‘Onufri 23’, veprat e 10 artistëve, lidhur me fillin e kujtesës

Dec 21, 2017 | 16:49
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Në një thes të artë prej babagjyshi, shumëkush mund të mendojë se janë fshehur veç dhurata e gjëra të bukura. Prej distancës dhe mungesës së komunikimit, shqiptarët e Kosovës kështu e shihnin Shqipërinë, si një “dhuratë”. Ata nuk e dinin se në atë “thes” kishte dosje fatkeqë- sish… Aty është fshehur kujtesa, një kujtesë e hidhur… Pikërisht mbi kujtesën personale dhe kolektive flet edicioni i 23-të i Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri”, hapur mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve.

konferenca onufri

Kuratori i ekspozitës, Gaetano Centrone, nën titullin “AU FIL DU TEMPS – Kujtesë kolektive, kujtime personale” përpiqet të gjejë një emërues të përbashkët që bashkon përvojën e shumicës mes artistëve shqiptarë, atyre nga rajoni i Ballkanit, apo edhe më larg, deri në Meksikë. Në ekspozitë marrin pjesë dhjetë artistë: Zeni Ballazhi, Adi Haxhiaj, Koja, Perino & Vele, Leonard Qylafi, Calixto Ramírez, Jelena Tomasevic, Vangjush Vellahu, Alketa Xhafa Mripa, Fani Zguro, të cilët, pavarësisht vendeve nga vijnë, reflektojnë në veprat e tyre gjurmët e historisë. Veprat e paraqitura në ekspozitë u përkasin mediumeve të ndryshme. Kemi që nga tabloja, te vizatimi, fotografia, mbizotëron videoja dhe instalacioni. Artistët kanë shfrytëzuar muret e katit të tretë të galerisë, për të realizuar direkt aty veprat e tyre, duke realizuar murale, të cilat drejtori i GKA, Artan Shabani, mendon t’i lërë aty, edhe 6 muaj, pse jo. Çmimi i këtij edicioni do të shpallet në muajin janar 2018.

KONCEPTI

Në konferencën për shtyp, ku ishin të pranishëm edhe një pjesë e artistëve, kuratori Centrone shpjegoi konceptin mbi të cilin është ngritur ekspozita dhe të përbashkëtat e një grupi artistësh nga vende të ndryshme. “Objektivi im kryesor për këtë edicion të “Onufrit” ishte të qëndroja në Tiranë, në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë në botë. Këtë e bëra duke importuar disa copëza nga kjo botë dhe duke i sjellë ato në Tiranë. Kisha për qëllim që së bashku me 10 artistët ndërkombëtarë dhe ata shqiptarë (që sipas meje janë të mrekullueshëm, por të mbyllur brenda një sistemi, gjithsesi me mundësi të mëdha), të ndërtonim botën tonë. Gjërat nuk ndodhin rastësisht, jemi këtu me artistë që flasin disa gjuhë, por kuptojmë se edhe në Shqipëri ka një panoramë të artit bashkëkohor, e cila ka një vazhdimësi shumë interesante. Kërkimi im u shtri edhe në rajonin e Ballkanit, i shoqëruar gjithnjë nga një klimë konfliktesh dhe tensioni. Vendosa ta lejoja veten të frymëzohesh nga rëndësia që ka historia në pjesën më të madhe të artistëve”, tha Centrone. Mes punëve të paraqitura, një pjesë e madhe e të cilave është krijuar enkas për këtë edicion të “Onufrit”, ai ka gjetur një fije lidhëse, që është koha. “Artistët i përkasin të njëjtit brez dhe bashkohen nga fijet e kohës që ecin në mënyrë lineare, por ka edhe deviacione, ulje-ngritje. Dhe kam qenë i prirur që brenda historive të mëdha të gjej ato historitë e vogla që flasin për secilin nga ne. Kjo është memoria jonë dhe mund të jetë memoria kolektive, e cila është në ndërtim”, u shpreh Gaetano Centrone.

Shqipëria, një thes babagjyshi për kosovarët

Përpara shkallëve të katit të tretë, të pret një thes i artë. Është një nga punët e artistes Alketa Xhafa Mripa, e cila paraqitet në këtë edicion të “Onufrit” me dy vepra, një instalacion dhe një video. Siç shpjegon vetë ajo, e para është personifikim i memories kolektive. “Është një këndvështrim se si një 5-vjeçare nga Kosova e shihte Shqipërinë, e bashkë me mua edhe gjithë gjenerata ime. Për ne ishte si një thesar, si thesi i babagjyshit të Vitit të Ri. Por, në fakt brenda janë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ne nuk e dinim gjendjen e rëndë që po kalonin shqiptarët, e kemi mësuar më vonë”, tregon ajo. Ndërsa puna e dytë, një video e shoqëruar nga dy fotografi, i përket kujtesës personale. Titullohet “N’emër të babës”. Në të shfaqet autorja teksa lan në vaskë babanë e saj 85-vjeçar, artistin e njohur Xhevdet Xhafa. “Më kujtohet koha kur im atë më pastronte mua, por vjen një moment dhe vendet ndërrojnë dhe jam unë ajo që e pastroj tashmë atë. Kur prindi ikën nga kjo jetë, kryhet riti i fundit, ai i larjes, i pastrimit dhe ideja ime është që duhet të gë- zojmë me ta sa janë ende në jetë”, tregon artistja.

Periferitë meksikane të Tiranës

Artisti nga Meksika, Calixto Ramírez, vjen në këtë “Onufër” me një vepër të realizuar në Tiranë. Ai na sjell perceptimin e të huajve mbi Shqipërinë, por ngre pikëpyetje edhe mbi mendimin që ne kemi për veten. Po ashtu Ramirez, duke iu përmbajtur fillit të kujtesës, na thotë se së shkuarës nuk mund t’i ikim, madje as duke e mbytur me alkool. “Kam ardhur para një muaji dhe kam ndenjur në Tiranë 5 ditë, duke shkuar në terren e duke mbledhur sa më shumë informacion”, tregon ai. Ai ka ndërtuar një instalacion me tulla, që të jep idenë e një qyteti gjithnjë në ndërtim, por njëkohësisht edhe kaotik. Mbi “kullat” e ngritura me tulla, ai vendos nga një gotë, që ia kanë dhuruar në Shqipëri, të cilën e mbush me raki ose birrë. Edhe duke pirë ato, e pamundur t’i ikë fëmijërisë apo së shkuarës. “Periferia më kujton vende të njohura në Meksikë, më kujton vende në Amerikën latine, në Venezuelë, Kolumbi”, thotë ai.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura