“Pa gjuhë arabe”- Përpjekje për të kuptuar Lëvizjen e Deçanit! Pedagogu Vesel Leka: Një grup imamësh filo-arabë donin të ndërtonin një xhami në një lagje katolike të fshatit! S’e lejuam

Oct 18, 2024 | 12:57
SHPËRNDAJE

NGA ALBERT P. NIKOLLA/ Në Shqipëri ka pasur dhe ka një mosnjohje të thellë të realiteteve kulturore, sociale dhe politike të Kosovës. Shumë analistë dhe intelektualë në Shqipëri vazhdojnë të ndikohen nga disa paragjykime të rreme mbi Kosovën që nisin nga “maloku” deri te “mafiozët e viteve ‘90″, që vinin në Shqipëri për biznese jo të denja. Këto e shumë klishe të tjera e shikojnë “kosovarin” si një shqiptar ndryshe, që nuk duhet marrë në konsideratë përveçse kur vjen si turist që na jep mundësi fitimi.

MixCollage-18-Oct-2024-12-55-PM-749

Sigurisht, është një mendësi që po vjen duke u zbehur pasi rinia shqiptare, në dy anët e kufirit, është e zhveshur nga këto paragjykime dhe po krijon një kulturë të re mbi identitetin shqiptar që nuk bën dallime midis “kosovarit” dhe “shqiptarit”, por i sheh të dy thjesht si shqiptarë.

Në këtë vorbull identitetesh të vërteta, të rreme, në lëvizje, në krijim sipër, kohët e fundit në Shqipëri u shfaqën në media disa artikuj mbi një lëvizje që vinte nga zona e Deçanit në Kosovë, e cila po krijonte pështjellim në disa mjedise kulturore e fetare atje. Siç e përmenda edhe më lart, mendësia e paragjykimeve vijoi edhe në qasjen ndaj kësaj Lëvizjeje. Disa autorë shkrimesh të cekëta dhe pa thelb filluan ta përshkruajnë Lëvizjen si përçarëse apo vëllavrasëse midis shqiptarëve. Një ish-ambasador që mban shënime me “bllok diplomatik” kishte “prova” se lëvizja po financohej nga shërbimet sekrete serbe dhe greke. Kaq i cekët në mendime ish-ambasadori, saqë bashkonte në këtë koordinim të gjitha shërbimet sekrete të Ballkanit, të cilat mezi paskan pritur të krijohej kjo Lëvizje e të nisnin menjëherë financimet me qëllimin, sipas tij, që shqiptarët të përçahen nga kjo Lëvizje “fundamentaliste”. E çuditshme dhe e pakuptueshme se si persona të tillë kanë arritur pozicionin e lartë të ambasadorit në shërbimin diplomatik shqiptar! Kaq absurd e dashakeq duket qëndrimi i tij, saqë shikon të përfshirë në këtë “plan diabolik për përçarjen e shqiptarëve”, edhe shtetin shqiptar si bashkëpunëtor të këtij plani!

56365e98-3e57-435c-8374-d37bc5101ccc

Kur u njoha me gjithë këtë rrëmujë mbi këtë Lëvizje, vendosa që të mos ndikohem nga asnjë prej shkrimeve të shtypit të Kosovës, aq më pak të Shqipërisë, por të bëja një ekspeditë studimore në zonën e Deçanit dhe në Prishtinë me qëllimin për të kuptuar nga afër se çfarë ishte në realitet kjo Lëvizje e për të kontribuar me një qasje të re sa më afër të vërtetës në opinionin publik mbi të.

Kalova tri ditë me kontakte, vizita dhe intervista ne qytetin Deçanit dhe rrethinat duke u takuar njerëz që kishin njohuri më të thella mbi Lëvizjen. Takimi i parë ishte me dy historianë me të cilët njihemi prej vitesh dhe që vijnë nga një zonë në afërsi të Deçanit. Z.O më pohoi sa më poshtë:

“Deçanasit janë njerëz shumë krenarë. Dallohen paksa nga pjesa tjetër e Kosovës për një identitet të fortë dhe atdhedashuri të pakufi. Janë edhe fort të guximshëm. Ka qenë një nga zonat me pjesëmarrjen më të lartë dhe me numrin më të madh të dëshmorëve në luftën e UÇK-së. Besoj se aty zë fill kjo Lëvizje – për faktin që përmenda më parë – se identiteti i tyre është jashtëzakonisht i fortë dhe nuk kanë duruar fyerjet që disa imamë u kanë bërë figurave kryesore të identitetit shqiptar që prej vitesh. Nëna Terezë është quajtur kurvë, prostitutë dhe e përdalë nga këtë imamë. Skënderbeu është quajtur një kriminel antishqiptar, i cili ka vrarë myslimanë. Fakti që nuk kishte asnjë ndërhyrje nga asnjë prej autoriteteve politike e publike ndaj këtyre fyerjeve, sipas nesh ka krijuar njëfarë reagimi njerëzor në heshtje, por që me kalimin e kohës ka shpërthyer si reagim”.

Nisur nga kjo ide fillestare e krijuar nga biseda me miqtë e mi, fillova udhëtimin drejt Deçanit me shpresën se do të takoja edhe njerëz të zakonshëm që mund të bisedonin lirshëm me mua. Në një bar, bash në qendër të qytetit, pyetjes sime se çfarë është Lëvizja e Deçanit, një kamerier me emrin Ruzhdi, iu përgjigj:

25dbe4e9-b97f-417c-8bcb-cf52c031824a

“Lëviza e Deçanit është lëvizje për liri! – Po Kosova është e lirë dhe lufta ka mbaruar tash 25 vite, – i thashë! – Ka gjithfarë pushtimesh në një vend, jo veç me ushtarë, zotëri – më tha. Unë jam mysliman shqiptar tash 5 breza, por kurrë nuk kam parë as unë, as të parët e mi një grua të mbuluar krejt ku nuk i duken as sytë, as fytyra. Unë e dua fenë time, por jo fenë arabe. Unë e dua fenë shqiptare dhe jo fenë arabe”.

Besoj se nuk e kishte shumë të qartë se çfarë është feja, por një gjë e kishte krejt të qartë: donte që çdo element i saj të kishte veçori shqiptare.

Përtej këtij fakti, me aq sa e njoh realitetin kulturor në Kosovë, besoj se ekziston një shtysë e fortë shpirtërore drejt qytetërimit evropian për shumë arsye, por edhe për emigrimin masiv të shqiptarëve të Kosovës drejt vendeve perëndimore qysh prej kohës së komunizmit në Jugosllavi. Ushtrimi i fesë, edhe kur nuk është në përputhje të plotë me doktrinën, është i lidhur me fenë si mbartëse kulturore. Por, krahas kësaj shtyse, ka edhe një dukuri që paraqet interes antropologjik: forcimi i një krahu të skajshëm me ngarkesë të fortë kulturore arabe ndër disa grupe besimtarësh myslimanë në Kosovë. Duket sikur është pikërisht agresiviteti i kësaj rryme me thirrje të fortë arabe që ka nxitur reagimin dhe formësimin e Lëvizjes së Deçanit.

Vesel Leka, pedagog në Kroaci, është njëri nga nismëtarët e kësaj lëvizjeje dhe pata mundësinë të kem një bisedë me të falë të njohjes që kisha me disa të afërm të tij në Gjakovë. Pyetjes sime se cila ishte shkëndija e parë që shkaktoi nisjen e lëvizjes së vjeshtës së kaluar, ai iu përgjigj:

“Bash ngjarja që krijoi një reagim të fortë timin dhe disa miqve të mi që u bëmë nismëtarë të kësaj lëvizjeje, ishte insistimi i një grupi imamësh filo-arabë që donin të ndërtonin një xhami në një lagje katolike të fshatit. Reagimi ynë bëri që të mos lejoheshin. Ky fshat ka edhe një simbolikë të fortë kulturore për ne banorët e Kosovës, sepse aty e ka zanafillën edhe Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve. I njëjti grup që donte xhaminë në Lumbardh, donte të ndërtonte një xhami edhe pranë Manastirit të Deçanit. Unë jam i mendimit se të dyja fetë, si ajo islame në versionin radikal arab dhe kahu radikal i kishës ortodokse serbe nuk kanë qëllime të mira ndaj popullit tonë.”

c134fc72-12d3-4af8-83c2-e7b970ba22e1

Teksa bisedoja, doja të kapja thelbin e qëllimit të nismëtarëve dhe e pyeta nëse është feja argumenti rreth të cilit sillen dinamikat e Lëvizjes. Përgjigja e Vesel Lekës ishte se edhe feja luan rol, por kryesori është moscenimi i identitetit shqiptar. Ai pohon se nuk është vetëm feja ajo që na bën të nxisim e të mbështesim këtë Lëvizje, por dashuria për Atdheun.

“Ne para Atdheut nuk vendosim asnjë fe, – vijon ai, – dhe ne nuk do të donim asnjë fe jashtë karakterit shqiptar. Kërkojmë po ashtu që udhëheqësit fetarë të të gjitha feve të jenë shqiptarë”.

Nga bisedat e bëja edhe me persona të rastësishëm në Deçan kuptoja një fill që i përmbledh të gjitha idetë e ndryshme që përcillte Lëvizja: ne jemi myslimanë dhe katolikë, por duam që fetë tona të mos jenë në presionin e rrymave ekstremiste.

Teksa ecja në rrotull qendrës së Deçanit, pyeta një të moshuar se ku është xhamia pasi doja ta vizitoja, ai m’u përgjigj: ”A pe don me shku te xhamia e mjekroshave apo e atyne pa mjekrra?” Mbeta paska i habitur dhe i thashë se doja t’i vizitoja të dyja xhamitë edhe në shenjë respekti për të dyja si objekte kulti. Më tha: ”Kjo këtu 50 metra lart është ajo e mjekrroshave, kurse në rrugën që shkon për Gjakovë, pas 200 metrash ke xhaminë e fshatit që ka qenë këtu prej motmotit”.

Në të dyja xhamitë takova vetëm ndonjë roje a punëtor me të cilët u përshëndetem ngrohtësisht, por xhamitë ishin të mbyllura dhe ishte e pamundur vizita. Më thanë të shkoja në orarin e takimit të librarisë islame.

Pas shumë takimesh u përpoqa të kuptoj pikësëpari shqetësimin që kanë nismëtarët, por edhe faktin se disa prej tyre nuk ndajnë mendime të përbashkëta për sa i përket qëllimeve të Lëvizjes. Disa prej tyre kërkojnë që banorët e Deçanit të pagëzohen e disa të tjerë janë të tërhequr kundrejt një – jo fort mirë të përkufizuar – “feje shqiptarie” që e konceptojnë si kundërpeshë ndaj islamit në versionin e tij të tej shquar arab.

Haliti, banor i Deçanit, më thotë se Atdheu është dhuratë e Zotit, ndërsa feja zgjidhet. “Unë, – më pohon, – jam mysliman, por nga brezi i pestë dal katolik, ndaj për mua feja më e rëndësishme është dashuria për Kosovën dhe shqiptarinë pa gjuhë arabe në predikim të xhamisë.” Më tej vijon i shqetësuar duke pohuar se është ndjerë shumë i fyer kur kishte dëgjuar se në xhaminë afër qendrës së Deçanit një imam i cili kishte thënë se gjuha shqipe është haram në xhami(!)

857355a9-bbda-4698-8d55-2c3a5ecf752e

Arsim Beqiri, së bashku me vëllezërit e tij, janë ndër sipërmarrësit më të fuqishëm të Gjakovës dhe pronarë të hotelrestorantit “Liqeni i Dukagjinit”. Arsimi është një nga nismëtarët dhe mbështetësit kryesorë të Lëvizjes. Në hollin e restorantit shfaqet një portret i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai dhe vëllezërit e tij njihen nga e gjithë Gjakova dhe Kosova si atdhetarë të flaktë dhe mbështetës të identitetit shqiptar me simbolikë zanafillore te Skënderbeu kundër çdo ndërhyrjeje apo fyerjeje ndaj heroit tonë kombëtar.

“Skënderbeu për ne, – më thotë Arsimi, – është kusht themeltar i shqiptarisë. Nuk pranojmë në asnjë mënyrë fyerjet që vijnë në drejtim të heroit nga disa imamë. Na akuzojnë ne për përçarje, por janë pikërisht ata që sulmojnë simbolet tona kombëtare, si heroin tonë apo Nanën Terezë dhe kështu që janë ata që dëmtojnë e përçajnë shqiptarët”.

Një ndër takimet interesante ishte me ish-këshilltarin e Presidentit Rugova, Sali Cacaj, i cili ka disa ide që përputhen me shpirtin e Lëvizjes për qëllimin kryesor të saj si mbrojtëse e identitetit shqiptar kundër fyerjeve arabe, por njëherazi nuk pajtohet me thirrjet për braktisjen e fesë islame.

“Unë, ashtu siç edhe e kam theksuar në disa sqarime publike, jam nismëtar dhe mbështetës i Lëvizjes, por nuk mbështes thirrjet për braktisjen e fesë islame. Sekush është i lirë të përqafojë atë fe që do, por jam kategorikisht kundër fyerjes që disa imamë i kanë bërë figurave kryesore të identitetit kombëtar. Kam shërbyer si këshilltar i Presidentit Rugova për shumë vite dhe formësimi im kulturor, politik e shpirtëror e ka një orientim të qartë e krejt e të dallueshëm: drejt qytetërimit evropian”.

Sali Cacaj, për përvojën dhe urtinë e tij, besoj se është një figurë shumë e rëndësishme për Lëvizjen dhe për orientimin e drejtë të saj jashtë ekseseve dhe për përfshirjen në Lëvizje të njerëzve vullnetmirë e jo ekstremistë. Ndër të tjera ai më thotë se kur shikon agresivitet nga imamët filo-arabë, i kujtohet projekti i nacionalistit famëkeq serb, Vasa Çubriloviçi, i cili pohonte se “shtyllën kurrizore të nacionalizmit shqiptar mund ta thyejë vetëm feja islame”.

Një nga takimet më mbresëlënës ishte ai me ish-luftëtarin e madh të UÇK-së Bekë Osmonaj, i cili është shquar në luftë për një trimëri të rrallë. Kur e pyes, veç të tjerave edhe për akuzat e shpifjet që i drejtohen Lëvizjes si e financuar nga shërbimet sekrete serbe, greke dhe turke, ai më thotë:

Unë kam luftuar kundër pushtuesit për një Kosovë të lirë dhe e kam pasur jetën shpesh në rrezik në beteja me gjakatarët serbë. Si mundet me imagjinu dikush se unë mund të pajtohem me paret e armiqve tanë shekullorë serbë. Lëvizja jonë nuk ka asnjë financim përveç ndihmës bujare që jep secili prej nesh. Këto shpifje për financime të huaja serbe më kanë lënduar shumë mua e miqtë e mi të Lëvizjes. Ne mbështetemi vetëm në vullnetin e dashurinë tonë për kombin shqiptar, asgjë tjetër veç kësaj.”

Ndërsa Saim Tahiraj, një tjetër nismëtar Lëvizjes pohon se kurrë më parë Kosova nuk ka qenë kaq e rrezikuar nga ndërhyrjet e misionarëve arabë, ndaj kjo ka shkaktuar një shqetësim të thellë te të gjithë qytetarët që e kanë për zemër identitetin e shqiptarinë.

“Kam qenë bashkëluftëtar përkrah Adem Jasharit qysh prej vitit 1991 dhe gjithë jeta ime prej asokohe ka veç një qëllim: dedikim me mish e shpirt për çështjen kombëtare e nuk mund të duroj teksa e shoh në Kosovë cenimin e ndjenjës sonë kombëtare.”

Është e vështirë që nëpërmjet një ekspedite të shkurtër në Deçan të kuptohen të gjitha dinamikat e Lëvizjes, por mund të them qartazi se ajo është, në thelbin e saj, një lëvizje që rrezaton dashamirësi e pasion për të mirën e Kosovës dhe për identitetin shqiptar në përgjithësi. Pra, shtysa e nismëtarëve të saj besoj se është krejt e ndershme e pa kurrfarë qëllimi të fshehtë apo kundër ndokujt. Është lëvizje pro dhe jo lëvizje kundër. Sigurisht brenda nismëtarëve dhe mbështetësve të saj ka persona që kanë ide të ndryshme se si mund të shprehet dashuria për shqiptarinë e për Kosovën dhe kjo vjen edhe nga përgatitja kulturore dhe përvojat profesionale dhe personale të secilit prej tyre.

Nga bisedat, kontaktet me njerëz të zakonshëm, me pedagogë, historianë dhe sociologë që nuk i përkasin Lëvizjes, kam kuptuar një gjë të qartë: asnjë prej tyre nuk ka kurrfarë lidhje me shërbimet sekrete serbe, turke, greke dhe arabe. Akuzat për financime të tilla janë krejtësisht shpifje.

Sigurisht është një lëvizje në fillimet e veta dhe është në kërkim të një identiteti të qartë. Për këtë arsye, drejtuesit e nismëtarët e saj duhet të tregojnë urti e maturi që ky pasion i pashoq atdhedashurie të mos keqpërdoret nga askush dhe të jetë përherë në binarët e ligjshmërisë, Kushtetutës së Kosovë dhe Kartës së të Drejtave të Njeriut.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura