PAMJE/ Në vendin e aksidentit të frikshëm që i mori jetën tre të rinjve. Ekspertët: Klevis Ruçaj udhëtonte me mbi 260 km/orë

Mar 10, 2023 | 10:43
SHPËRNDAJE

I riu Klevis Ruçaj, i cili ishte shoferi i automjetit Audi A8 që shkaktoi aksidentin tragjik me tre viktima mbrëmjen e të mërkurës, sipas ekspertëve po lëvizte me më shumë se 260 km në orë, raporton gazetari i Panorama TV Ervin Leka.

Gazetari ka qenë këtë mëngjes në vendin ku automjeti u përplas fuqishëm me barrierat anësore metalike të rrugës dhe përfundoi rreth 100 metra tutje.

Mësohet se makina luksoze me të cilën udhëtonte i riu bashkë me dy vajza, ka kaluar korsinë e parë dhe është përplasur me murin mbrojtës në anën tjetër të rrugës duke u përplasur me një tjetër automjet, ku udhëtonin tre persona që mbetën të plagosur.

Siç shihet në pamjet që ka filmuar Panorama TV në vendin e aksidentit, automjeti ka ardhur me një shpejtësi tej normave të lejuara dhe ka marrë përpara bordurat metalike duke i shkulur ato nga vendi.

Pjesë të bordurave madje kanë përfunduar dhe 100 metra më tutje, në anën tjetër të rrugës.

Polica sot ka vendosur dhe një bllok betoni për të shmangur të tjera aksidente në këtë segment.

Ndërkohë që në këtë aks sipas tabelave, duhet që automjetet të lëvizin me 40 km/orë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura