Operativi i Sigurimit: Çfarë thanë në Korfuz të arratisurit nga Himara në 1971 (PJESA XX)

Sep 4, 2016 | 12:01
SHPËRNDAJE

Me ato që ka dëgjuar për dëshmitë e vëllezërve Malo dhe familjarëve të tyre para autoriteteve greke në Korfuz, Viro Zhebo e ka mbyllur përfundimisht kontaktin me këtë histori. Çfarë ka ndodhur më tej me ta, i dëbuari nga Shërbimi Sekret për shkak të asaj ngjarjeje të bujshme, e ka ndjekur nga bisedat me të tjerët, aq sa një moment interesimin për të e ka fashitur tërësisht.

Sidoqoftë, Viro Zhebo, me mënyrën si e ka regjistruar në kujtesë arratisjen e atij fllimgushti, pavarësisht hezitimit për ta treguar dhe moshës së thyer, shfaqet i kthjellët dhe i saktë në çdo detaj. I qetë në rrëfimin e tij, ish-sigurimsi 85-vjeçar pranon të flasë vetëm për aq sa di dhe ka lexuar në dokumente autentike, duke shmangur komentet dhe versionet e shumta, që rast pas rasti, siç thotë, i kanë dhënë ngjarjes profilin e një legjende urbane.

Viro Zheba duke rrëfyer për “Panorama”
Viro Zheba duke rrëfyer për “Panorama”

Është kjo arsyeja që Zhebo e mbyll tregimin e tij për këtë histori, aty ku ka mbyllur edhe kontaktet me të. Pra, tek ato çfarë ka regjistruar nga dëshmitë e vëllezërve Malo në Korfuz. Përtej kësaj, pjesa në vijim e kujtimeve të tij ndriçon më tej raportet që ka pasur me Feçor Shehun dhe dyshimet që ky i fundit ka shprehur për roli e ish-operativit në arratisjen e vëllezërve Malo…

Në njëfarë mënyre, Feçori ju godiste si bashkëpunëtorë të vëllezërve Malo në arratisjen e vitit 1971…

Pavarësisht se nuk e thoshte haptas, ligjërimi që bënte, këtë mesazh parakuptonte. Nuk e di pse i ishte fiksuar diçka e tillë.

Ndoshta kjo nga deklarimet e vëllezërve Malo në Korfuz. Ata kishin përmendur emrin tuaj kur ishin intervistuar nga autoritetet greke…

Këtë e dëgjoj për herë të parë. Nuk ma ka thënë askush në atë kohë, por as më vonë…

Po në dokumentet e Sigurimit, që u referohen dëshmive të vëllezërve Malo në Korfuz, nuk e keni lexuar?

Me një pjesë të tyre jam njohur, po këtë fakt nuk e kam gjetur askund. Pse, dëshmojnë aty vëllezërit Malo se i kam ndihmuar që t’u krijoj lehtësira për organizimin e arratisë? Është totalisht e pavërtetë kjo. Se po të ishte ndryshe, nuk do të kishte arsye mos ta pranoja, ca më tepër tani, në një realitet krejt tjetër.

Diçka të tillë e përmend edhe Vasil Malo në intervistën për “Panoramën”, kur ju kërkon të falur…

Në rrëfimin e Vasilit për gazetën tuaj zbardhen disa aspekte të lidhjeve që kam pasur me të kur punonim në Port. Tregimi i tij në përgjithësi i përgjigjet të vërtetës. Askund s’kam konstatuar në dëshmitë e Vasilit ndonjë pasaktësi. Asnjë detaj në deklaratën e tij, nuk pohon se unë paskam pasur dijeni për përgatitjet që bënin për t’u arratisur. Nuk e kuptoj nga e ka burimin një e dhënë e kësaj natyre…

Besoj se kur ju kërkon ndjesë Vasili, ka parasysh edhe këtë dëshmi që ka dhënë për autoritetet greke…

Nuk është punë hamendjesh këtu. Unë jam takuar vetë me Vasilin kur është kthyer nga Amerika dhe nuk e ka zënë në gojë një gjë të kësaj natyre.

A nuk parakupton këtë deklarata publike e Vasilit, kur artikulon se njohja që kishit u bë shkaku kryesor për largimin e tij nga Shërbimi Sekret…?

Unë e kam kuptuar ashtu siç e ka shprehur ndjesën publike Vasili. Nuk kam arsye t’i jap përmbajtje tjetër deklaratës së tij. Po të keni interes për më tepër, pyeteni t’jua shpjegojë vetë tani që është në Shqipëri.

Çaste nga dasma e vajzës së Vasil Malos në Amerikë
Çaste nga dasma e vajzës së Vasil Malos në Amerikë

Pra, vëllezërit Malo nuk kanë konsumuar gjë në adresën tuaj në takim me autoritetet greke?

Nuk e kuptoj pse duhet këmbëngulur kaq shumë në këtë argument. Çfarë rëndësie paraqet sot fakti nëse më kanë denoncuar dikur si bashkëpunëtor në arratinë e tyre vëllezërit Malo, apo jo? Unë kam sqaruar me hollësi çdo detaj të lidhjeve të mia me këtë histori. Në asnjë rrethanë nuk ka ndodhur të kisha dijeni, pa le të bashkëpunoja me vëllezërit Malo në atë aventurë. Unë isha oficer Sigurimi dhe e pohoj me zë të lartë se nuk kishte kurrkush shanse të më komprometonte në një veprimtari të tillë armiqësore…

Me një fjalë, dokumentet e Sigurimit me dëshmitë e vëllezërve Malo në Korfuz, sipas jush, duhen lexuar me rezerva?

Nuk e di për çfarë dokumentesh e keni fjalën, se sot në media përmenden vend e pa vend lloj-lloj të tillash. Arkivat, me sa di unë, i kanë të plota. Çdo burim tjetër që pretendon për dokumente sekrete, pa iu referuar atyre, është spekulim i pastër.

A nuk është dokument autentik raporti i Feçor Shehut, me referenca nga dëshmitë e të arratisurve në Korfuz?

Nuk kam dijeni përse e keni fjalën. Me sa di unë, në atë kohë, dëshmitë e të arratisurve para zyrtarëve grekë ishin arkivuar në dy dosje të veçanta, kuptohet, të dyja të shkallës sekret. Në asnjërën prej tyre nuk përmendej emri im. Dokument tjetër zyrtar, me sa kam dijeni, nuk ka pasur. Thashetheme po, janë dëgjuar deri vonë. Çfarë nuk përflitej në to; çudira e marrëzi nga më të ndryshmet më ka zënë veshi në atë periudhë. Madje, kishte zëra se arratisja e vëllezërve Malo ishte bërë për qëllime agjenturore nga vetë Sigurimi i Shtetit…

Çfarë ishin këto dy dosje që përmbanin dëshmitë e të arratisurve para autoriteteve greke?

E para ishte dosja që përgatiste sektori përkatës i ATSH-së, me regjistrimin e të dhënave nga burimet e hapura, që pasqyronin pohimet e të arratisurve shqiptarë para zyrtarëve grekë.

A ishte pjesë e Shërbimit Sekret sektori i veçantë i ATSH-së që punonte me burimet e hapura për Sigurimin?

Ishte një sektor me dy-tre punonjës, përkthyes e gazetarë, pjesë e strukturës së ATSH-së, që sistemonte nga mediat e huaja, kryesisht ato më prestigjiozet e kohës, lajmet për Shqipërinë. Me përmbledhjen e tyre përgatitej buletini ditor që i adresohej Byrosë Politike dhe drejtuesve të lartë të Ministrisë së Brendshme.

Me që ra fjala, cila medie e dha e para lajmin për arratisjen e vëllezërve Malo?

Çuditërisht, lajmin se mbërriti në Korfuz anija “De Rada” me 30 pasagjerë që kërkonin strehim politik atje, media greke preferoi ta japë pas disa ditësh. Të parët që e bënë të njohur ngjarjen ishin gazetarët italianë. RAI ishte televizioni i parë që e transmetoi atë me zë dhe figurë, qysh në orët e para të 9 gushtit. Athina, për arsyet e saj, iu kthye këtij lajmi kur ishte publikuar nga mediat më të rëndësishme. Të gjitha pastaj vazhdonin avazin e tyre me lëndën e ofruar nga shqiptarët që kishin sfiduar vështirësitë e jashtëzakonshme për të prekur Perëndimin. Me këto, pak a shumë, përgatiteshin buletinet e famshme, që asokohe i quanim axhanse.

Po dosja tjetër, ajo që u referohej burimeve sekrete, çfarë përmbante?

Ajo përmblidhte të dhënat që siguronte shërbimi nga rrjeti sekret agjenturor.

Nga aq sa ju kujtohet, çfarë kishin dëshmuar vëllezërit Malo për interes të zyrtarëve grekë?

Kanë kaluar shumë vite që atëherë dhe shumë gjëra i kam harruar. Gjithsesi, në vija të përgjithshme mbaj mend çështjet më të rëndësishme, për të cilat kanë dëshmuar vëllezërit Malo dhe familjarët e tyre para autoriteteve greke. Interesimi më i madh i këtyre të fundit, siç rezultonte në dokumentet e kohës, ka qenë për organizimet ushtarake, kryesisht për arsenalet luftarake në Sazan dhe ato në bazën e Pashalimanit. Kanë pohuar diçka rreth tyre të arratisurit e vetëdorëzuar, por, siç vlerësohej nga ekspertët e fushës, nuk bëhej fjalë për ndonjë të dhënë që prishte punë. Mysafirët e paftuar të Korfuzit, në fakt nuk kishin pasur ndonjë lidhje me bazat ushtarake dhe s’kishin ç’t’u jepnin më shumë nga sa kishin dëgjuar lart e poshtë rreth tyre…

Vasil Malo pohon se i kanë pyetur për të drejtat e minoritetit grek dhe burgjet për të dënuarit politikë…

Pyetja për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri ishte ndër të parat që u bënin shqiptarëve sa mbërrinin aty. Ishte gati standard ajo në të gjitha rastet. Sa për burgjet, nuk më kujtohet ndonjë dëshmi konkrete e tyre. Mbaj mend diçka nga përgjigjet e vëllezërve Malo për mbylljen e kishave dhe dënimin e klerikëve. Sidoqoftë, nga aq sa kishin përftuar nga dëshmitë e tyre, shërbimet greke nuk paraqitën ndonjë interes të veçantë.

FUND

AFRIM IMAJ

Dokumentet dhe intervistat në këtë dossier janë ekskluzivitet i gazetës “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura