Nxirrnin gurë dekorativë në zonën e mbrojtur të malit të Tomorit, tre të arrestuar! Nën hetim drejtori dhe specialisti i AZDM-së Berat

Nov 28, 2024 | 11:50
SHPËRNDAJE

Policia ka arrestuar tre persona në Skrapar, të cilët në mënyrë të paligjshme nxirrnin me ekskavatorë gurë dekorativë në zonën e mbrojtur të Malit të Tomorit.

Foto ilustruese
Foto ilustruese

Të arrestuarit ishin, një 49-vjeçar, administrator i një subjekti dhe vëllai i tij, si dhe kushëriri i tyre.

Në përfundim të veprimeve të kryera për konstatimet gjatë kontrolleve të kryera ditën e  djeshme, shërbimet e Policisë kanë shpallur në kërkim 5 administratorë subjektesh të tjerë, pasi dyshohet se kanë nxjerrë pllaka guri dekorative, në zonën e mbrojtur të malit të Tomorit.

Gjithashtu janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasit L. H., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i AZDM Berat, dhe F. N., 55 vjeç, (specialistë në AZDM Berat), të dy banues në Berat.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë kontrollet e shtuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme që shkaktojnë dëmtime në malin e Tomorrit.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara ditën e djeshme në malin e Tomorrit, janë arrestuar 3 shtetas (1 prej tyre administrator subjekti) dhe janë shpallur në kërkim 5 administratorë të tjerë.

Gjithashtu janë referuar materialet në Prokurori për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për Drejtorin dhe një Specialist të  AZDM-së, Berat.

Shërbimet e Policisë pas kontrollit të ushtruar ditën e djeshme, arrestuan në flagrancë  të shtetasve: B.  L., 49 vjeç, (administrator subjekti), F. L., 42 vjeç, (vëllai i administratorit), Sh. L., 43 vjeç, (kushëriri i tij), të tre banues në Berat. Gjatë kontrollit në zonën e mbrojtur të malit të Tomorrit, janë konstatuar duke larguar mjetin ekskavatorë, të cilin dyshohet se e përdornin për të nxjerrë gurë dekorativë.

Në përfundim të veprimeve të kryera për konstatimet gjatë kontrolleve të kryera ditën e  djeshme, shërbimet e Policisë kanë shpallur në kërkim 5 administratorë subjektesh të tjerë, konkretisht shtetasit L. Q., E. Q., B.L., D. L., dhe N. T.,  pasi dyshohet se kanë nxjerrë pllaka guri dekorative, në zonën e mbrojtur të malit të Tomorrit.

Gjithashtu janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasit L. H., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i AZDM Berat, dhe F. N., 55 vjeç, (specialistë në AZDM Berat), të dy banues në Berat.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme, për veprat penale  “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura”, “Fshehje të ardhurave” dhe  “Mospagimi i taksave”.

Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura