Ruben Amorim u prezantua si trajneri i duhur në konferencën e tij të parë si trajneri i ri i Mançester Junajtid.Ai konfirmoi se kishte kontaktuar me ish-trajnerin e “Djajve”, Zhoze Murinjo përpara se të vendoste të largohej nga Sportingu i Lisbonës dhe të bëhej trajneri i gjashtë me kohë të plotë në “Old Trafford” që nga Sër Aleks Ferguson. Murinjo e përshkroi veten si “i Veçanti” kur mbërriti te Çelsi nga Porto në vitin 2004, por 39-vjeçari Amorim zgjodhi një mënyrë tjetër për t’u prezantuar.
“Zhoze kishte një ndikim tek të gjithë trajnerët portugez, jo vetëm tek unë”, tha ai.
“Ai tregoi se ne mund të jemi më të mirët në botë. Por unë jam ndryshe nga Murinjo. Ai ishte kampion Europe, unë jo. Unë jam një djalë tjetër në një moment tjetër. Unë jam personi i duhur për këtë moment. Unë jam një djalë i ri dhe përpiqem ta përdor këtë për të ndihmuar lojtarët e mi, siç bëri Murinjo te Çelsi me Lampardin dhe ata djem. Ai më dërgoi një mesazh. Ai tha mirë se erdhe në klub, është një klub i madh dhe në këtë ka të drejtë. Por shumë gjëra ndryshojnë. Unë jam një djalë ndryshe dhe shpresoj t’u mësoj diçka lojtarëve të mi. Klubi është ende i madh, është akoma më i miri në Angli dhe ne duam të fitojmë”.
I pyetur nëse kjo është puna e pamundur, Amorim u përgjigj: ‘Jo, sigurisht që jo. Unë e besoj këtë. Më quani naiv, por me të vërtetë besoj se jam djali i duhur në momentin e duhur. Mund të gaboj, por toka ende do të rrotullohet, dielli do të lindë përsëri, nuk ka rëndësi, nuk jam i shqetësuar për këtë. Ju keni pasur këtu lloje të ndryshme trajnerësh, djemtë që fituan gjithçka si Van Gal dhe Murinjo, të rinj që e njihnin klubin brenda si Solskjaer, pastaj një nga më të mirët jashtë pesë kampionateve më të mira, Ten Hag. Ne duhet të përmirësohemi si klub”. Amorim paralajmëroi se nuk do të bëjë kompromis për formacionin 3-4-3 dhe stilin e lojës, duke këmbëngulur se lojtarët do të duhet të ndjekin rrugën e tij.
“Si trajner duhet të zgjedhësh një mënyrë apo një tjetër”, shtoi ai. “Unë zgjedh gjithmonë 100 për qind rrugën tonë. Unë zgjedh të rrezikoj pak. Unë besoj shumë në mënyrën tonë të lojës, do të besojnë edhe ata (lojtarët). Nuk ka rrugë të dytë. Ne do të përshtatim disa lojtarë sepse nuk kemi një profil të ndryshëm. Ndoshta të dielën (në Ipsuiç) do të shihni 11-shen startuese dhe nuk do të ndjeni shumë ndryshime, por do ta shihni në lojë dhe vendosje, ose ku e marrin topin. Nuk është revolucion. Futbolli nuk është aq i ndryshëm me tre lojtarë në prapavijë, katër apo pesë. Ne do të luajmë një lloj tjetër futbolli. Ne kemi idetë tona. Është mënyra jonë për të parë futbollin.
Mendoj se duhet të përmirësohemi në shumë fusha, në të kuptuarit e lojës. Është një mënyrë tjetër loje dhe ne po ndryshojmë në mes të sezonit. Mendoj se duhet të përmirësojmë aspektin fizik. Nuk e di sa kohë do të marrë. Është një ligë e madhe, më e forta në botë dhe ne duhet të përmirësohemi shumë. Mendoj se e humbim topin shumë shpesh”. Ai shtoi gjithashtu se do të thotë fjalën e tij për transferimet: “Nuk e them unë fjalën e fundit, por kam një përgjegjësi të madhe kur zgjedhim lojtarët”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al