitjes së mësuesve në Elbasan është e zymtë. Intelektualët e arsimit dhe të politikës u mburrën me të shkuarën, shijuan rehatinë e të sotmes dhe nuk investuan për të ardhmen.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al