“Nuk i çohet ushtria fqinjit në shekullin e XXI”- Mesazhi i ministrit Igli Hasani nga Prishtina: Shqipëria aleat i përjetshëm! NATO, garancia për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës

Jan 16, 2024 | 10:32
SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani gjatë konferencës së përbashkët me homologen e Kosovës, Donika Gërvalla u shpreh se Kosova ka një aleat të përjetshëm, që është Shqipëria.

igli hasani

Hasani kishte një mesazh për të gjithë faktorët dhe aktorët që jetojnë në shekullin e XXI, që sic u shpreh ai nuk i çohet ushtria në kufi fqinjit.

Ministri deklaroi se garancia për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës është NATO, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Kosova ka një aleat të përjetshëm që është Shqipëria. Në çdo rast, në të mirë dhe të keq, Shqipëria do jetë këtu pranë Prishtinës dhe gjithë shqiptarëve të Kosovës. Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon dhe në kufi të Kosovës. I bëjmë thirrje të gjithë faktorëve që jetojnë në shekullin e XXI, nuk i çohet ushtri fqinjëve në kufi, por askush nuk duhet ta vazhdojë këtë lojë se është qesharake. Garancia për integritetin e Kosovës është NATO, ku dhe Shqipëria është pjesë”, tha Igli Hasani pas pyetjes se gazetareve.

FJALA E MINISTRIT

Jam i lumtur që kjo vizitë vjen në një moment kaq të rëndësishëm e pozitiv për Kosovën e cila ka marrë tashmë, më në fund, liberalizimin e vizave, duke zgjeruar mundësitë dhe të drejtat e qytetarëve te saj. Ky është një vendim pozitiv jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për vetë Bashkimin Europian, një nxitje më tej në rrugëtimin tonë  të përbashkët drejt   BE-së.

Vizitë është në fakt pjesë e një turi në disa vende të rajonit. Pas Kosovës unë,  do të vizitoj edhe Maqedoninë e Veriut e më tej Malin e Zi. Është një tur që ka për qëllim ndarjen e ideve e mendimeve mbi punën që duhet të bëjmë të gjithë së bashku për të mirën e rajonit e për të mirën e qytetarëve tanë, për të avancuar bashkëpunimin dhe projektet e shumta mes nesh, por edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në hapësirën euroatlantike.

Rajoni është duke kaluar sot një moment delikat. Jemi të gjithë dëshmitarë të faktit që pavarësisht progresit që është bërë, siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit.

Ne, kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm të orkestruar e të armatosur kundër policisë së Republikës së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar në veri të vendit.

 Ky sulm është një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, ligjit dhe rendit të Kosovës.

Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit tonë, me pasoja të drejtpërdrejta për Evropën tonë të përbashkët.

Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë së shpejti.

Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, me pasoja ndoshta të pakthyeshme.

Prandaj tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë ato vende e ato forca që besojnë tek paqja e stabiliteti, tek bashkëpunimi e integrimi euroatlantik, të punojnë së bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tanë.

Shqiptarët duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë përpjekje për të ardhmen tonë të përbashkët.

 E padyshim, Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë në zemër të kësaj përpjekje si dy vende e një popull, që më shumë se kushdo tjetër, e mbështesin perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.

Me ministren Gërvalla me miken time të shtrenjtë Donikën, patëm mundësinë të diskutojmë konkretisht e në mënyrë shumë konstruktive për këto ide dhe për mënyrën sesi duhet ta çojmë përpara agjendën tonë të përbashkët duke filluar me bashkërendimin e punës së dy Ministrive tona për:

  • Përditësimin e strategjisë për rivitalizimin e procesit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës;
  • Anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare dhe integrimin e saj në NATO ku Shqipëria është dhe do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e politikës së dyerve të hapura. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga prioritetet e kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike përgjatë vitit 2024.

Përsa i përket integrimit në Bashkimin Europian, kjo është një nga pikat kryesor që Shqipëria ngre në çdo takim e ndërveprim me partnerët tanë europianë, që integrimi i plotë i rajonit në BE është një dosmosdoshmëri dhe mënyra e vetme për të garantuar njëherë e mirë paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor e rrjedhimisht të vetë Europës.

Natyrisht, ashtu siç bëjmë prej vitesh, jemi të gatshëm të ndihmojmë e mbështesim Kosovën në procesin e integrimit duke ndarë eksperiencën tonë dhe ekspertizën që kemi akumuluar ndër dekada në këtë drejtim.  

Në këtë kuadër, unë dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për ta përgëzuar publikisht lidershipin e Kosovës për takimin e Brukselit, më 26 tetor 2023, ku me shumë maturi e konstruktivitet u pranuan propozimet e BE-së.

Ky është një hap shumë i rëndësishëm përpara që e vë Kosovën në një pozitë shumë më të volitshme. Çdo gjë që është pranuar dhe rënë dakord duhet të zbatohet pa asnjë vonesë. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë perëndimorë që të ruajnë në këtë moment dhe të shtyjnë përpara drejt një përparimi përfundimtar.

Me Donikën diskutuam po ashtu për zbatimin e detyrimeve që lindin nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, por edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve  dhe mallrave.

U dakordësuam për rëndësinë e shtimit të përfaqësimit të përbashkët diplomatik, por edhe për koordinimin në kuadër të diplomacisë ekonomike që mbetet një nevojë parësore për të dyja vendet tona. Ramë dakord po ashtu të nxisim dhe intensifikojmë më tej punën për mërgatën shqiptare kudo në botë.

Lidhur me çështjet ekonomike, vlerësova hapat e ndërmarra në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar në funksion të nxitjes së shkëmbimeve tregtare, por edhe heqjen e kontrolleve kufitare gjatë fundjavave në kufirin Shqipëri-Kosovë, çka ka sjellë një rritje të qarkullimit të mjeteve dhe udhëtarëve.

Studimit i fizibilitetetit të ndërtimit të hekurudhës Durrës-Prishtinë, i hap rrugën edhe projektit tjetër, atij terminalit hekurudhor të mallrave në Prishtinë, të quajtur Porti i Thatë i cili do ta shndërrojë kryeqytetin e Kosovës  në një hap për transportin e mallrave ne rajon.

Në funksion të këtyre ideve dhe në funksion  të mbarëvajtjes së punës, si pjesë e ristrukturimit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë,  ne,  do të kemi së shpejti një drejtori të posaçme dedikuar koordinimit të punës me faktorin shqiptar në rajon.

Unë dua ta falënderoj sërish ministren Gërvalla Schwarz,  Donikën,  për mikpritjen dhe t’ i shpreh edhe njëherë gatishmërinë time personale, por edhe të kolegëve të mi, për të avancuar pa humbur kohë në të gjitha këto nisma dhe projekte që do të thellojnë integrimin mes nesh, por nga të cilat do të përfitojë edhe rajoni mbarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura