Opozita mbylli mbrëmë protestën triorëshe duke goditur institucionet me molotovë. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka u shpreh se ishte dita e parë e mosbindjes civile teksa shtoi se revolta e qytetarëve do të vazhdojë.
Pas përfundimit të protestës së opozitës, Noka është shprehur se kjo mosbindje civile nuk do të ndalojë deri në përmbushjen e synimeve të tyre.
“Ishte dita e parë që mosbindja civile zbriti në rrugët e Tiranës. Regjimi i narkos i tërbuar sot mori një mesazh. Mesazhi ishte: Jepni zgjidhje kërkesës së qytetarëve, qeverisë teknike, ndryshe narkosi në pushtet nuk do të ketë paqe asnjëherë. Sot e kuptuan se beteja me qytetarët nuk fitohet as me gaz dhe as me dhunë. Ne do të jemi këtu të vazhdojmë mosbindjen civile derisa synimet tona të arrihen. Narkosi duhet të largohet dhe t’i hapë rrugë një qeverie teknike. Sot nisëm nga parlamenti në rrugë. Për çdo hap tjetër do t’ju njoftojmë. Ne do të jemi në mosbindje civile. Ata janë duke u dridhur, të tërbuar sepse forca e qytetarëve iu ka kallur datën. I gjithë shteti në panik, revolta do të vijë duke zier. Kjo është revoltë, hapi i parë i mosbindjes civile. Ne do të jemi në aksion. Do ju njoftoj për çdo gjë”, – deklaroi Flamur Noka.
Opozita protestoi dje për 3 orë kundër qeverisë Rama, duke nisur kështu ditën e parë të mosbindjes civile, siç e konsideroi edhe sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka. Protesta nisi fillimisht përpara Kryeministrisë, aty ku protestuesit hodhën molotov. Më pas, turma e njerëzve e udhëhequr nga drejtuesit e Partisë Demokratike u zhvendosën edhe drejt Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës e Parlamentit, ku u hodh molotov. Sulmit nuk i shpëtoi as selia e Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Protesta që nisi në orën 18:30 dhe përfundoi në 21:30, kishte si kryefjalë krijimin e një qeverie teknike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Për shkak të hedhjes së molotovëve, Policia e Shtetit njoftoi se 12 efektivë pësuan dëmtime. Protestuesit shkatërruan edhe reklamat e vendosura në rrugë. Bllokime pati edhe për dy autoambulanca, që nuk u lejuan prej protestuesve të kalonin. Ndërkohë, pas protestës, nëpër institucionet ku u hodh gaz lotsjellës, grupet hetimore të policisë nisën mbledhjen e provave materiale në vendngjarje. Ndërsa në afërsi të Bashkisë së Tiranës u sekuestruan rreth 15 shishe me molotovë të ndara në dy çanta.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda shkruan dhe në spitalin e Traumës në kryeqytet ku vizituan policët e lënduar sot gjatë protestës së opozitës. Drejt policëve, të cilët formuan kordonë sigurie përreth institucioneve të shënjestruara nga protestuesit është hedhur molotov, i cili dëmtoi disa prej tyre. Raportohet se të lënduar nga protesta mbetën 12 punonjës policie. Gjatë konfrontimit mes policisë dhe protestuesve u hodh edhe një sasi e konsiderueshme gazi lotsjellës.
Marshimi ne rruget e Tiranes dhe institucione
Protestuesit u mblodhën fillimisht në oborrin e selisë blu dhe më pas u zhvendosën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë. Pa fjalime dhe tribuna, opozitarët e zhvendosën aksionin e tyre edhe në institucionet e tjera dhe disa akse rrugore. Objektiv i protestuesve ishte Kryeministria, Ministria e Brendshme, Bashkia e Tiranës dhe Parlamenti, Payari i ri dhe selia e PSsë. Me thirrjet “Rama ik” dhe “Poshtë komunizmi”, protestuesit të udhëhequr nga Flamur Noka dhe Gazment Bardhi u larguan nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku hodhën molotovë dhe u përplasën me policinë. Policia bëri thirrje për ndalimin e dhunës, teksa protestuesit demokratë nuk i ndalin molotovët dhe thirrjet “Rama ik”.
Eksponentë të shumtë të PD paralajmëruan me bindje se me mazhorancën “nuk ka më kompromis politik” dhe se mosbindja civile do të vijojë deri në krijimin e një qeverie teknike. Është kjo kërkesa kryesore e demokratëve para zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës. Për mbarëvajtjen e saj dhe garantimin e sigurisë, policia aktivizoi në terren rreth 1 mijë e 200 forca. Kjo masë vjen pasi organizatorët kishin paralajmëruar se gjatë protestës do të synohet të bllokohen disa akse rrugore. Opozita kërkoi leje në polici për 4 orë tubim përpara Kryeministrisë.
Protesta nisi në orën 18:30 para Kryeministrisë ku hodhën disa molotovë dhe tymuese dhe në një moment u përplasën me policinë. Një molotov ra drejt kordonit policor duke rrezikuar jetën e dy prej tyre. Me skafandër policët arritën ta shmangin ndërsa lënda shpërtheu para tyre. Më pas turma e protestuesve e drejtuar nga deputetët demokratë, Flamur Noka, Gazment Bardhi marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit’ për të vijuar drejt godinave të ministrisë, ku ndodhet dhe selia e PS-së. Protestuesit u zhvendosën nga Kryeministria për në selinë e Partisë Socialiste, ku menjëherë hodhën molotov në drejtim të ndërtesës. Si pasojë e flakëve, zjarri përfshiu banderolën me figurën e Kryeministrit Rama në fasadën e selisë. Edhe përballë selisë së PS u ndoq i njëjti skenar duke hedhur gurë dhe molotovë.
Ndërkohë që të pranishëm ishin edhe efektivët e policisë të cilët u vendosën para selisë për të mos lejuar hyrjen e protestuesve. Tensione dhe përplasje pati mes protestuesve dhe policisë. Si pasojë e molotovëve mori flakë fasada e selisë së PS. Protesta u udhëhoq nga Flamur Noka dhe Gazment Bardhi. Pas selisë së PS, ata u zhvendosën para Ministrisë së Brendshme ku sërish hodhën molotovë. Pas selisë së PS-së dhe Kryeministrisë, protestuesit hodhën molotov drejt godinës së Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës. Gjithashtu, disa të rinj i janë afruar derës së Ministrisë së Brendshme ku kanë tentuar që të hyjnë brenda, por pa sukses. Pas hedhjes së molotovëve në drejtim të godinës së PS-së, uniformat blu shpërndanë protestuesit duke përdorur gaz lotsjellës.
Nga aty protestuesit u zhvendosën para Bashkisë së Tiranës ku u përplasen me policinë. Një nga bombat molotov të hedhura nga protestuesit rrezikoi jetën e një efektivi, i cili është përfshirë nga flakët. Protestuesit goditën me sende të forta policinë, ndërsa hodhën bomba molotov në drejtim të godinës. Më pas protestuesit marshuan drejt godinës së parlamentit ku dhe u shpërndanë me gaz lotsjellës. Pastaj marshojnë drejt Pazarit të Ri. Gjatë gjithë rrugës ata dogjën stacione autobusi, në një rast dogjën kazanët e plehrave ndërsa thyen dhe xhamat e reklamave.
Policia disa herë u bëri thirrje me megafon. “Ndaloni sulmin me mjete piroteknike në drejtim të policisë”, dëgjohej thirrja me megafon. Protestuesit drejtohen nga deputetët e PD-së si Flamur Noka, Luçiano Boci. Ndërsa i janë bashkuar protestës dhe Monika Kryemadhi, Ilir Meta, Vangjel Dule e Nard Ndoka. Kjo protestë u thirr nga PD më datë 29 shtator 2024, 3 ditë pas dënimit me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit për ish-deputetin Ervin Salianji. Ky vendim gjyqësor për opozitën ishte ‘krejtësisht politik’ dhe siç pretendojnë ata ishte ‘goditja’ e fundit pas një sërë përpjekjesh të PS-së për të asgjësuar PD-në. Kreu i demokratëve Sali Berisha e ka cilësuar 7 tetorin ditën e paralajmëruar prej kohësh, kur PD i jep përgjigjen e merituar kapjes së shtetit dhe sistemit të drejtësisë./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al