PAMJET/ Ky është vendi ku do të qëndrojnë kontejnerët me mbetje të dyshuara të rrezikshme

Nov 8, 2024 | 11:04
SHPËRNDAJE

Ky është vendi ku do të qëndrojnë kontejnerët me mbetje të dyshuara të rrezikshme, të cilat u kthyen në Portin e Durrësit me anijen “Moliva”.

Kontejnerët do të vendosën në këtë zonë në Porto Romano, ku do të mbahen të mbikëqyrura 24 orë siç ka kërkuar edhe Prokuroria e Durrësit.

Pas vendosjes së tyre në këtë hapësirë të sigurt, pritet të procedohet me marrjen e kampionëve nga secili kontejner dhe dërgimin e tyre në një laborator të specializuar.

Anija me mbetjet e refuzuara nga autoritetet tajlandeze mbërriti në Durrës më 28 tetor. Prej më shumë se 10 ditësh anija ndodhej në radën e portit.

Një ditë më parë, deputeti Agron Shehaj akuzoi se gjysma e qeverisë është e përfshirë në skandalin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa kërkoi transparencë në lidhje me atë që ndodhte.

“Ka 11 ditë që anija me mbi 100 kontejnerë me mbetje toksike ndodhet përballë Portit të Durrësit. Ministri i Brendshëm duhet të japë përgjigje e të thotë çfarë po bëhet. Gjysma e qeverisë është e përfshirë në këtë skandal, prokuroria ka reaguar të premten dhe tha që ju i keni thënë që po mundoheni.  Ju nuk e quani të rëndësishme këtë çështje, nuk mendoni se duhet të vihet në dijeni opinioni? Zoti ministër mund të na thoni se çfarë dreqin po bëni?”, u shpreh ai ditën e djeshme.

Ndërkohë ministri Ervin Hoxha,iu përgjigj se po krijoheshin kushtet që kontejnerët të zbriten në një hapësirë publike në Durrës.

“Prokuroria ka bërë një njoftim publik në bashkëpunim me policinë, agjencinë doganore dhe autoritetet portuale. Shumë shpejt kontejnerët do të zbresin në një hapësirë publike por po krijojmë kushtet për një gjë të tillë”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura