2 Nëntor, 2024

“A ia vlejti kur zemrën e shite”- Bes Kallaku akuzon përmes vargjeve Xhensila Myrtezajn? Këngëtarja zgjedh heshtjen pas divorcit, si erdhi fundi i martesës disavjeçare


Bes Kallaku është një ndër emrat më të lakuar të shtypit rozë sidomos pas ndarjes së bujshme me Xhensila Myrtezaj. Pak ditë më parë Besi ka publikuar projektin e tij më të ri në bashkëpunim me këngëtaren Eli Malaj.

Ndjekësit e tij menjëherë kanë nisur aludimet se kjo këngë i dedikohet Xhensilës, duke parë se dhe teksti është shkruar nga aktori i njohur.

“Falja, të gjithë më thonë falja, jo nuk ma bën zemra. Doja të ta falja. A ia vlejti kur zemrën e shite”, janë disa nga vargjet e këngës, ku nënkuptohet se fajtore e ndarjes mund të ketë qenë Xhensila. Kjo është kënga e dytë që Besi bën me pothuajse të njëjtën temë. Edhe në bashkëpunimin e tij të mëparshëm, artisti fliste për një femër që i kishte thyer zemrën, duke e quajtur “Mosmirënjohëse”.

Tashmë, pas disa muajsh nga divorci i bujshëm me këngëtaren, Besi ka zgjedhur këtë mënyrë për të zbuluar se ka qenë Xhensila shkaku për këtë ngjarje. Deri më tani, asnjë nga ish-çifti, apo miqtë e afërt, nuk flasin për detaje nga kjo ndarje. Vetë Xhensila, edhe me mikeshat e afërta ka zgjedhur që mos të japë shumë detaje nga kjo ndarje, duke u mjaftuar me faktin se prej kohësh kishin probleme. Sakaq, më i prekur është shfaqur Besi, i cili edhe përtej këngëve, është shprehur nëpër miq se ndarja ka ardhur me kërkesë të Xhensilës, pasi ai vetë nuk do të donte ta prishte familjen.

Këngëtarja dhe aktori i humorit kanë marrë vendimin për t’i dhënë fund marrëdhënies së tyre, ndërsa dokumentet e depozituar në gjykatë nga ana e Xhensila Myrtezajt për zgjidhjen e martesës kanë zbuluar detaje nga ndarja e çiftit, prindër të dy fëmijëve. Në dokumentet e depozituara në gjykata nga ana e këngëtares mësohet se ish-çifti prej rreth 1 viti nuk jetojnë së bashku. Në padi thuhet se martesa e tyre ka qenë harmonike, por në dy vitet e fundit marrëdhëniet në çift janë acaruar. Gjithashtu, thuhet se martesa ka mbetur formale, nuk funksionon më dhe ka humbur kuptimin e saj për të cilin është lidhur. Shkak, sipas padisë, “kanë qenë keqkuptimet e vazhdueshme, të cilat edhe pse me përkushtim nga të dyja palët, nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjidhje përfundimtare”.

xhensila myrtezaj4

“Paditësja Xhensila Kallaku dhe i padituri Besart Kallaku, kanë lidhur martesë ndërmjet tyre, të cilën e kanë celebruar në datë 13.06.2018, siç vërtetohet edhe nga certifikata e martesës e lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile 381, Njësia Administrative nr. 9. Palët ndërgjyqëse janë njohur me dashuri. Paditësja dhe i padituri janë njohur në një moshë shumë të re. Ata kanë ndërtuar marrëdhënien e tyre mbi baza të dashurisë dhe respektit reciprok. Palët ndërgjyqëse kanë filluar të bashkëjetojnë me njëritjetrin në vitin 2011, në banesën e prindërve të të paditurit. Më datë 1 (një) Shtator të viti 2017 palët kanë realizuar martesën faktike. Pas celebrimit të dasmës së tyre, palët kanë filluar bashkëjetesën”, thuhet në padinë e depozituar në gjykatë.

xhensila myrtezaj1

Ndërsa vazhdon: “Marrëdhëniet bashkëshortore kanë qenë të mira dhe harmonike. Në dy vitet e fundit, marrëdhëniet në çift janë acaruar, shkak kanë qenë keqkuptimet e vazhdueshme, të cilat edhe pse me përkushtim nga të dyja palët, nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjidhje përfundimtare. Çifti ka rreth një vit që nuk jetojnë më bashkë. Në kushtet që martesa ka mbetur formale nuk funksionon më, dhe ka humbur kuptimin e saj për të cilin është lidhur, paditësja i drejtohet Gjykatës me padi për zgjidhjen e kësaj martese dhe rregullimin e pasojave që vijnë prej saj”, deklarohet në padinë për zgjidhje martese pa faj.”

bes kallaku gjykate xhensila myrtezaj1

Xhensila Myrtezaj iu drejtua Gjykatës me padi për divorc, pas konflikteve me ish-partnerin e saj për pasurinë. Fillimisht dyshja tentuan t’i jepnin fund martesës me marrëveshje, por pas kërkesës së aktorit që këngëtarja të hiqte dorë nga pasuria u janë drejtuar dyerve të gjykatave. Padia e parë e këngëtares për zgjidhjen e martesës u kthye mbrapsht nga Gjykata për shkak se nuk e kishte firmosur, por kishte autorizuar avokaten. Gjithashtu u kthye mbrapsht edhe padia e po ashtu për arsye procedurale i është kthyer edhe Bes Kallakut. Këngëtarja dhe aktori e kanë ridorëzuar padinë të plotësuar sipas procedurave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al