Oponencë miqësore mbi parlamentarët tanë

Nov 14, 2024 | 10:00
SHPËRNDAJE

NGA PROF. DR. ELMAS LECI 

Dekani Elmaz Leci
Dekani Elmaz Leci

Para pak ditëve shkrova në gazetën tuaj për dënimin e deputetëve të opozitës të vitit 1946, ndërsa sot i inspiruar nga ato ngjarje po shkruaj përsëri po për të njëjtin fenomen, për dënimin e opozitës parlamentare shqiptare pas 78 vjetësh. Këtë radhë po duket sikur po dal diçka nga fusha ime e studimeve, por është zakoni i keq profesional i së kaluarës dhe një detyrim qytetar, që nuk mund të abstenojmë përballë fakteve e ngjarjeve e pa dhënë edhe ndonjë mendim, por pa pretenduar të vërtetën. Shtysë janë bërë ngjarjet e fundit, si për dënimet opozitare të vitit 1946, ashtu edhe për dënimet e opozitarëve të tanishëm me burgje e përjashtime nga salla parlamentare, veçanërisht molepsja e opinionit publik, që ndalen e diskutojnë më me shumë preokupacion për dhunën në ca copëra dërrasash që i a dogjën Parlamentit, që as kjo nuk është në normalitet, por pa nxjerrë thelbësoren se si erdhi e se si perceptoi deri aty, pa nxjerrë në evidencë rezultatin e padrejtësive të pozitës ndaj opozitës e mbi të gjitha te çështja bazike që është se deputetëve opozitarë po u mohohet fjala, qenësia, objeksioni se përse janë në atë Parlament e veçanërisht ekzistenca e tyre. Këto janë themeloret e themeloreve. Por faktet e ngjarjet kanë treguar, madje në sytë e të gjithë opinionit (ata që duan t’i shikojnë!) e për këto shumica në Parlament as që do të i a dijë! Çfarë tregoi bulevardi i madh disa ditë më parë?! Çfarë ishte?! Padyshim protestë ndaj qeverisjes së keqe ose siç e kanë qejf disa ta themi, “qeverisjes me të meta”. Ama me “të meta” fajtore, kriminale etj., etj..

Zemërimi ishte ndaj paligjshmërisë. Thirrjet nervoze ishin kundër korrupsionit. Opinioni se kërkohet ndryshim. Edhe vendimi i Gjykatës administrative çfarë vërtetoi?! Të kundërtën e vendimeve të shumicës. Shumica as nuk është e vërteta, as nuk është drejtësia, ndryshe do ishim në amfiteatrot grekë! Parlamenti i sotëm të jep perceptimin e disa manekinëve që i lëvizin pas perdes. Po ç’është kjo “kukullnajë” te secili, që mohon fjalën e kolegut, që nuk respekton mendimin e tjetrit, që “argumenton” e “mbron” ters kriminalitetin, vjedhjen e abuzimet e pafund me djersën e këtij populli, që duhet menduar më gjatë se pranimi i statukuosë çon pa diskutim në cenimin e çështjeve të sigurisë kombëtare.

Çështja tjetër: Si mund të merren masa në Kuvend nga një pjesë e deputetëve ndaj pjesës tjetër se flet e denoncon?! Po këtë funksion ka ajo, të flasë, të denoncojë, të akuzojë, të kallëzojë, të referojë. Këto quhen nga një pjesë kuvendare se “janë në kundërshtim me Kushtetutën e ligjet”, që i ka bërë vetë Kuvendi?! Po përse i ka bërë kështu, kur ato dhe këta gjenkërkan shkak për t’i penalizuar homologët, që nuk i “duronkan” dot?! Si mund të ndalojë “shumica” si masë etike që pakica, që kundërshton dhe kur nuk dëgjohet e bërtet edhe me “forcë të arsyeshme”, të përjashtohet nga Kuvendi nga shumica?! Po si mundet një pjesë deputetësh, që kanë pushtetin të përjashtojnë nga Kuvendi pjesën tjetër që nuk ka pushtet?! Ç’është kjo e drejtë rregulloreje?! Si mund të jenë dy lloje deputetësh, ca që veprojnë me forca policie e ca janë “në mëshirën” e tyre.

Çfarë “fitoreje” ka demokracia nga dënimi i opozitarëve?! Përkundrazi, qëndron opsioni se sa më e madhe dhe më e gjerë të jetë e të funksionojë opozita me denoncimet e saj, është ajo që e bën gjithnjë e më mirë e më funksionale demokracinë. Këtë e duan apo jo pozitarët?! Mendoj se duhet ta duan, se rrugë tjetër nuk ka dhe “dashja” është domosdoshmëri e ardhmërisë. Kjo situatë me dashje apo pa dashje, por më shumë me dashje, i thotë opozitës “rri urtë”, “do thuash ato që duam ne” e madje si “i duam ne”, ndryshe mbi ju bien rrufetë”! Kjo është logjika e mbrapshtë që ju ka zënë, e që medoemos për të mirën e këtij populli duhet ta çarmatosni veten nga ajo. Jo, ato që kanë ndodhur me dënimet masive, nuk duhet të ndodhin më! Zgjedhësit i kanë dërguar aty deputetët e tyre, ju të dy palëve pa dallim, si përfaqësuesit e tij në Kuvend dhe aty (jo për të punuar me kazmë), por për të folur e për të votuar. Ti që je shumicë, nuk ke asnjë të drejtë as t’u ndalësh fjalën e aq më keq dhe më e tmerrshmja, t’u turrësh Policinë e Gardën në dhunim. A thua se këto organizma janë vetëm tuajat, si shumicë?! As që duhet t’u shkojë mendja se ato duhen përdorur kundër pjesës tjetër, që nuk ju pëlqen ju, që nuk u miraton ju, që ju denoncon ju, që ju demaskon ju, jo ju si deputetë, por qeverisjen tuaj. Ata atë rol kanë e ju për ato që thonë e denoncojnë opozitarët duhet veçse t’i falënderoni. Kjo është marrëdhënia pozitë opozitë dhe jo zbatimi i shprehjes anadollake “goja llap” e domuzi “dap”. Po e bëtë siç e keni bërë, është dhunë, dhunë kundër deputetëve. Absurditet!

Çështja tjetër: A mos është krijuar e konsoliduar mendimi se gjithnjë e përherë shumica ka të drejtë?! Nëse është menduar kështu e mendohet ende nga disa apo të gjithë pozitarët kështu është fatkeqësi e madhe, është mosnjohje e historisë njerëzore. Është të mos reflektim në kohë të mendosh e të thuash se pakica nuk ka asnjëherë të drejte. Pak fakte plot ka historia që edhe pakica ka pasur të drejtë, kur vetë çështja është e drejtë dhe ahere ajo prevalon mbi shumicën. Në rastin konkret të jetës sosë parlamentare, pozita ka denoncuar vjedhjet konkrete, abuzimet marramendëse, kriminalitetin e pa kufi. Po përse të mos i bëjë këto?! Çfarë të bëjë tjetër ajo, çfarë hapësire ka? Dhe për këto as dëgjohet, as konsiderohet. Fjalën ju, jo nuk ua dëgjoni! Veprimin, jo! Përjashtimin nga salla, po! Dhe mandej edhe bukën, ua prisni e vandalë, i quani! Mendoj, edhe pse jeni shumicë, thirreni mendjes dhe silleni Parlamentin në binarët e pluralizmit, për të cilin është punuar nga të gjithë e së bashku. Si pranoni ju ligjvënësit që koleget t’u dënohen pa fakte dhe mandej thoni se nuk komentoni gjyqësorin? Cilin gjyqësor, atë që duket hapur se e dirigjoni?! Vërtet në demokraci gjyqësori nuk komentohet, por kur bën vërtet gjyqësi e drejtësi. Ligjet themelore të këtij shteti i dinë të gjithë dhe pse ia lini këtë “mëkat” tuajin drejtësisë. Dihet botërisht se deputeti ka disa nene e pika kur ndalohet, arrestohet apo burgoset. Ju ndaj kolegëve tuaj, është opinioni, keni vepruar me arbitraritet! Dhe më e bukura është se u thoni “mos flisni”, “mos u zemëroni”, “mos u revoltoni”?!

Çështje tjetër: Rasti i jetës parlamentare është me plot kundërthënie. Si drejtues ekzekutiv e ligjor i një institucioni, që merret me studimet e problemeve të sigurisë e të mbrojtjes kombëtare, ju them se “kthehuni – siç thonë myslimanët – nga kibla”! Jam i bindur se as njëra pjesë nuk e do më shumë Shqipërinë, as pjesa tjetër na e do më pak Shqipërinë. Në Parlament, patjetër ka diskutime pa fund, përgjithësisht edhe pa kokrra, shpeshherë të kundërta, ndonjëherë madje edhe me ngritje zëri. Deri këtu mirë, mirëpo nuk mungojnë madje me tepri edhe grindjet. Bazuar te këto shfaqje, po ndalemi te dy koncepte themelore, te fjala dhe te emri deputet. Ç’do të thotë dhe çfarë ngarkesash mbart ky emërtimi pa ndarë fjala dhe deputet, ky atribut që e kanë ata pak njerëz të zgjedhur dhe ky “qyrk” që e mbajnë ata personalitete?! Deputeti, pavarësisht si zgjidhet, me lista të mbyllura a të hapura, konsiderohet e është përfaqësues i popullit pa dallime politike, ashtu si ligjet që bën nuk janë e kurrsesi nuk duhet të jenë politike, pavarësisht se deputeti përfaqëson këtë a atë parti. Madje, mendoj ekstremin se në sallën e Parlamentit e në miratimin e ligjeve, nuk duhet të ketë parti dhe ata vete nuk duhet ta konsiderojnë veten partiakë të njërës a tjetrës forcë politike, veçse deputetë përfaqësues të popullit. Si i tillë, nga zona ai shkon e betohet në faltoren e popullit, në atë që quhet salla e Parlamentit, apo siç e emërtojmë sipas traditës së lashtë e të mirë popullore, Kuvend.

Sa ngarkesa pozitive mbart ky emërtim puro shqiptar-Kuvend, sepse aty kuvendohet, dmth., bisedojnë “burrat e mençur” dhe dalin me disa përfundime për ato që i kanë zgjedhur. Pozicionet e kundërta deri në armiqësore, nuk i nderojnë dhe votuesit me të cilët në më të shumtën nuk përballen, se u tremben halleve të zgjedhëseve, jam i bindur që nuk janë pro e kjo është një e metë e madhe edhe për çështjes e sigurisë kombëtare. Si konkluzion: Opinioni është se opozitarët nuk dëgjohen, denoncimet e tyre nuk përfillen, zbulimet e tyre për vjedhjet e shtetarëve shpërfillen, kallëzimet për kriminalitetin mbulohen, abuzimet me pronat nuk vlerësohen, boshatisja (ikja) e popullsisë nuk konsiderohet, niveli i jetesës nuk problemohet, ahere të nderuar pozitarë a mund t’i thoni opinionit se çfarë të drejtash kanë mbetur për opozitën?! Jo, kështu nuk mund të jetë një jetë demokratike parlamentare! Dhe dashamirësia e oponencës shoqërore në emër edhe të konceptit siguri kombëtare, pas gjithë këtyre fakteve që renditëm qëndron siç qëndron edhe pyetja e titullit se, “përse deputetët nuk na qenkan të njëllojtë në Kuvendin tonë?! Ata, kryesisht e veçse për ligje janë aty”!

Drejtor Ekzekutiv

Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura