Oborrsaraj bektashi i Tiranës

Oct 9, 2024 | 7:43
SHPËRNDAJE

NGA ALFRED DUKA Alfred Duka

Fenë e parë abrahamike e shpikën hebrenjtë posaçërisht dhe ekskluzivisht për veten e tyre, por mbeti e kufizuar brenda asaj popullsie dhe kësisoj, përgjatë shekujve u ekspozua ndaj goditjeve që i erdhën nga modele të tjera, të popullsive përreth, të cilët mundën të shpiknin edhe ato fetë e tyre, ashtu siç edhe pati përpjekje nga mbretër të ndryshëm përreth atyre hapësirave. Shfaqja e këtij fenomeni që në fillesat e tij u vlerësua si një konkurrim, në rastin më të mirë, por që mbarte doza të forta edhe rreziku, si për strukturën e parë fetare, ashtu edhe për popullsinë që e kishte krijuar atë vetëm për veten e saj.

Ky rrezik u vlerësua për të gjetur rrugëdalje, por dogma përbën gjithnjë një pengesë për ndryshimet e domosdoshme dhe jetike brenda sistemit. Pikërisht në këtë pikëprerje historike, shfaqet Krishti me idenë krijimit të fesë universale. Kështu që këtë kufizim, të fesë së parë, e korrigjuan apostujt e Krishtit. Ata shpikën një fe, të parën universale, e cila nuk kufizohej vetëm për një popull, por me projeksionin për të gjithë popujt pa asnjë dallim, duke bërë që të gjithë ata që do ta përqafonin, pavarësisht etnisë, ngjyrës, gjuhës, apo çfarëdo dallimesh të tjera, do të ndjeheshin dhe bëheshin të barabartë.

Ideja e barazisë krijoi shpresën se të gjithë do të bëheshin të barabartë para një Zoti të vetëm, pa përjashtuar as Mbretin, as Perandorin. Sigurisht që kjo funksioni si joshje për idealin kristian, si brenda klasave sociale, ashtu edhe popujve, duke shtruar kështu rrugën për përhapjen e saj në pellgun e Mesdheut. Për ta përhapur dhe materializuar idenë kristiane, apostujt ju drejtuan Romës, aty ku ishin të gjitha popullsitë, që jetonin dhe qeveriseshin nën një shtet, që prej shekujsh kishte krijuar Perandorinë e tyre. Kështu universalizimi, nga i predikuar, u shndërrua në realitet, por kjo nuk ndodhi për një ditë, as një vit, por pas afro tre shekujsh vuajtjesh dhe persekutimesh të panjohura deri më atëherë. Islami ndoqi një tjetër variant. Ata shpikën fenë e tyre, me tendencë universale, por me dallimin radikal prej dy të parave: atë e krijoi një person i vetëm, posaçërisht për popullsinë e tij, siç ishin arabët, që përgjithësisht ishin beduinë, por me kushtin që kjo fe të shtrihej edhe mbi popullsitë e tjera, të cilat ishin të detyruar të ktheheshin në myslimanë, por edhe arabë njëkohësisht, ndërkohë që popujve të kthyer, për oportunitet, iu lihej e drejta të kishin mundësi për të ruajtur emrin e etnisë së tyre, nën dy kushtet që thamë më lart. Në këtë mënyrë u krijua kultura arabe, pra si bashkim i fesë dhe mbivendosjes të etnisë universale arabe, mbi etnitë e tyre ekzistuese.

Në dallim nga dy fetë e para, islami u zgjerua me shpatë, me pushtime, duke shtrirë pushtetin ushtarak, politik dhe fetar, nëpërmjet Sheriatit, që të gjitha së bashku përbënë kulturën arabe. Përjashtim u bë vetëm për persët, të cilët duke qenë një popull i madh dhe me një traditë të lashtë shtetformuese, deri në nivelin më të lartë të këtij organizmi që ishte Perandoria, ata pranuan që të bëheshin myslimanë, por jo që të quheshin arabë. Kjo cilësi që ata arritën ta mbajnë, prodhoi një konflikt mbi të cilin lindi Shia, si një Skizmë islamike, e më pas si sekt më vete, Bektashizmin.

Shteti sovran i urdhrit bektashi, brenda kryeqytetit shqiptar, shpallet nga maja e shtypit botëror, si një ide madhështore, me projektim të perspektivës së paqes, por edhe ekzorciste, me pretendimin e pastrimit dhe shpëtimit të botës prej së keqes që e ka zënë për gryke, nga ku nuk pritej, pikërisht nga Shqipëria e vogël e modeste, me rreth njëqindmijë anëtarë, nga njëzet e shtatë milionë që njihen të tillë në gjithë botën.

Rama shpalli botërisht pretendime fantazmagorike, në mesatarizimin e sjelljes së tij ndërmjet figurave aspak më pak se të Davidit, Konstantinit të Madh, Musolinit, anti-Ataturkut, Mbretit Zog dhe vetvetes, me mëtime serioze për t’u krahasuar me to, nëpërmjet idesë së krijimit të shtetit bektashi në Tiranë, por jo si në Romë, si dy mijë vjet më parë, pasi për t’i ngjarë Vatikanit, kushti i vendosjes së “rrashtës” së tij, në themelet e shtetit të Tiranës është i panegociueshëm dhe i pashmangshëm. Sidoqoftë, kjo është kosto e madhe, që nuk ia vlen barra qiranë. Rama nuk duket i gatshëm për t’u martirizuar, si Shën Pjetri!

Megjithatë, duhet pranuar se ideja pavarësisht se e laboruar një shekull më parë, shkëlqen për bukuri, me pretendimin e krijimit të modës së myslimanëve të së ardhmes, të cilëve u ofrohet të jenë pa uniformë, pa rite të lodhshme me pasoja parazitiste, pa kufizime në pije alkoolike, me gra të lira si kaurreshat allafranga, pra përfundimisht me mëtimin e krijimit të myslimanëve të lirë, bazuar në idenë e mirë se fe është mendja, jo dogma.

Bektashinjtë vijnë si sekt sufi i shitëve, me frymëzime poetike nga poeti i madh pers Rumi, themeluar në shekullin XIII, në Turqi, pak përpara krijimit të Mbretërisë osmane, si djali i prapë i islamit, që nuk duronte sistemin e rregullave strike sunite.

Pas shtrirjes së Perandorisë osmane në gadishullin ballkanik dhe zbatimin prej saj të rekrutimit të fëmijëve të krishterë, për krijimin e trupës jeniçere, e cila mori formën e trupave speciale të ushtrisë osmane, apo edhe të Gardës së lëvizshme të Sulltanit, ky sekt u fuqizua me këtë krah të armatosur, të cilët gjetën aty, pjesërisht atë që kishin humbur me dhunë gjatë procesit të islamizimit të tyre. Më 1826, Sulltani organizoi një si Nata e Shënbartolomeut, ndaj jeniçerëve, si trupë ushtarake, me therjen e rreth katër mijë syresh rrugëve të Stambollit, por që ishte direkt edhe një sulm i pashpallur ndaj bektashinjve nga Sulltan Mahmuti i II.

Qëlloi që kur Ataturku, turku me sy blu dhe mendje perëndimore, më i madhi i racës së tyre, ndërmori reformat më radikale që ajo tokë kishte parë, veçanërisht në shkallmimin e Sheriatit dhe futjen e strukturës evropiane të shkrimit e këndimit, më e pakta qe përzënia e sektit të bektashinjve prej trojeve turke. Rastësia e të qenit shqiptar të kreut të këtij sekti, solli për pasojë bërjen e Shqipërisë një qendër botërore e një popullsie shumë milionëshe që i përkisnin këtij sekti. Pak vite më vonë, qendra shpirtërore e tyre u bë Shqipëria. Sado që sot lexohet si një novelë, akti i Ahmet Zogut, aspak nuk qe i lehtë për të, as kur pranoi strehimin e Dedejt të Kolonjës më 1925, sigurisht as kur e njohu si komunitet fetar, të barabartë me të tjerët më 1929, kur tashmë ishte Mbreti i shqiptarëve, duke shënuar në këtë mënyrë edhe fundin e marrëdhënieve me Ataturkun e xhindosur prej këtij akti të Mbretit të vogël shqiptar, që dha shenjën e fundit të shkëputjes përfundimtare me Turqinë.

Pas mesit të viteve njëzet, Musolinit iu sugjerua mbështetja e idesë së krijimit të një feje zyrtare shqiptare, bektashizmit, nga studiuesi i famshëm Antonio Baldaçi, që ishte dërguar në Shqipëri për të kryer disa studime, ndër të cilat, edhe në fushën e besimeve fetare. Bektashizmi është fasha liberale e islamit, nëse do të përdorim elementë të spektrit politik, si një formë socialdemokrate, që sidoqoftë duhet t’i përkasë të ardhmes së kësaj feje. Stambolli e ka Vatikanin e tij, Patriarkanën, e cila përgjatë historisë së pas vitit 1453, Patriarkut iu njoh statusi i vezirit përgjatë gjithë kohës, deri më sot. Grekët e kanë Vatikanin e tyre, Malin e Shenjtë Atos me statusin e ekstraterritorialitetit, që do të thotë njohja e paprekshmërisë së tij. Ndërsa të gjitha vendet ortodokse ballkanike, kanë Kishën e tyre kombëtare, që ua krijuan rusët. Ndërsa ne kemi bektashinjtë!

Nga i lindi kjo ide Edi Ramës? Shqiptuar tekstualisht është marrë siç thamë më lart nga Antonio Baldaçi, botanisti që u dashurua me Shqipërinë, por edhe konsulli i saj në Bolonja, e njëkohësisht edhe i dërguari i Musolinit në vendin tonë.

Po çfarë iu duhet një oborrshtet në mes Tiranës shqiptarëve?

Në pikëpamjen e utilitetit praktik, asgjë. Ne i kemi si tolerancën, ashtu edhe harmoninë fetare, në atë nivel sa asnjë popull, apo shtet tjetër që ka fatin për t’i pasur aq shumë fe sa kemi ne. Atëherë? Përse kjo ide zu aq shumë vend në majën e mediumeve të botës, së bashku me fotot e dy Edëve më të famshëm që ka shqiptaria, njëri Baba feje, e tjetri Baba politike? Sepse atyre iu duhet ideja dhe oborrshteti bektashi. Atyre që drejtojnë botën. Po ne çfarë na duhet, nëse e rimarrim edhe njëherë pyetjen? Për pak kohë edhe neve na duhet, pasi bëhemi qendra e botës për një gjë, që si gjërat që i kemi e nuk i vlerësojmë. Mjafton për një vend aq të vogël, për t’u bërë qendra shpirtërore e disa dhjetëra milionë besimtarëve, më të mirëve të një miliardi e më shumë, që ka në filozofinë teologjike të saj, bashkëjetesën, tolerancën dhe harmoninë fetare, të trazuar deri përgjakshëm herët dhe vonë. Vështruar në këtë mënyrë, ne duhet të fillojmë festën e zbulimit të çelësit të paqes për shumë popuj e kombe. Pa i hyrë anës ekonomike, pasi vetëm një pjesë e aq milionëve, sikur ta vizitojnë qendrën e tyre dhe të blejnë nga një ashure me një “Coca Cola” për ta përcjellë dhe të flenë një natë në Shqipëri del e tepron sa të duash.

Por si çdo gjë, as kjo ide nuk është vetëm e mirë. Po themi se Presidenti i Parë i Oborrsarajit bektashi do të zgjidhet Baba Mondi. Po i dyti? I treti, e me radhë, a duhet ta zgjedhë shumica po themi? Që do të thotë se në rastin më të mirë, do të jetë një turk dhe në rastin tjetër një iranian, zëvendësuesi i Baba Mondit, në mes të Tiranës! Vështruar prej kësaj perspektive, bie deri në fikje adrenalina e fillimit…

Takimi fantastik i Presidentit të Izraelit me dy Edët e Tiranës, pak ditë përpara shpërthimit të këtij lajmi e vendos Izraelin në qendër të sponsorizimit të kësaj lëvizjeje deri te “New York Times”. Dhe kjo është vetëm një gjë e mirë, por për ndjekës të vëmendshëm të politikës dhe diplomacisë, kjo ide zien me kohë, pasi ambasadori turk, që në mars 2024, ka dhënë shenja paralajmëruese të kësaj lëvizjeje edhe me njëfarë nervozizmi, që shprehte hapur paternalitetin turk! Nesër kemi Baba Erdoðan në Tiranë, ndoshta në takimin më të vështirë të ndonjë Sulltani pas Motit të Madh. Mbase do të thotë të njëjtat fjalë që tha Sulltani i fundit për shqiptarët, pasi Esat Pasha i dorëzoi vendimin për shkurorëzimin e tij dhe gjithë sulltanatit osman përjetë…”ma dorëzoi një i pabesë”, – tha.

Përpjekjet për ta përqasur Oborrshtetin bektashi me Vatikanin janë butafori provinciale. Nuk ka asnjë lidhje me modelin e Vatikanit, pasi Vatikani drejtoi Romën pas vitit 467 pas Krishtit, jo e kundërta, si në rastin konkret mëtohet. Është tjetër gjë, nëse projektuesit e imazhit të së nesërmes e shohin botën islame si tranzicion bektashi.

A janë bashkësitë e komuniteteve fetare në Shqipëri të barabarta?

Jo, pasi bektashinjtë janë qendër botërore, të tjerat janë për besimtarët respektivë vetëm brenda Republikës së Shqipërisë. Edhe nga pikëpamja kushtetuese, aktualisht janë të barabartë, por në fakt nuk duhet të jenë. Sidoqoftë, statusi i bektashinjve duhet të jetë më i lartë.

A janë bektashinjtë faktori përcaktues i tolerancës, ashtu edhe i harmonisë fetare, në hapësirën shqiptare? Sigurisht që kanë kontributin e tyre të padiskutueshëm që në Rilindjen Kombëtare e në vijim. Por problemi shqiptar nuk janë bektashinjtë, as myslimanët e tjerë, as të krishterët, por udhëheqësit tanë, të cilëve përveç Ahmet Zogut, asnjërit nuk i ka mjaftuar Shqipëria…

Ata nuk kanë udhëhequr me urtësi popullin e tyre, por janë sjellë si sundimtarë, që në çdo rast, ose e kanë kthyer rrotën e historisë mbrapsht, ose kanë vrapuar shumë përpara shoqërisë, duke menduar modernizimin e shpejtë të saj, por që asnjëherë nuk ia kanë mbërritur, madje edhe duke i sjellë drama krejt të panevojshme, pikërisht prej këtyre raporteve të gabuara që ndërtuan me popullin e tyre dhe nëse edhe kjo ide do të vrapojë si të tjerat, që nga shembja e kishave dhe xhamive, apo e kundërta e tyre, mbirja si e kërpudhave, kurrë mos ndodhtë!

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura