19 Maj, 2017

Aktorja Suela Bako flet për filmin horror: Skenat e frikshme që kam përjetuar në xhirime


Me rolin e saj në fimin e zhanrit horror “Bloodlands”, aktorja shqiptare Suela Bako është vlerësuar me çmimin si aktorja më e mirë në Nashville Film Festival në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në intervistën më poshtë, Bako na tregon për përvojën e saj të parë me një rol të rëndësishëm dhe gjithë ç’ka përjetuar për t’u shndërruar në “Shpresë”…Skena jo edhe aq të zakonshme aktrimi, të cilat i morën pak kohë për t’i nxjerrë nga vetja, edhe pas përfundimit të xhirimeve.download (3)

Përpara se të flasim për rolin, na tregoni diçka për subjektin e filmit “Bloodlands”…

“Bloodlands” është një film i përcaktuar nga kritika një dramë/ horror, i cili në bosht të tij ka gjakmarrjen, hakmarrjen e gjakut me gjak. Filmi flet për një familje që lufton për t’ia dalë mbanë jetës me vështirësitë që një provincë paraqet, mes pamundësisë ekonomike dhe nevojës për të nxjerrë në jetë fëmijët, tashmë në moshën që duhet t’i japin drejtim jetës së tyre mbushur me ëndrra e dilema.

Një klan misterioz e kërcënon familjen me gjak dhe që prej atij momenti, familja vendoset në sfidën e mbijetesës…

Klani i drejtuar nga shtriga (Ilire Vinca), e cila është një grua e dhunuar moralisht dhe e stigmatizuar, në të ri të saj është tërhequr në mal, ku ka mbledhur rreth vetes të tjerë njerëz të dëshpëruar e që duan të marrin hak. Hakmarrja shtrihet ndaj familjes së Skënderit, e cila ka një lidhje të hershme me shtrigën. Ky është sfondi në të cilin shpalosen personazhet, Skënderi (Gezim Rudi) Shpresa (unë) djali (Emiljano Palali) dhe vajza Alesia Xhemalaj, të vendosur nën rrezikun për jetë a vdekje. Filmi kalon nëpër momente plot ankth, ku personazheve u duhet të gjejnë agresorët për të marrë hak.

Ndoshta çmimit i shtohen edhe më vlerat për faktin se një film horror është një zhanër të cilin Shqipëria nuk e ka prekur. A ngurove kur e more propozimin?

Nuk di nëse i shtohen vlerat çmimit për këtë fakt, por nëse është kështu, akoma më mirë. Nuk ngurova fare, pasi ky është roli im i parë i plotë, në film, dhe në momentin që m’u komunikua se kisha fituar audicionin, e gjithë qenia ime u vendos në shërbim të rolit, për t’i dhënë atij maksimumin, me gjithë vështirësitë që mund të hasja rrugës.

Cili është roli juaj në këtë film horror? Na e përshkruani pak veten në rol… Nga vendimi për të qenë pjesë, si është rritur e tjetërsuar personazhi?

Shpresa është një grua e zakon shme, e cila e kalon jetën e saj duke u kujdesur për familjen. Ajo prezantohet në fillim të filmit si shtëpiake e rëndomtë, e cila gjithë ç’di të bëj është të shtrojë e të ngrejë tryezën, të lajë e të pastroje, pasi i shoqi një burrë patriarkal, nuk e ka shumë për zemër që ajo të dalë të punojë edhe pse nevoja ekonomike është e madhe. Befas, familja e saj vihet në rrezik, bashkëshorti rrëmbehet dhe Shpresa është përballë hakmarrjes dhe mbrojtjes së familjes, e vetme, me dy fëmijët e saj… ashtu si ju edhe unë, duke e menduar zhanrin (horror) pata frikëra të mëdha në realizimin e rolit…10805760_10152393675002001_7490897316375327231_n

Na tregoni një situatë frike…

Një skenë e sikletshme ishte ajo ku duhet të reagoja për një kanosje, përpiqem të gjej brenda vetes reagime klishe që kisha rastisur nëpër filma horror… më kapi një nervozizëm i paparë, dhe ndaloj, i them regjisorit (Steven Kastrissios): “ Stiven, ndjesë, por unë nuk di të luaj një horror… unë di të luaj hallin tim, pra të personazhit, nuk kam asnjë ide për teknikën e interpretimit të një horrori…”. Stiven ndalon e më thotë që nuk duhet të luaja asnjë horror, unë duhet të luaja, ashtu si unë dija, duke përdorur mjetet e mia, ato për të cilat isha vlerësuar në audicion, dhe isha përzgjedhur, nuk kishte një “teknikë” interpretimi horrori, pra, kishte vendosje në rrethanat e karakterit dhe të besuar të tyre…. Që prej atij momenti, të gjitha pikëpyetjet në lidhje me zhanrin u zgjidhen. Unë besova dhe jetova si Shpresa, përgjatë xhirimit dhe pak pas tij.

A kishe pasur përvoja të ngjashme më parë?

Unë kam qenë shpesh e pranishme në filma me role të vogla. Përvoja e Shpresës është e para e këtij lloji…

A mendon se një regjisor i huaj është njëlloj garancie në drejtimin e punës së aktorit? Ju, diku, citoni regjisorin që kishte qenë i bindur për suksesin e këtij roli…

Steven Kastrissios ishte një garanci profesionale, jo vetëm për aktorët, por edhe për fotografinë, montazhin, e të tjera elemente të rëndësishme në film, pa diskutim. Një personalitet i spikatur, profesionist, me ide të qarta që në fillim, me eksperiencë njerëzore dhe profesionale, që dinte të pozicionohej dhe të merrte atë që donte. Cilësitë që përmenda më lart, jo domosdoshmërisht i përkasin vetëm një të huaji. Ne kemi disa regjisorë shqiptarë me të njëjtat parametra, që gjithashtu kanë arritur të nxjerrin aktorë që kanë shkëlqyer dhe kanë lënë gjurmë në kinemanë tona, brenda dhe jashtë vendit.

A keni ju një proces tuajin shndërrimi, përtej punës në grup, e kam fjalën, atë kohën individuale kur aktori flet vetëm me personazhin…A është pak e frikshme në rastin konkret?

Shpresa, që unë interpretoj, është një grua që pëson një transformim të madh, nga ajo gruaja e rëndomtë, ajo shndërrohet në një luftëtare të vërtetë… për të realizuar këtë, kam parë thellë brenda vetes tek instinktet e mia mëmësore, dhe brenda asaj që më ka sjellë në jetë, mamasë time. A nuk na ka rritur dhe mbrojtur ajo me thonj si çdo nënë tjetër?! Kam kaluar disa momente duke xhiruar skena të caktuara, që kanë qenë vërtet përjetime të thella e të sikletshme, ku me është dashur pak kohë të marr veten… por në fund të fundit, kjo është gjeja që më lidh me këtë profesion: të provuarit në lëkurën time të “asaj tjetrës”…

Kombësitë e ndryshme pjesëmarrëse në realizimin e filmit krijonin ndonjë pengesë gjatë rrugës? Përndryshe, si ishte?

Kombësitë e ndryshme vetëm e kanë plotësuar filmin me ngjyra dhe nuanca. Secili prej nesh kishte nevojë të kuptonte tjetrin më mirë dhe ishte maksimalisht i fokusuar te kërkesat dhe rrethanat. Kjo ka bërë që aktorët të spikasin, dhe të vlerësohen edhe në festivalet e më- parshme ku unë kam qenë personalisht, “Glasgow Film Festival” dhe “Fantasporto, Film Festival”. Dritan Arbana dhe Tan Kazazi, bashkëproducent dhe aktore në film, kanë realizuar më së miri urat lidhëse për secilin prej nesh duke bërë që tani të jemi miq të vërtetë dhe të shijojmë frytet e punës sonë.

Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al