Artem Dovbik do të jetë padyshim rreziku kryesor për portën e mbrojtur nga Thomas Strakosha këtë të martë, në duelin mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Ndonëse sulmuesi i Romës nuk po shënon me rregullsinë me të cilën gjente rrjetën vitin e kaluar te Zhirona duke u shpallur golashënuesi më i mirë i La Liga, ai përsëri mbetet një rrezik shumë i madh për prapavijën e çdo ekipi.
Dovbik është ende në kërkim të formës më të mirë, por dha disa sinjale në duelin e përfunduar 1-1 ndaj Gjeorgjisë. Një sfidë pas të cilës ai theksoi se tashmë çdo gjë do të varej nga paraqitja me Shqipërinë dhe duhej medoemos një fitore për të siguruar të paktën vendin e dytë në grup.
“Ne ndjemë gjatë ndeshjes me Gjeorgjinë që kishim hapësira dhe duhet të përdorim lojtarë të tillë të shpejtë si Mudrik. Unë u mundova të kombinoja me të, ne kërkuam hapësirën pas mbrojtësve. Për fat të keq, nuk ia dolëm shpesh. Funksionoi një herë, por nuk shënuam.
Ne na duhet vetëm një fitore që të kemi një shans për vendin e dytë. Do të mundohemi të fitojmë, por e kuptojmë që çdo ndeshje në transfertë nuk është e lehtë. Ndaj tani gjëja më e rëndësishme është të rikuperojmë mirë. Nuk ka skuadra të cilat mund t’i mposhtësh me një këmbë, ndaj duhet të jesh 100% gati”, tha ai pas sfidës ndaj Gjeorgjisë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al