18 Dhjetor, 2017

Adi Krasta rikthehet në skenën ku ka qenë më parë, surprizat që po përgatit për netët e Festivalit në RTSH


Pas ndërprerjes së kontratës me “Top Channel” ku moderonte programin me orar të zgjatur “E Diell”, drejtuesi i shumë programeve që nga vitet ’90 po përgatitet të kthehet në skenën e muzikës që s’e ka për herë të parë. Fjala është për Festivalin e 56- të të Këngës në RTSH, tri netë spektakli që do të mbahen në prag të Krishtlindjes, në datat 21, 22, 23 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. “Ju ftoj të vini ose të ndiqni Festivalin e Këngës në Radio-Televizion. Një festë e bukur e Fundvitit!”, shkruan Krasta me anë të një statusi në Facebook. Mes komentuesve entuziastë për rikthimin e Krastës në ekran dhe në këtë skenë festivali ku ka qenë më parë, komentojnë emra që kanë bërë historinë e festivaleve, mes të cilëve autorja e teksteve Zhuliana Jorganxhi. “Suksese miku im i shtrenjtë, ty, gjithë organizatorëve të Festivalit dhe gjithë pjesëmarrësve!”, shkruante poetesha që jeton në Trieste të Italisë.

Ndërsa skenografi Bashkim Zahaj hedh dritë mbi detajet e skenografisë, pasi thotë: “Meqenëse për herë ‘të parë’ u bëka dekor tridimensional nga jo skenografë, do të vij ta shoh. Suksese!” Ndërkohë flitet se bashkë me regjisorin Pali Kuke, Krasta dhe stafi po përgatisin një festival me shumë surpriza, që tashmë gjendet në fazën e tij përfundimtare. Sapo kanë përfunduar klipet prezantuese për të njëzet e dy këngët e garë muzikore më të madhe në vend, të cilat këtë vit do të jenë të aksesueshme në faqen zyrtare të Radio Televizionit Shqiptar, www.rtsh.al, si edhe në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube. Në këtë mënyrë publiku do të jetë i njohur me këngët për herë të parë përpara tri netëve të mëdha të festivalit, live nga Pallati i Kongreseve, në prag të Krishtlindjes, në datat: 21, 22, 23 dhjetor.

Njëzet e dy këngët në garë do të transmetohen jo vetëm në programet e “Radio Tiranës”, por edhe në rrjetin e radiove që i janë bashkuar festivalit këtë vit, si Club FM, IN Radio, City Radio, NRG Radio dhe MCN Radio. Duke qenë se IN, CITY dhe MCN janë edhe platforma televizive muzikore, do të prezantohen aty edhe klipet e realizuara me qëllim promovimin e këngëve të këtij Festivali. Kjo mënyrë prezantimi vlen vetëm për familjarizimin e publikut me këngët, por sipas RTSH-së kjo nuk do të ndikojë aspak në shpalljen e këngës fituese të Festivalit. Të ftuarit e famshëm janë një tjetër element i show-t të këtij edicioni. Që natën e parë premtohet nga organizatorët se do të jetë një spektakël i garantuar me pjesëmarrjen e artistit 71-vjeçar të muzikës italiane, Riccardo Cocciante. Krijuesi i shumë melodive dhe refreneve nga “Margherita” e deri te “Notre Dame de Paris”, i ka thënë “po” ftesës së RTSH-së për të kënduar në festival./Panorama Plus/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al