12 Mars, 2022

Aktori që imiton kryeministrin në protestë/ Flet Florian Binaj: S’kam asnjë kontakt me Ramën, kam dal për ata që s’kanë bukë


Ditën e sotme u mbajt edhe protesta e katërt e qytetarëve ndaj rritjes së çmimeve. Në sheshin përpara Kryeministrisë, prej ditësh ato kërkojnë uljen e çmimit të karburantit, por jo vetëm.

Të shumtë ishin qytetarët që protestuan paqësisht në bulevardin e Tiranës, ku nuk kishte sesi të mos spikaste prezenca e aktorit, Florian Binaj. I angazhuar shpeshherë me shoqërinë civile në tubime që prekin shoqërinë, aktori ka mbajtur edhe fjalën e tij para protestuesve. I njohur për rolin e tij si Edi Rama, prezenca e tij në protestë është duartrokitur edhe më shumë. Megjithatë, fillimisht ai është një qytetar që jeton me problemet e çdo shqiptari, pastaj është “Edi Rama” në skenë.

I kontaktuar nga Panorama Plus, aktori shprehet se ndonëse ka pëlqimin e publikut, ai ka dal në protestë si çdo shqiptar tjetër dhe jo si personazh publik. Më tej ai ka zbuluar se nuk ka pasur asnjë komunikim as me Ramën dhe askënd tjetër nga qeveria, ndonëse kryeministri e ka vlerësuar shpesh edhe publikisht për rolin e tij. “Asnjë komunikim as me Ramën as me askënd përveçse me qytetarët! Problemi është shumë i thjeshtë, të hiqen disa taksa nga karburanti siç kanë bërë Kosova, Maqedonia e Veriut, Kroacia etj, që të lehtësojë jetesën dhe të mos ndikojë në rritjen e ushqimeve. Kam dalë për ata që s’kanë bukë të hanë.

Unë s’kam asnjë marrëdhënie me kryeministrin, si artist më vlerëson gjithë populli, por jam qytetar përpara se gjithash”, është shprehur ai i kontaktuar nga redaksia. Ndërkohë ditën e sotme me fjalimin e tij, ai ngriti peshë të pranishmit në protestë, që njëzëri mbështetën  aktorin e mirënjohur.  “A e shikoni flamurin e kuq, është flamuri më i bukur në botë, i kombit më të bukur në botë, por që ka vite që vidhet. Jemi sot këtu për njëri tjetrin, për ata që nuk marrin ata që meritojnë, për ata që kanë lënë vendin, se nuk ka vend për profesionistët por ka vend për patronazhistët. Ndaj jemi ne sot këtu.

Është hera e parë që nuk kuptohet ku fillon Skenderbej e mbaron Nënë Tereza. Jemi sot këtu për ata që punojnë me dinjitet e jetojnë në mizerje. Jemi për fëmijët tanë. Faleminderit çdo qytetari, të dëgjojmë zërin e njëri tjetrit. Jam kritikuar se kam qenë ndër të vetmit artist në protestë, do të doja shumë si Marin Mema dje të na bashkohen edhe artistë e figura publike.” u shpreh aktori i humorit Florian Binaj ditën e sotme.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al