Nxiti protesta masive të dhunshm/ Parlamenti në Gjeorgji miraton ligjin për ndikimin e huaj

May 14, 2024 | 22:30
SHPËRNDAJE

Ligjvënësit gjeorgjianë miratuan të martën ligjin për “ndikimin e huaj” i cili ka nxitur protesta masive për javë të tëra, ndërsa kritikët e cilësojnë atë si kërcënim, të stilit rus, ndaj fjalës së lirë dhe synimeve të vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian.

gjeorgji

Pas miratimit të ligjit me 84 vota pro dhe 30 kundër, një grup protestuesish përpara godinës së parlamentit u përpoqën që të thyenin barrierat mbrojtëse metalike. Pati njoftime se disa protestues u ndaluan nga policia.

Projektligji detyron mediat, organizatat jo qeveritare dhe grupe të tjera jo fitimprurëse që të regjistrohen se janë nën ndikimin e huaj, në rast se më shumë se 20 për qind e fondeve për veprimtarinë e tyre, financohet nga jashtë.

Qeveria thotë se korniza ligjore është e nevojshme për të frenuar ato që i cilëson si aktorë të dëmshëm të huaj që përpiqen të destabilizojnë politikën në Gjeorgji, një vend me popullsi prej 3.7 milionë banorësh.

Opozita e ka cilësuar propozimin si “ligji rus” sepse Moska po zbaton një legjislacion të ngjashëm për të goditur mediat e pavarura, organizatat dhe aktivistët që i cilëson si kundërshtarë të Kremlinit.

Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel tha të martën gjatë një konference në Kopenhagë se nëse gjeorgjianët duan “të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të respektojnë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe parimet demokratike”.

Ligji është thuajse identik me një projektligj që partia në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ u detyrua të tërhiqte vitin e kaluar për shkak të protestave.

Të tjera demonstrata përfshinë Gjeorgjinë për javë të tëra, ndërsa protestuesit janë përleshur me policinë e cila ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për t’i shpërndarë.

Presidentja Salome Zourabichvili, e cila është në konflikt të thellë me partinë qeverisëse, është zotuar se do t’i vërë veton ligjit në rast se miratohet nga parlamenti, por partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ ka shumicën e nevojshme të votave për ta rrëzuar atë.

Ndërsa ligjvënësit diskutonin rreth ligjit brenda parlamentit të martën, jashtë godinës ishin rreshtuar forcat policore të specializuara për ndalimin e grupeve të dhunshme.

Gjatë fundjavës, mijëra vetë u mblodhën në rrugët e kryeqytetit Tbilisi dhe shumë prej tyre qëndruan para parlamentit deri të hënën në mëngjes.

Në sallën plenare, debati u ndërpre për shkak të një përplasjeje.

Ligjvënësi i partisë ‘Ëndrra Gjeorgjiane’, Dimitry Samkharadze u pa të lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të dhunshme drejt Levan Khabeishvilit, kreu i partisë kryesore opozitare Lëvizja e Bashkuar Kombëtare, pasi ai akuzoi zotin Samkharadze për organizimin e turmave për të dhunuar mbështetësit e opozitës.

Disa protestues dhe anëtarë të opozitës janë dhunuar së fundmi në incidentet që opozita thotë se kanë ndodhur për shkak të pjesëmarrjes në protesta.

Gjatë një fjalimi ditën e martë, deputeti i partisë ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ Archil Talakvadze akuzoi “opozitën radikale dhe anti-kombëtare” se po përdorte protestat për qëllime politike.

“Asgjë dhe askush nuk do të ndalojë zhvillimin e vendit tonë”, tha ai.

Ana Tsitlidze nga partia Lëvizja e Bashkuar Kombëtare tha se protestat tregojnë se Gjeorgjia e bashkuar po “lufton për të ardhmen e saj evropiane” duket shtuar se “nëse sot i thuhet jo një ligji të ngjashëm me ligjin rus, në fakt po i thuhet jo regjimit rus”.

Pasi ligji t’i dërgohet Presidentes Zourabichvili, ajo ka 14 ditë kohë për t’i vënë veton, ose për ta miratuar atë./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura