Opozita protestë më 29 tetor, paralajmëron Berisha: Do të jetë data e paralizës së plotë të Shqipërisë dhe dita e mosbindjes së madhe civile

Oct 21, 2024 | 19:47
SHPËRNDAJE

Pas njoftimit se më 29 tetor do të zhvillojnë protestë në rang vendi, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zbuluar edhe skenarin.

berisha

Gjatë fjalës së tij nga dritarja e banesës, Berisha u shpreh se 29 tetori do të jetë data e paralizës së plotë të Shqipërisë, duke nënkuptuar bllokim të rrugëve.

Gjithashtu tha se 29 tetori do të jetë mosbindja më e madhe civile.

Miqtë e mi!

Sot kryetari i Partisë së Lirisë, nga një grup terroristësh me uniformë, u rrëmbye brutalisht, u zvarrit, u qëllua tek kthehej në detyrë, tek vinte në Tiranë në detyrë, vetëm e vetëm që Edi Rama të shfryente urrejten e tij.

Vetëm e vetëm të realizonte ëndërrën e tij për shkatërrimin e një partie opozitare.

Vetëm e vetëm të mund të mbulonte sadopak varret që kanë hapur deputetë e tij, krimet që ka kryer ai me deputetë e tij.

Vetëm e vetëm që të arkivonte sado pak, ta mbulonte sado pak, Çyrben e tij, këtë kriminel që fshihte dhe mbronte Altin Hajrin, njeriun që copëtoi trupin e një burri dhe që gjeti përgjegjës kopshtarin pa asnjë lidhje.

Miqtë e mi!

Koha sot më shumë se kurrë thërret guximin e çdo shqiptari.

Koha sot më shumë se kurrë trimërinë e çdo shqiptari.

Koha sot më shumë se kurrë na fton në betejë.

Data 29, data e paralizës së plotë të Shqipërisë.

Qytetar dhe qytetare, derdhuni në rrugë, dilni në rrugë.

U tregoni kriminelëve të pushtetit se rrugët janë tuajat, se Shqipëria është e juaja.

Se fati është në duart tuaja.

Ndaj dhe data 29, dita e mosbindjes së madhe civile, dita e vazhdimit të betejës.

Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë.

Fitore, fitore, fitore”, tha Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura