Reperi Agon Sylejmani i cili njihet nga publiku me emrin Agon Amiga ka folur së fundmi për një nga konfliktet më të bujshme të hip-hopit shqiptar.
Për gati dy dekada BabaStars dhe OTR kanë qenë dy grupet në konkurrencë të vazhdueshme dhe shpesh kanë patur edhe konflikte fizike e sherre të mëdha. Vite më parë anëtarët e dy grupeve patën një grindje fizike mes tyre në aeroportin e Zyrihut.
Për këtë histori së fundmi ka dhënë detaje ish-anëtari i BabaStars, Agon Amiga në një ‘live’ të zhvilluar në Instagram me personazhin e njohur të rrjeteve sociale Kozak Braçin. Agoni ka treguar gjithë ngjarjen se si ka ndodhur përleshja fizike, duke thënë se ishte Ledri Vula ai që i pari goditi Noizyn, për të vazhduar më pas edhe të tjerët.
“Ishim në aeroplan për Zurich, nuk e dija që ishte edhe Noizy, dhe duke dal nga aeroplani po më thotë Geti edhe Noizy është këtu, ishin edhe Ledri, Visari (Skivi), unë mbeta i fundit dhe doja ta takoja, duke ecur vjen Noizy përball meje dhe po e shikoja, dhe po i them më njeh, më tha më dukesh fytyrë e njohshme, dhe i thash të tregoj sa të dalim nga aeroporti. Noizy ishte vet i dyti, ka qenë edhe Dafina Zeqiri me Ledrin, dhe ky i fundit e godet menjëherë Noizyn, u rrahëm dhe më pas na zunë policia, Geti e kërkonte zinxhirin e tij, si ka mbërri Noizy në hotel ka postuar pamje me zinxhir të Getit me vete duke pyetur fansat se a e din kujt i takon ky zinxhir”, -ka treguar Agon Amiga.
Më tej ai ka folur edhe për arsyet e mosmarrëveshjen me Getoar Selimin, me të cilin ka ndërprerë bashkëpunimin prej kohësh. “Konflikti me Getin shkurt dhe shqip lindi punë interesi, punë leku, kështu konflikt fizikisht nuk kam patur asnjëherë”, -tha ai.
Kujtojmë që disa prej personave të përfshirë në konflikt sot gëzojnë raporte të mira me njëri-tjetrin. Ledri dhe Noziy tashmë kanë raporte shoqërore, madje dyshja në vitin 2017 sollën edhe një bashkëpunim së bashku “Dje & Sot”, e që u prit mirë nga ana e fansave të tyre. Ledri po ashtu ka rregulluar edhe raportet me ‘Babastras’ e madje ka sjellë bashkëpunim edhe me Majk.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al