Shpesh, drejtuesit i japin vetes pak kohë për të reflektuar. Megjithatë, vlera e vetëdijes në drejtim nuk duhet të nënvlerësohet kurrë.
Sipas Rasmus Hougaard, themelues dhe partner në menaxhimin e Potential Project, angazhimi i punonjësve mund të jetë në rrezik.
Hougaard dhe kompania e tij sapo kanë përfunduar një studim dyvjeçar në bashkëpunim me Harvard Business Review. Studimi do të publikohet në mars të vitit 2018. Ata morën në studim më shumë se 35 mijë drejtues nga më shumë se 120 vende e 900 kompani, si dhe intervistuan më shumë se 200 CEO në kompani botërore.
Në një vizitë kohët e fundit në Toronto, Hougaard ndau disa nga rezultatet paraprake.
Një nga rezultatet më kyçe në kërkim është që drejtuesit duhet të jenë më të aftë në ndarjen e punës dhe krijimin e një kulture që të orientohet tek njerëzit.
Sipas rezultateve të studimit, vetëm 13% e forcës së punës është e angazhuar. Një 24% tjetër janë të angazhuar në mënyrë jo aktive.
“Kompanitë vuajnë shumë – thotë Hougaard. Për shembull, 35% e punonjësve do të hiqnin dorë nga rritja e pagës vetëm që të shihnin drejtuesin e tyre të shkarkohej nga puna”.
Por faktori më shqetësues është se drejtuesit kanë një perceptim shumë të ndryshëm rreth aftësisë së tyre në angazhimin e të tjerëve. Hougaard i referohet një studimi të McKinsey & Co. me 80,000 drejtues, ku 77% mendonin se ishin duke vepruar drejt në angazhimin e punonjësve duke “krijuar” punonjës produktivë.
Por kur u pyetën punonjësit, 82% u përgjigjën se drejtuesit e tyre nuk ishin të aftë sa i përket angazhimit, bashkëpunimit dhe eficencës. Bëhet fjalë për një hendek shumë të madh se si liderët e perceptojnë veten.
Hougaard shton se kjo mbështetet në të dhëna të tjera: Sondazhet e Gallup sa i përket angazhimit tregojnë se për më shumë se 15 vjet, niveli i angazhimit është në rënie vit pas viti dhe duket se situata nuk do të përmirësohet.
Çfarë e bën një lider të mirë. Dhe për më tepër, si mund ta vlerësoni veten? Hougaard shprehet se kjo mund të bëhet në tri mënyra.
Kujdesi
Një udhëheqës i vëmendshëm është gjithnjë i pranishëm, plotësisht i fokusuar dhe i ndërgjegjshëm. Megjithatë 73% e drejtuesve ndihen thuajse gjithnjë të shkujdesur dhe 96% thanë se do të donin të bëheshin më të kujdesshëm.
Një drejtues i ndërgjegjshëm duhet të jetë në gjendje të kontrollojë mendimet dhe emocionet e veta. “Nëse nuk mund të kontrolloni mendjen tuaj, nuk mund të kontrolloni vendimet tuaja”.
Kjo nuk është kaq e thjeshtë sa duket. Ju do të tronditeshit po të shikonit kërkimin se sa irracional janë qeniet njerëzore. Ne pretendojmë se vendimet tona bazohen në një mendim racional. Megjithatë 95% e vendimeve bazohen mbi emocionet.
Altruizmi
Studimi tregon se sa më shumë njerëzit shqetësohen mbi veten, aq më shumë sjellja e tyre është e korruptuar. Liderët e përqendruar te vetja krijojnë më shumë konflikte dhe bëjnë më shumë gabime. Njerëzit altruistë janë më të mirë në shfaqjen e mirënjohjes, kanë më pak gjasa të preken nga kritikat dhe manipulimi. Përpiquni të mos përdorni “unë, mua, imi”.
Dhembshuria
Një drejtues i fortë duhet të jetë një bekim për njerëzit që i shërbejnë. Sipas të intervistuarve, 90% e liderëve thonë se dhembshuria është shumë e rëndësishme në udhëheqje, ndërsa 80% deklaroi se do të donin ta përmirësonin këtë pikë, por nuk dinin se si. Studimi po ashtu tregon se kompanitë me kultura dhe drejtues më miqësorë dhe që tregojnë më shumë dhembshuri kanë lidhje më të forta mes njerëzve, bashkëpunim më të mirë, më shumë besim, ndershmëri dhe më pak humbje.
Rezultatet e studimit të Hougaard do të përfshihen në një libër të ri The Mind of the Leader – How to Leadself, Your People and Your Organization for Extraordinary Results, që do të publikohet në mars të vitit 2018.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al