7 Shtator, 2017

A janë “selfie-t” një lloj manifestimi online i narçizmit


Fjala “selfie” u zgjodh si “Fjala e Vitit 2013”, nga Oxford English Dictionary. Ajo është definuar si “fotografi që dikush ia bënë vetes, në mënyrë tipike me një smartphone ose webcam, dhe që ngarkohet në faqet e internetit të mediave sociale”. Trendi çdo herë në rritje i bërjes së “selfieve” me celularët modernë, ka të bëjë mes të tjerash edhe gjendjen shëndetësore të individit, që fokusohet te mania e personit me dukjen e tij. Selfie është në fakt një akt i dashurisë për veten. Dhe rekordet Guiness kanë njohur numrin më të madh të selfieve të bëra në tre minuta. Rekordi u vu nga aktori Johnson që bëri 105 selfie në një kohë kaq të shkurtër.

Sipas psikiatrit  dhe psikologut David Viel, dy nga tre pacientët që e kanë vizituar me çrregullim disformik të trupit (mendime negative për dukjen ), që nga dalja e kamerave në celularë, kanë kompulsione që vazhdimisht të bëjnë dhe të postojnë “selfie” në rrjetet sociale. “Terapia kognitive biheviorale përdoret për të ndihmuar pacientët për të njohur arsyet për sjelljen e tij kompulsive dhe për të mësuar pastaj për ta zbutur atë”- tha ai për Mirror. Një adoleshent britanik u përpoq të bëjë vetëvrasje pasi nuk arriti të bëjë “selfie” të përsosur. Danny Bowman u fiksua me pozat perfekte, për ç’ka kaloi 10 orë në ditë duke bërë 200 “selfie”. 19-vjeçari humbi afro 14 kilogramë, e la shkollën dhe nuk doli nga shtëpia për gjashtë muaj, në kërkimin e tij për foton e duhur. Ai bënte 10 fotografi, menjëherë pasi zgjohej. I frustruar nga tentimet e tij për ta realizuar imazhin që donte, u përpoq t’ia marrë vetes jetën nga tejdoza, por u shpëtua nga nëna. “Vazhdimisht isha në kërkim të bërjes së ‘selfieve’ perfektë. Dhe, kur kuptova se nuk mundesha, doja të vdisja. I humba miqtë, edukimin tim, shëndetin tim e gati edhe jetën”- tha ai për Mirror. Adoleshenti besohet të jetë i pari që iu nënshtrua terapisë për të trajtuar varësinë teknologjike, çrregullimin obsesivo-kompulsiv dhe çrregullimin e dismofrisë së trupit. Një pjesë e trajtimit të tij në Spitalin Maudsley në Londër përfshinte largimin e iPhonet në intervale prej 10 minutave, gjë e cila shtohej në 30 minuta e pastaj një orë.”Ishte torturë për të filluar me këtë, por e dija se duhet bërë nëse dua të jetoj”- tha ai. Zyrtarët e shëndetësisë publike në Mbretërinë e Bashkuar njoftuan se është sëmundje varësia ndaj mediave sociale, si Facebook-u dhe Twitter-i, dhe se 100 pacientë kërkojnë trajtim për çdo vit. Manifestimi online i narçizmit mund të jetë diçka si strategji e vetëprezantimit për të kompensuar vetëvlerësimin e ultë dhe të lëndueshëm. Por, kur këto përpjekje përforcohen dhe shpërblehen nga të tjerët, ata përjetësojnë deformimin e realitetit dhe konsolidojnë iluzionet narçisoide.

Fakte interesante të narçistëve femra dhe meshkuj

Kërkimet psikologjike për selfiet tregojnë disa fakte shumë interesante. Ju rendisim disa prej tyre:

  1. Burrat që postojnë selfie janë më të prirur të jenë më shumë narçistë, sesa gratë. Në Universitetin e Worclaw në Poloni, është bërë një studim (2015) me rreth 1300 burra dhe gra, të moshave 17 deri në 47 vjeç për cilësi të përfshira në narçizëm: lidershipi, vetëmjaftueshmëria dhe kërkimi i admirimit. Megjithëse gratë postonin më tepër selfie sesa burrat, rezultoi se efekti kur postonin burrat ishte më i madh.
  2. Lloje të caktuara narçistësh janë më të prirur të postojnë lloje të caktuara selfiesh. Në Universitetin e Misisipit, një studim gjeti se postimi i selfieve mund të jetë i zakonshëm te studentët, por ka gra që e shmangin postimin e fotove të tyre online. Në mënyrë të habitshme, ato ishin kategoria me një lloj narçizmi që quhet tipi “vulnerabël”, domethënë me vetëvlerësim të dobët dhe shumë vetëkritikues. Një grua që mund të mos ndihet e paraqitshme sa duhet mund të qëndrojë larg postimit të selfieve.
  3. Njerëzit janë më të prirur të postojnë selfie që kapin anën e majtë të fytyrës së tyre. Ky konkluzion vjen nga neuropsikologia italiane, Nicola Bruno (2015), që besonte se njerëzit pëlqejnë të tregojnë anën e majtë, pasi është ana më shprehëse e emocioneve.
  4. Burrat narçistë janë më të prirur të postojnë selfie, dhe më të prirur t’i rregullojnë fotot para se t’i postojnë. Sipas Jesse Fox dhe Margaret Rooney, nga departamenti i Komunikimit në Shtetin e Ohajos (2015), burrat e prirur për të qënë narçist dhe me vetëobjektifikim të lartë (që e shohin veten si objekte), janë më të prirur ta paraqesin veten siç do të donin të dukeshin, nëpërmjet postimit të selfieve në rrjetet e tyre sociale.

 

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al