6 Janar, 2018

Ajsi Xhaxhaj: Historinë e jetës time do ta bëj film, pasi të martohem


Ajsi Xhaxhaj, një showgirl, e rritur në skenë, rikthehet si moderatore e eventit “Shkodra Fest”. Protagonistja kryesore e “Kripmjaltëzave” kur ishte fëmijë, tregon për “Panorama” rreth filmit që ka ideuar të realizojë, frymëzuar nga historia e jetës së saj, planit për t’u rikthyer në televizion si prezantuese, të vërtetën e adoptimit disa vite më parë nga çifti Bombaj dhe të tjera sekrete të pathëna.

I kthehesh prezantimit me show-n “Shkodra Fest”, që organizohet nga Elsamed Senaj i “Big Brother”. Njiheshit më parë dhe çfarë të tërheq në atë spektakël?

Po, i rikthehem prezantimit me “Shkodra Fest”. Gjithçka nisi nga një bisedë me mikun tim Elsamedin, të cilin e njihja shumë kohë më parë. Pas karrierës sime të hershme, ai më propozoi të bëhesha pjesë e këtij formati, pasi është producenti i “Shkodra Fest”. Dhe sigurisht kjo nuk është hera ime e parë që prezantoj një festival muzikor, pasi prezantimin e parë të një festivali e kam bërë që në moshën 10- vjeçare për “Diaspor fest” në atë kohë. Nga ky spektakël më pëlqen se i përkushtohet totalisht talenteve të reja dhe u jep hapësirën e duhur për të shfaqur talentin e tyre.

Në lidhje me punën tënde mes spektaklit, televizionit dhe filmit. Ke marrë ndonjë propozim nga ndonjë televizion dhe ndonjë rol në kinema?

Pasi pres premierën e filmit “Dashuria s’mjafton”, me regji të Drilon Hoxhës, këto muajt e parë të vitit 2018-të, po mendoj pozitivisht të bëhem pjesë e një televizioni. Por është shpejt të flas për këtë plan të diskutuar. Përsa i përket roleve në kinema, pres duartrokitjet nga publiku për filmin që do të shfaqet tani afër, e më pas pres ftesat nga regjisorët e tjerë.

Është e vështirë të hysh në tregun e televizionit, është kjo një botë e egër për vajzat që duhet të bëjnë kompromise?

Është shumë e vështirë të hysh në botën e televizionit, pasi ose duhet të kesh një karrierë të gjatë, ose duhet të kesh një mik. Dhe për këtë ju siguroj pasi shumë persona, që njoh dhe e duan televizionin, shpesh kanë mbetur në dyert e televizioneve duke pritur me orë për një takim, që nuk kryhet kurrë. Përsa u përket kompromiseve nuk mund të flas me bindje për këtë gjë, por mendoj se nëse bëhen kompromise është një rrugëtim i shkurtër për to.

Nga talentet e një showgirl çfarë di të bësh më mirë?

Unë, që prej moshës 8 vjeç, i kam bërë të gjitha nga pak. Kurse aktrimi, kanto, baleti e deri në duele me shpata për një inskenim në skenë. Unë mund të këndoj mund dhe të kërcej, por asnjë nga këto të dyja nuk di ta bëj më mirë se sa prioriteti dhe pasioni im, aktrimi. Dhe në këtë rast po flas për aktrimin para kamerave dhe publikut në sallë pasi në jetë reale jam shumë e sinqertë, aq sa ka raste që mund t’i prish dhe punë vetes.

Kur nuk të shohim në evente apo televizion, cilat janë angazhimet e tua jashtë syve të publikut?

Në fakt, gjithnjë parësore kam pasur shkollën, pasi studioj shumë. Në këtë moment po merem me specializimin e degës sime të Administrimit. Ndërkohë, një angazhim tjetër i imi jashtë syve të publikut është të jem një “teze” e mirë për mbesën time Majla.

Së fundi, bashkëshortja e Leonard bombaj, Esmeralda rrëfeu te emisioni “Rudina” se të kishte propozuar të adoptonte kur ishe fëmijë. Çfarë mendove kur e dëgjove dhe si ndjehesh kur të rikthejnë në atë histori?

Në fakt, si atëherë dhe tani, falë Zotit, të dy prindërit e mi janë shëndoshë e mirë si nga ana shëndetësore, mendore, fizike dhe shpirtërore. Ndaj, a nuk mendon se kur ke dhe ke pasur dy diamantë që të presin në shtë- pi me një dashuri dhe përkushtim, do të kisha nevojë të adoptohesha nga dikush?! (Qesh) Më mirë po e lë me kaq.

Të ka shkuar në mendje të luash vetveten në kinema dhe në çfarë gjinie filmi?

Po, më ka shkuar në mendje të bëj jetën time film, por jo të jem protagoniste në të, pasi realizimin e kësaj ëndrre pres ta bëj realitet në një moshë të pjekur timen, pasi të kem krijuar familjen time. Gjinia e filmit, mendoj, të jetë një dramë me fund të lumtur.

Pak ditë më parë mediat shkruan për një polemikë mes teje dhe një komentuesi, i cili përdori fjalë fyese ndaj teje. Të duket rast i veçuar apo ndjen se ekziston një lloj paragjykimi ndaj teje?

Po, është e vërtetë që ka ndodhur një ndodhi e tillë mes meje dhe një fansi (po e quaj të tillë, pasi ai më ndjek në “Instagram”).Unë u kushtoj shumë rëndësi fansave dhe mesazheve që më vijnë nga dashamirës, ndaj një mbrëmje ndodhi të shihja dhe mesazhin e tij, ku më drejtohej me një zhargon rruge ndaj e publikova. Ky rast është i veçuar, pasi kohët e fundit kam kuptuar se nuk po më paragjykojnë më si më parë, se dhe ndërgjegjësohen njerëzit. Jam e lumtur që ia kam arritur kësaj dite.

Kategorizohesh te bukuria origjinale, si ndihesh karshi bukurive si rezultat i ndërhyrjeve estetike, superiore apo jashtë mode?

Në të vërtetë unë nuk kam kryer asnjë ndërhyrje në trupin apo portretin tim, pasi nuk e kam ndjerë të nevojshme. E, megjithatë, kjo nuk më bën të ndihem asnjëherë jashtë mode, pasi natyraliteti është gjithnjë IN. Por nuk paragjykoj askënd, që kryen ndërhyrje pasi është zgjedhja e tyre.

E kujt mashkulli mund t’ia falësh zemrën me bindje?

Nuk e di nëse ka një përgjigje konkrete për këtë.Por zemrën me bindje mund t’ia fal dikujt që vërtet më meriton mua, pasi nuk dua të shpenzoj kohë dhe ndjenja shpirtërore me dikë, që mund t’i japësh 1000 gjëra kur di të numërojë deri në 10.

Panorama / Klotilda Harka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al