“Nuk vendos në diskutim integritetin territorial të Shqipërisë”- Krijimi i Shtetit Bektashi, Rama: Do t’i japim Selisë së Kryegjyshatës Botërore një Status të ngjashëm me atë të Vatikanit

Jan 25, 2025 | 12:42
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama është shprehur se Selisë së Kryegjyshatës Botërore do t’i jepet një Status i ngjashëm me atë të Vatikanit.

 

Kreu i qeverisë, në aktivitetin për 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, theksoi se krijimi i Shtetit Bektashi “nuk do të përçajë askënd, nuk do të kërcënojë askënd dhe as nuk do të vendosë në diskutim sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë”.

“Komunitetet e tjera fetare nuk kanë asnjë arsye që të shqetësohen nga ky trajtim i veçantë, se nuk është trajtim i veçantë i një komuniteti fetar në vetvete, por trajtimi i merituar i në komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri”, theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se të tjerët do ta kishin shpikur edhe sikur të mos e kishin, ndërsa shtoi se “ne e kemi dhe jemi gati që ta lëmë të vdesë”.

Edi Rama: Historia e bektashinjve është thirrja imponuese për ti dhënë selisë së kryegjyshatës Botërore, përmes një statusi të ngjashëm me atë të Vatikanit, fuqinë e një embleme, e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të kërcënojë askënd, nuk do të vendosë në diskutim sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë se çfarë nuk dëgjon njeri nga shqipet dhe shqipot kur u shkon mendja të bëjnë ndonjë gjë të re apo të bëjnë ndonjë punë, që të tjerët se kanë bërë. Jo, Shqipëria është shtet unitar, nuk është shtet federal. Edhe Italia i ka nja 3 realitete brenda saj me statuse të tilla.

Komunitetet e tjera fetare nuk kanë asnjë arsye që të shqetësohen nga ky trajtim i veçantë, se nuk është trajtim i veçantë i një komuniteti fetar në vetvete, por trajtimi i merituar i në komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri.

Të tjerët do ta kishin shpikur edhe sikur të mos e kishin. Ne e kemi dhe jemi gati që ta lëmë të vdesë.

Një emblemë e tillë i jep Shqipërisë edhe më shumë dritë si shembull i respektit të asaj harmonie aq shumë të bekuar dhe kërkuar sot në mbarë botën që Papa Françesku kur erdhi këtu e pagëzoi si shembullin e një vëllazërie fetare në mbarë botën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura