Analisti Fatos Lubonja e cilëson opozitën kontradiktore, pas pjesëmarrjes së sotme në seancën plenare në Kuvend, pas disa kohësh mosbindje civile.
Lubonja, në studion e emisionit “Open” në News24, u shpreh se nga opozita priste përshkallëzim të mosbindjes civile, jo pjesëmarrje normale në Kuvend.
Ndër të tjera tha se opozita është e dobët, jo vetëm nga përgjegjësitë që kanë vetë, por nga mazhoranca, ku sipas Lubonjës, ia ka hequr të gjitha instrumentet duke e shndërruar në fasadë.
“Duket sikur futja në Parlament do ta zgjidhë problemin, ndërsa mosbindja jo. Ne e dimë çfarë ka ndodhur. Ata vetë vulosin dhe vetë firmosin dhe mosbindja civile ka qenë kundër kësaj arrogance. Pra të tregojmë dhëmbët se këta me rrugë kushtetuese funksionojnë. Tani kjo funksionoka në rrugë kushtetuese.
Është kontradiktore siç është opozita. Në një anë falsin për një gjyqësor të kapur, nga ana tjetër i thonë asaj shiko se ty të ka nxjerrë jashtë loje kjo gjykatë që ne nuk e besojmë në aspekte tjera.
Kontradiksioni për mua vjen nga pafuqia. Pafuqia nuk mendoj se është se vjen thjesht ngaqë është e dobët opozita, por sepse është ndërtuar një regjim që ia ka hequr të gjitha instrumentet. Ndonjëherë bëjnë fasadë, e ndonjëherë revolt. Ne prisnim që të përshkallëzohej, jo të shkonin në parlament. Kjo është pafuqi. Ka përgjegjësitë e veta dhe opozita për këtë lloj pafuqie, por kryesorja është se është ndërtuar një regjim”, tha Lubonja.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al