“Pacientët me SPOK, të rriskuar për sëmundje zemre, kancer dhe osteoporozë”/ Mjeku pneumolog Jul Bushati: Ja si mund të menaxhohen

Nov 24, 2019 | 9:10
SHPËRNDAJE

Vështirësi në frymëmarrje, kollë, prodhim të mukusit (pështymë) dhe marramendje, janë vetëm disa nga simptomat, me të cilat manifestohen sëmundjet pulmonare obstruktive kronike (SPOK), një term ky i cili përdoret për të përshkruar sëmundjet progresive të mushkërive, përfshirë emfizemën, bronkitin kronik dhe astmën refraktare kronike.

COPDOccHealth

“Emfizema është një zgjerim anormal i hapësirave ajrore distalisht të bronkioleve terminale me shkatërrimin të pareteve të tyre.

Ajri i vjetër grackohet në mushkëri dhe kështu zvogëlohet hapësira për futjen e ajrit të freskët të pasur me oksigjen. Ndërkohë, bronkiti kronik karakterizohet me kollë dhe gëlbazë për të paktën 3 muaj në vit për 2 vjet rresht. Bronkiti kronik është inflamacion i rrugëve bronkiale, si pasojë e inflamacionit në bronke prodhohet sasi e shtuar e sekrecioneve dhe me karakteristika jonormale, më viskoze, gjë që vështirëson eliminimin e tyre.

Sa i takon astmës kronike refraktare (joreversible), është një lloj astme që nuk u përgjigjet medikamenteve të zakonshme të astmës”, bën me dije mjeku pneumolog Jul Bushati. Sipas doktorit, me përcaktimin e saktë të diagnozës dhe trajtimin e duhur, mund të arrihet menaxhimi dhe të lehtësohet vështirësia e frymëmarrjes. Kështu, të sëmurët me SPOK mund të jetojnë për shumë vite dhe të gëzojnë jetën.

KOMPLIKIMET SPOK mund të shkaktojë shumë komplikime, duke përfshirë: infeksionet e frymëmarrjes, probleme me zemrën, hipertension dhe depresion. “Pacientët me SPOK kanë një risk të rritur për sëmundje koronare akute, osteoporozë, infeksione respiratore, kancer të mushkërive, diabetit, depresion, çrregullime të gjumit, glaukomë dhe anemi”, shton doktori. Kështu, njerëzit me SPOK kanë më shumë të ngjarë të preken nga gripi. Infeksion i frymëmarrjes mund ta bëjë frymëmarrjen shumë më të vështirë dhe mund të shkaktojë dëme të mëtejshme në indet e mushkërive.

Një vaksinim vjetor i gripit dhe vaksinimi i rregullt kundër pneumonisë mund të parandalojë disa infeksione. Nga ana tjetër, për arsye që nuk janë kuptuar plotësisht, SPOK mund të rrisë rrezikun e sëmundjes së zemrës, përfshirë edhe sulmin në të. Ndërprerja e duhanit mund të zvogëlojë këtë rrezik. SPOK, po ashtu, mund të shkaktojë presion të lartë të gjakut në arteriet që sjellin gjak në mushkëri (hipertension pulmonar) si edhe të rrisë rrezikun për shfaqjen e kancerit të mushkërive.

PARANDALIMI

Jul-Bushati

Në dallim nga disa sëmundje, SPOK ka një shkak të qartë dhe një rrugë të qartë parandalimi. Shumica e rasteve lidhen drejtpërdrejt me pirjen e duhanit dhe mënyra më e mirë për të parandaluar këto sëmundje është të mos pini duhan ose të ndaloni pirjen e duhanit. Nëse jeni duhanpirës prej kohësh, këto këshilla të thjeshta mund të mos duken aq të thjeshta, veçanërisht nëse keni provuar të hiqni dorë – një herë, dy herë ose shumë herë më parë. Por vazhdoni të përpiqeni të hiqni dorë.

Është thelbësore të gjesh një program të ndërprerjes së duhanit që mund t’ju ndihmojë të hiqni dorë, ky është shansi juaj më i mirë për të parandaluar dëmtimin e mushkërive. Ekspozimi në punë ndaj gazrave kimikë dhe pluhurit është një tjetër faktor rreziku për SPOK. Nëse jeni në këto kushte, bisedoni me mbikëqyrësit tuaj për mënyrat më të mira për të mbrojtur veten, siç është përdorimi i pajisjeve mbrojtëse të frymëmarrjes.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura