“Qeveria shqiptare ka prezantuar një projektligj për një marrëveshje kontestuese me Italinë për të trajtuar bashkërisht disa kërkesa për azil të emigrantëve që mbërrijnë në Itali nga deti Mesdhe”, e nis artikullin e saj prestigjozja amerikane ‘Washington Post’.
Në shkrimin e saj, ‘Washinton Post’, thekson përplasjet e opozitës shqiptare si dhe asaj italiane me qeveritë përkatëse lidhur me këtë pakt.
Ndërkohë, po ashtu pasqyrohet edhe kërkesa e organizatave shqiptare, për tërheqje nga ky plan, si dhe nënvizohen kritikat se si kjo marrëveshje mund t’i kthehet kundër Tiranës, e cila aspiron për anëtarësim në BE.
Artikulli i plotë:
Në fillim të këtij muaji, kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni njoftuan një marrëveshje pesëvjeçare në të cilën Shqipëria ka rënë dakord të strehojë deri në 36,000 emigrantë në vit, ndërsa Roma shpejton kërkesat e tyre për azil në Itali.
Projektligji i Shqipërisë do të votohet në parlamentin prej 140 vendesh ku socialistët qeverisës të Ramës kanë 74 mandate. Ndonëse ende nuk dihet se kur do të votojë Parlamenti.
Opozita shqiptare është kundër planit, ndërsa shqiptarët janë të përçarë. Rama e konsideron marrëveshjen si një gjest reciprok ndaj Italisë, e cila në vitin 1991 priti mijëra shqiptarë që ikën nga varfëria pas rënies së komunizmit.
Komisioni Evropian ka kërkuar më shumë detaje. Marrëveshja është kritikuar nga organizatat e të drejtave dhe grupet e tjera dhe mund të rezultojë kundër Shqipërisë, pasi ajo aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Partitë opozitare të krahut të majtë të Italisë protestojnë kundër marrëveshjes.
Italia është zotuar të paguajë për ndërtimin e dy qendrave që mund të mbajnë deri në 3000 emigrantë në të njëjtën kohë. Meloni ka thënë se pret që ato të bëhen funksionale pranverën e ardhshme.
Shqipëria ofron dy lehtësira duke përfshirë portin e Shëngjinit, një pikë turistike rreth 75 kilometra (46 milje) në jug të kryeqytetit, Tiranës. Ata që do të deportohen do të dërgohen në Gjadër pranë portit të Shëngjinit, në një ish-aeroport ushtarak.
Shqipëria do të merret me sigurinë e jashtme për dy qendrat, të cilat do të jenë nën juridiksionin italian.
Italia ka rënë dakord të largojë personat, aplikimet e të cilëve për mbrojtje ndërkombëtare do të refuzohen, por marrëveshja nuk përshkruan se si do të riatdhesohen, që shpesh është një proces i gjatë dhe i vështirë.
Marrëveshja gjithashtu nuk thotë nëse emigrantët do të kontrollohen për t’u transferuar në Shqipëri në det apo në tokën italiane.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al