Ky fundvit nuk ka qenë ashtu siç do të kishin dashur te Barcelona. Rezultatet zhgënjyese të njëpasnjëshme kanë bërë që skuadra të lëshojë kreun pikërisht në ndeshjen e fundit të vitit.
Dhe rrezikon ta gjejë veten -6 nga Atletiko dhe -5 nga Reali, nëse dy ekipet e Madridit fitojnë takimet e tyre të prapambetura. Ndaj te Barcelona është kohë reflektimi dhe marrje përgjegjësish. Me radhë, Rafinja, Kubarsi, Pedri, Flik e kanë kuptuar se diçka nuk shkon dhe shumë gjëra duhen përmirësuar. Listës së fundmi i është bashkuar dhe Robert Levandovski. Polaku ishte i radhës që ka bërë “mea culpa”.
Në dy ose tri ndeshjet e fundit kemi pasur raste të shumta të pastra që i kemi shpërdoruar. Unë vetë kam pasur ndjenjën se më ka munguar pak qetësia në zonë dhe ndoshta besimi në veten time”, tha sulmuesi në një deklaratë për “Liga TV”. Qendërsulmuesi i Barçës vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë i skuadrës dhe i kampionatit me 16 gola, por në tri ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve nuk ka shënuar asnjë gol. Seria e tij e shkëlqyer është ndalur. Leva pranoi ndjesitë e këqija me të cilat katalanasit shkojnë në pushime për shkak të humbjes ndaj një rivali të drejtpërdrejtë në garën për titull, Atletiko Madrid.
“Mendoj se skuadra është edhe më e zemëruar, sepse në pjesën e parë zhvilluam një lojë shumë të mirë. Ne ishim shumë të mirë, edhe në pjesën e dytë. Ne ishim të mirë, por, për shkak të gabimeve tona, Atletiko krijoi raste dhe shënoi dy gola. Ne nuk luajtëm keq, por sido që të luani, nëse nuk i shfrytëzoni mundësitë tuaja, bëhet e vështirë të fitoni. Dhe kjo shpjegon humbjen. Në minutat e fundit ne luajtëm sikur të ishim në një finale dhe e humbëm ndeshjen pasi po kërkonim të shënonim me çdo kusht. Definitivisht nuk duhet ta kishim humbur këtë takim”, shtoi polaku. Sulmuesi veteran, 36 vjeç, ishte i bindur, megjithatë, se grupi do të dijë të kapërcejë dhe të gjithë do të rikuperojnë versionin e tyre më të mirë.
“Mendoj se kjo humbje ka shërbyer si një mësim për ne. Ndonjëherë, nëse nuk fiton, nuk duhet të humbasësh. Na ka ndodhur disa herë këtë sezon. Mendoj se vitin e ardhshëm do të kthehemi më të fortë dhe do të luajmë futboll më të mirë”, tha ai. Së fundi, Levandovski iu referua rëndësisë së përqendrimit dhe përgatitjes kur kalendari është kaq i ngjeshur dhe kërkues.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL