Ylli ndërkombëtar i muzikës me origjinë nga Kosova, Rita Ora, ka bërë një urim për shqiptarët e Kosovës me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë.
Në një video-mesazh për transmetuesin publik të Kosovës, Rita nuk nguroi të shprehte edhe një herë mirënjohjen për bashkëkombësit e saj, që e mbështetën gjithmonë në rrugën drejt suksesit. “Përshëndetje RTK, jam Rita Ora. Do të mund të flisja pa u ndalur për rrugëtimin tim me njerëzit e mi në Kosovë. Urime Pavarësia Kosovë dhe faleminderit për të gjitha këto vite krenarie dhe mbështetjeje”, thotë ndër të tjerash Rita Ora.
Video-mesazhi i plotë i këngëtares shqiptare do të transmetohet i plotë në koncertin festiv të RTK-së me rastin e përvjetorit të Pavarësisë, të titulluar “Rrno për me tregue”. Rita Ora ka qenë e para këngëtare shqiptare nga Kosova e cila ka depërtuar në tregun e huaj të muzikës. Ajo gjithashtu mbetet shqiptarja e vetme me renome botërore që i ka dedikuar këngë vendit të saj në vitin 2012, të titulluar “Shine Ya Light”.
Ora ishte e ftuar speciale në kremtimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës pesë vite më parë, në një koncert gjigant dhe të paharruar që mbajti para popullit shqiptar në Prishtinë. Rita Ora në koncertin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë Që nga viti 2015, me dekret të presidentes së atëhershme të vendit, Atifete Jahjaga, Rita Ora është shpallur ambasadore nderi e shtetit të Kosovës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al