“Nuk dogjëm selinë e PS, thjesht hodhëm molotov”- Erion Braçe i përgjigjet deputetes së PD: E thotë sikur ka hedhur oriz në dasmë! Kuptoni gjë ju?

Oct 15, 2024 | 22:28
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe ka reaguar pas deklaratës së Dhurata Çupit, e cila u shpreh se në protestën e opozitës nuk u dogj selia e PS, por thjesht u hodh molotov.

protesta e opozites shpethim selia e ps (4)

Braçe shprehet se deputetja e PD tha se është hedhur molotov “sikur ka hedhur oriz në dasmë”.

“Nuk dogjëm selinë e Partisë Socialiste; Thjesht hodhëm molotove! Dhe e thotë sikur ka hedhur oriz ne dasmë! Kuptoni gje ju?”, shkruan Braçe.

Ndërkohë Dhurata Çupi ka replikuar  përmes një reagimi në Facebook, duke thënë se  nga selia e PS janë djegur jetët e mijëra shqiptarëve, ndërsa sot vazhdojnë të digjen shanset e mijëra të rinjve, mundi i prindërve të tyre, që po rrisin fëmijë për t’i çuar jashtë vendit.

“Meqenëse Z. Braçe qenka indinjuar nga njê bisedë e imja në një studio tv, po i përgjigjem. Nga ajo seli, dikur, janë djegur jetët e mijëra shqiptarëve, ndërsa sot vazhdojnë të digjen shanset e mijëra të rinjve, mundi i prindërve të tyre, që po rrisin fëmijë për t’i çuar jashtë vendit! Sepse nga ajo seli projektohet dhe zbatohet vjedhja e zgjedhjeve, vjedhja e jetës së shqiptarëve! Kështu që zoti Braçe, qetësohu dhe shikoje të keqen tek partia jote, jo tek molotovi simbolik i njerëzve të revoltuar”, shkruan Çupi.

Deklaratat e Dhurata Çupit që sollën edhe replikat me Erion Braçen u bënë në një interviste për News24.

“Ne nuk kemi djegur selinë e PS-së. Thjesht është hedhur një molotov. Nëse qytetarët mendojnë se duhet protestuar përballë qeverisë, atëherë do respektojë vendimin qytetar. Ne sot kemi korrupsion të shtuar dhe janë kauza që mbështeten nga qytetarët. Protestat nuk kanë asgjë të keqe, vetëm e zhvillojnë demokracinë.

Nuk mund të fshehim problemet që ka Shqipëria. Është e domosdoshme qeveria teknike në Shqipëri, pasi nuk ka zgjedhje të lira, por ne do të hyjmë në zgjedhje. Ne po futemi në mënyrë të pabarabartë në zgjedhje”, tha deputetja e PD.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura