NGA ILIR CENOLLARI
Interesi i lartë i autorëve të vjetër për luginën e Vjosës, Vlorës, Osumit, etj., nuk është rastësi. Falë këtij interesimi kemi dëshmi të shumta dhe përshkrime interesante historike nga autorë të vjetër e të rinj. Në këtë luginë lokalizohen disa nga mitet më të lashta të njerëzimit, si fisi i titanëve (në antikitet i atintanëve), kulti i diellit dhe Apollonit, miti i Geryonit, Herkulit, Belerefonit, Aniusit, Glaukut, Fusha Erithia, Hadi, Persefona etj.. Një nga këto pasuri kulturore është Nymfeu i Selenicës, “një nga mrekullitë e Shqipërisë së lashtë”. Toponimi i sotëm Frakull është dëshmi e ekzistencës së këtij orakulli dhe tempulli të lashtë. F. C H. L. Pouqueville në librin “Voyage dans la Grèce”, vëllimi 1, faqe 273-274, pohon se në Selenicë të Vlorës fshatarët më thanë se gjatë gjithë natës mbi tokë fërfëllon një flakë e kaltërreme.
Kjo dëshmi përputhet me dëshmitë e autorëve të vjetër, të cilët tregojnë vëmendje të madhe ndaj këtij fenomeni të rrallë natyror. Në shekullin V–III p.e.s., territori i luginës së Vjosës (Molosisë, Parauesë dhe Atintanisë) ka qenë në zotërim të mbretërve molosë. Tuqididi shkruan: “Në krye të molosëve dhe atintanëve ishte Sablynthi, tutor i mbretit Tharypa, që ishte ende fëmijë…”.[1] Më pas lugina e Vjosës e bë objekt i rivalitetit mes mbretërisë maqedone dhe molose dhe ra përkohësisht nën zotërimin e Aleksandrit IV, vëllait të Antipatrit II, i cili kërkoi ndihmë mbretit Pirro të Epirit kundër armiqve të vet, por Pirroja i vendosi si kusht rikthimin në e qytetit të Nymfeut, e Atintanisë, e Atamanisë, bregdetit të Maqedonisë nga ana e Selanikut, Ambrakisë, Amfilokisë dhe Akarnanisë. Interesi i Piros së Epirit për Nymfeun e Selenicës shpjegohet jo vetëm me interesa politike, por edhe me lidhje shpirtërore.
Piro e Epirit kaloi fëmijërinë në këto vise, në oborrin e mbretit Glauku, deri sa u bë 12 vjeç, më pas u martua me një nga vajzat e tij. Plutarku te “Jeta e Syllës” shkruan: “Pranë Apollonisë ndodhet një vend i shenjtë, i quajtur Nymfeum, i cili ndodhet në mes të një lugine me lëndina të bukura. Vendevende aty buisin burime zjarri që rrjedhin vazhdimisht. Pikërisht aty, Syla takoi një satir të përgjumur, që ngjante me një skulpturë ose pikturë. Ai u përpoq të merrej vesh me satirin me ndihmën e disa përkthyesve, por me gjithë përpjekjet, ai nuk dha asnjë përgjigje të kuptueshme dhe të qartë. Zëri i tij ishte një klithmë e egër dhe e ashpër, si hingëllima e kalit ose vërritja e cjapit. Syllën e zuri tmerri dhe ia mbathi”. Përse u soll në atë mënyrë satiri vendës? Me se shpjegohet zemërimi i tij? Këtë s’mund ta dimë! Eliani dhe Dion Cassius (lib. XL), historianë romakë, pohojnë të njëjtën gjë, bitumi përzihet me squfurin dhe kundërmon erë të keqe.
Dion Kasius përshkruan hollësisht Nymfeun dhe qytetin e Apollonisë, të cilët ndodhen në një vend të begatë (pozita gjeografike), që ka det, tokë të mirë dhe lumenj. Më pas shton: “Po përmbi të gjitha unë kam admiruar lumin Anas (Vjosë), që rrjedh pa ndërprerje nga burimet e zjarrit që nuk shkaktojnë fare dëme, madje as barin nuk e thajnë. Përkundrazi, gjithë ky vend është i gjithi i bleruar dhe me pemë e bimë të shëndetshme, që shirat dhe ujërat i ushqejnë dhe u japin jetë. Për këtë arsye, këtë vend e quajnë Nyfeum. Aty njerëzit hedhin orakuj me anë të një esence, nëse lëngu merr flakë, dëshirat plotësohen, në të kundërt jo”.
Aristoteli (384–322) kur përmend qytetin e Apollonisë, thekson se Nympheu është i mbuluar me flakë zjarri dhe ndodhet afër me atintanët dhe apollinatët. Në librin “Demirabilbus ascultationibus” (Mbi mrekullitë e dëgjuara” filozofi i madh shkruan: “Thonë, se në Atintani, pranë kufijve të tokave të Apollonisë ndodhet një shkëmb, nga i cili nuk duket se del zjarr i vërtetë, por ndizet duke i hedhur vaj”.[2] Hasan Ceka shprehet se ekzistojnë dy qytete me emrin Nymfeu, jo larg njëritjetrit: njëri në Selenicë të Vlorës dhe tjetri në Frakull të Fierit. Theopompi (II, 96; III, 26), dëshmon: “Krateri i Nymfeut rri gjithmonë i ndezur, pranë tij ndodhet një burim me ujë të ftohtë, i cili paralajmëron apolloniatët fqinjë, për fatkeqësitë që do t’i kërcënojnë.
Kur bie shi, flakët rriten më tepër dhe vjellin ujë të përzierë me bitium duke e bërë ujin të papijshëm. Duhet thënë se bitumi i Nymfeut është më i lëngshëm se bitumi i vendeve të tjera”. Plini ka shfrytëzuar veprën e Theopompit të Hios.[3] Shenjtërimi i Nymfeut lidhet me një dukuri natyrore, me shenjtërimin e zjarrit; çlirimi i hidrogjenit të karbonit dhe gazit natyror shkaktonte flakë të mëdha zjarri pa dëmtuar gjelbërimin. Me këtë dukuri shpjegohet habia e autorëve të vjetër për Kroin e Dodonës me dy çurga, njëra ndez pishtarin e fikur dhe tjetra e shuan! Pranë burimit shërbenin tre shenjtorët ose profetët e orakullit, tre nimfat e burimit (më herët nuset) nga mori emrin Nymfeu i famshëm. Avujt apo gazrat e burimeve shkaktojnë delir, ekstazë, frymëzime profetike, duke rritur fantazinë e profetëve, por edhe duke bërë mrekulli, shëruar të sëmurët etj.!
Në librin “Historia Filipike” Theopompi flet për mrekullitë e natyrës, si mësojmë nga një burim i tërthortë (Apollonius Dyscole), ndër të tjera edhe për kroin e Dodonës dhe vetitë e tij çudibërëse. Plini i Vjetërpërmendfiset epirote të bulinëve, amantëve, kaonëve, thesprotëve, antigonëve, kestrinëve, perrebëve të Pindit, kasiopëve, dryopëve, sellëve, hellopëve dhe molosëve, duke veçuar malin Tomare, me 100 burimet që rrjedhin në shpat të tij, mal i lavdëruar nga Theopompi. Po sipas Plinit (Libri XVI, faqe 577) Theopompi shkruan se tek apolloniatët gjendet serë fosilesh po aq cilësore sa ajo e Maqedonisë (Libri XXXV, 51). Pra, është e qartë se Theopompi përcjell një dëshmi të drejtpërdrejtë. Theopompi i Hios, gjysma e dytë e shekullit të IV p.e.s., pasues i Tuqididit, ka hartuar edhe një libër për historinë e Epirit, por fatkeqësisht mendohet se vepra e tij ka humbur. Vepra e këtij historiani të shquar është shfrytëzuar nga autorë të tjerë të mëvonshëm, të cilët kanë dhënë fragmente, të dhëna, episode nga veprat e tij. Theopompi sipas Strabonit numëron 14 fise epirote: Thesprotët, kasopët, prasaibët, amfilohët, athamanët, ethikët, tymfejtë, orestët, parauejtë, atintanët, antigonët, kestrinët, perrebejtë, dryopët. Plini i Vjetër thotë se pas Apollonisë vjen Nymfeu i famshëm, ku banojnë barbarët amantë e bulionë. Ndërsa Apiani i Aleksandrisë, shekulli i parë, në “Illyrike”, 4 shkruan: “Helenët quajnë ilirë ata që banojnë mbi Maqedoninë e Trakinë, që nga kaonët e thesprotët deri te lumi Istër”.[4]
Pausania, autor helen i shekullit II të erës sonë, pasi njehson thesprotët me kaonët thekson se kaonët janë barbarë. Mirëpo kaonët janë edhe epirotë! Rrjedhimisht të gjitha fiset epirote janë barbare. Kaonët janë edhe ilirë, rrjedhimisht të gjitha fiset epirote janë ilire. Çfarë gjuhe flasin banorët e këtij rajoni? Padyshim gjuhën shqipe! Sylla përdori përkthyesit për të kuptuar të folurën e satirit vendës. Është po kjo gjuhë që hyjnizoi Akilin duke e quajtur “aspetos”, po sipas Plutarkut. Këto detaje shpesh kalohen në heshtje ose nuk u jepet rëndësi, por ato flasin shumë dhe shprehin thelbin e problemit.
[1] Ceka Neritan, “Ilirët”, faqe 45-46
[2] Aristoteli, libri “Demirabilbus ascultationibus” (Mbi mrekullitë e dëgjuara”, citim nga Zeqo Moikom, “Panteoni ilir”, faqe 160.
[3] Sipas Plinit (Historia natyrore, Libri II, faqe 147. Shtëpia botuese J. J. DUBOCHET, LE CHEVALIER ET COMP., ÉDITEURS, BUE BICHELTEC, PARIS, N 60. Libri IV, faqe 183, viti 1848. Plini shkruan: “L’Épire, dans une désignation générale, commence aux monts Acrocérauniens. Elle renferme d’abord les Chaoniens, d’où vient le nom de Chaonie, les Thesprotes, les Antigoniens, le lieu Aornos, avec ses exhalaisons fatales aux oiseaux; les Cestrins, les Perrhèbes, chez lesquels est le Pinde; les Cassiopéens, les Dryopes, les Selles, les Hellopes, les Molosses, où est le temple de Jupiter Dodonéen, célèbre par son oracle; le mont Tomare, avec les cent sources qui jaillissent à sonpied, mont vanté par Théopompe”.
[4] Apiani, “Illyrike”, 4
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al