Akademiku Artan Fuga ka deklaruar se “Pakoja e madhe” e qeverisë në festat e fundvitit nuk është një dhuratë nga Kryeministri, pasi ato janë paratë që po merren nga taksat e qytetarëve dhe që kishte vlerën e dy netëve të festave.
Në emisionin “Kjo Javë” në “News 24” Fuga tha se termi i përdorur “pako”, është i gabuar pasi nuk bëhet fjalë për dhuratë, por grimca që kjo qeveri i ka dhënë me një plan strategjik. “Në tre nivele e kam parë, është zakon në komunikimin e qeverisë që një masë shoqërohet me një artikulim që krijon probleme. Nocioni ‘pako’ mua nuk më pëlqen fare, sepse ‘pako’ ka sensin e dhuratës dhe këtu nuk kemi të bëjmë me dhuratë por me paratë e shqiptarëve. Nuk ka asnjë dhuratë që vjen nga qielli dhe në një farë mënyrë infaktivizion hapësirën publike.
Janë terma që përdoren në Shqipëri, por janë metaforik, në formën e miteve. Edhe ana komunikatave fsheh ose zbulon diçka. Njerëzit marrin çdo gjë, ne marrim çdo gjë, sepse në atë vështirësi ekonomike që janë, qoftë dhe për të kaluar ato ditë festë. Unë them se ajo që është dhënë, është dhënë në ato nivele që kam parë, janë të mjaftueshme për të kaluar ato dy apo tre darka që bëjnë njerëzit, më shumë vlerë nuk ka. Unë nuk e shoh si forcim të fuqisë blerës, as rritje të mirëqenies po vetëm për dy darka më shumë, se kaq vlejnë ato. Duhet të dimë që politikat ekonomike për të rritur fuqitë blerëse të shqiptarëve, kërkojnë reformë të jashtëzakonshme dhe konceptim krejt tjetër nëse duam që Shqipëria të zhvillohet. Fakti që jepen me grimca, me pako, në kushtet e një situate ekonomike të rënduar mua më duket se në këtë plan strategjik nuk sjell asgjë”, tha Fuga.
ZGJEDHJA E KREUT TË SPAK
Sa i përket zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, Fuga thotë se sistemi i drejtësisë është ende në një situatë katastrofike. Ai tha se ende SPAK-u nuk është në fazën që të jetë krejtësisht i pavarur, pasi edhe fakti që është dashur ndërhyrja e ndërkombëtarëve, dëshmon se ende nuk është plotësisht i pavarur. “Nuk jam një njeri që kam interesimin për atë gjënë konkrete që ka ndodhur tek zgjedhja e kreut të SPAK-ut, por e shikoj në një pamje më të gjerë. Në çfarë situate ndodhet sistemi gjyqësor shqiptar? Ndodhet në një kontradiktë me dy anë të cilat është shumë vështirë të kombinohen dhe deri tani nuk kanë kombinuar dot.
Ana e parë është që reforma e 2016 tregoi pavarësisht se askush nuk e tha, as aleatët tanë ndërkombëtarë, se ne kishim dhe kemi një mungesë të madhe në ndarjen e pushtetit. Ndarje pushteti gjyqësor nga pushteti politik, ekzekutiv. Pra, ndarja e drejtësisë nga politika. U desh ndërhyrja e ndërkombëtarëve n ë2016 që të ndërmerrej një reformë në mënyrë që të bëhej nën ndikimin e faktorit të jashtëm sepse politika shqiptare kushte krijuar këtë simbiozë që e bënte gjyqësorin të mos vepronte në mënyrë të pavarur. Ana e dytë, kjo bëri që gjyqësori të funksionojë me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Kjo mbështetje nga jashtë vjen sepse sistemi politik shqiptar nuk krijon dot ndarjen e pushteteve.
Në momentin që faktori i jashtëm bën këtë çarje, ndodh që përsëri pavarësia e gjyqësorit në sytë e publikut nuk sigurohet, sepse krijohet një ndikim nga jashtë, që krijon probleme me kushtetutën dhe konceptet që kemi për sovranitetin. Kjo bën që SPAK të ndodhet brenda këtyre kontradiktave dhe të mos ketë mundësinë të veprojë lirshëm. SPAK ende ndodhet para pengesave politike që e bëjnë atë të mos e ketë të fituar atë kapacitet për të vendosur drejtësi dhe për të çuar para luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Jemi akoma në një situatë katastrofike pasi ka çështje që nuk shqyrtohen, ka vonesë, që do të thotë se një shoqëri që nuk jep drejtësi në mënyrë të shpejtë, është shumë e rëndë. Unë nuk e shikoj të lidhur vetëm me një person. Ka një problem sistemi, sepse reforma është e pambaruar, pasi duhet të funksionojë mirë i gjithë sistemi. Kjo nuk është një çështje e një personi të vetëm. Sistemi i drejtësisë akoma nuk ka fituar pavarësinë as nga politika dhe lobimet e ndryshme dhe ende nuk ka treguar që është i lirë në duart e veta për ta goditur korrupsionin në mënyrë të shpejtë, të besueshme, me prova duke vendosur drejtësinë dhe respektuar të drejtat e njeriut dhe fitojë besimin e publikut”, u shpreh ai.
ZGJEDHJET
Sa i përket zgjedhjeve lokale të 14 Majit, Fuga shprehet se opozita është forcuar por ka ende për të bërë pasi ka fokusuar vëmendjen deri tani tek kandidatët dhe nuk ka një platformë politike. “Opozita ka bërë disa hapa përpara në raport me gjendjen e një viti më parë apo gjendjen ku ishte ajo në 8 janarin e 2022. PD-ja e drejtuar nga Sali Beirsha ka një bazë juridike që nuk është përfundimtare, sepse pritet vendimi i apelit dhe unë aty mendoj do të ketë probleme. Është stabilizuar lidershipi dhe është stabilizuar lidershipi me elektoratin e PD-së. Forumet e PDsë funksionojnë sepse kanë bërë zgjedhje. Ka hapa përpara. Problemet që unë shoh e bën shumë të vështirë dhe të parashikuar betejën mes qeverisë dhe opozitës.
Problemi është se PS-ja ka në dorë prej disa vitesh pushtetin qendror dhe lokal që ka siguruar energji politike që i japin asaj favore nga tenderët te punësime. Fuqia e bashkive ekzistuese dhe ndikimi i tyre mbi procesin elektoral do jetë i jashtëzakonshëm. Unë po e them që opozita do të fitojë disa zona periferike, që ka një elektorat që i ka qëndruar besnik, por nuk do të sjellë një ndryshim radikal në qendrat apo bashkitë kryesore urbane. Jam dakord për protesta, por thirrja për protesta të mos bllokojë një mendim opozitari intelektual për reforma në secilën bashki. Ka një pakënaqësi të madhe ndaj qeverisë por ka edhe shtresa të shoqërisë që duan ‘statusquon’ Opozita deri tani e ka pasur vëmendjen për të qëndruar tek kandidatët dhe sado i mirë të jeta ai nëse nuk ka një platformë të partisë nuk mundet dot të ndërtohet një fushatë si duhet. Për mua ose është një dobësi që opozita nuk e kapërcen dot ose jemi herët dhe në muajt e ardhshëm ajo do të ecë në këto drejtime”, tha Fuga.
Më tej, akademiku u ndal edhe tek elektorati gri, që sipas tij nëse angazhohet në zgjedhje është një fuqi që mund të sjellë ndryshime. “Është një pjesë e elektoratit që nuk është i angazhuar në politikë dhe pavarësisht se është i pakënaqur nga politikat bashkiake lokale apo të qeverisë përsëri i shikon me një besim të zbehtë politikat opozitare. Kjo sepse mendon që do të ketë një rrotacion por për ne nuk ndryshon gjë. Ka shumë njerëz që shkon deri në 30 për qind që thotë se: Këta ndryshojnë me njëri-tjetrin por prapë njëlloj janë. Kjo është ajo pjesë që ndikon në zgjedhje. Se sa fuqi do ketë opozita ta tërheqë këtë fuqi inerte në politikë ndërkohë që partia në pushtet bën çmos që duke e diskredituar politikën në përgjithësi këtë pjesë të elektoratit ta mbajnë sa më larg politikës. Ky është paradoksi. Unë mendoj që opozita ka bërë mjaftueshëm protesta, e ka testuar elektoratin e vet. Ai që vjen është aty gjithmonë. Qytetarët kanë nevojë për projekte të reja mendore dhe intelektuale. Çfarë do behet më pushtetin lokal, çfarë ndryshimesh radikale mendon që qeverisjen”, tha Fuga.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al