Lionel Mesi nuk e ka harruar mënyrën se si u largua nga Barcelona dhe për të cilën fajëson drejtuesit e klubit që nuk bënë maksimumin për ta mbajtur përgjithmonë në klubin ku ai u bë një legjendë. Dhe paqja mes palëve për momentin duket shumë larg, me futbollistin që ka marrë një vendim drastik.
Mediat spanjolle bëjnë të ditur se Mesi ka vendosur që të mos jetë i pranishëm në ceremoninë e 125 vjetorit të krijimit të Barcelonës. Data 29 nëntor do të ketë një kuptim të veçantë për katalanasit të cilët do të festojnë me një ceremoni madhështore ditëlindjen e klubit në një vit jubilar.
Por Mesi ka vendosur që të mos jetë i pranishëm, ndonëse ftesa i është dërguar prej kohësh, Shkak është bërë krisja e tij me drejtuesit e klubit, më saktësisht me presidentin Joan Laporta me të cilin ka shkëmbyer shpesh thumbime në distancë. Mesi në fakt ka bërë të ditur se pasi ta mbyllë me futbollin, dëshiron të kthehet të jetojë në Barcelonë e ndoshta të jetë pjesë e klubit katalanas. Por për sa kohë që Laporta është në drejtim, kjo gjë duket krejtësisht e pamundur, siç e tregon qartësisht edhe vendimi i fundit i futbollistit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al