Alban Ramosaj ka dhënë një intervistë së fundmi për revistën “Class”, ku ka folur gjatë për fitoren në “Kënga Magjike” dhe jetën e tij profesionale. Mes të tjerash, Albani ka treguar se “Thikat e mia” është një histori personale dhe ka rrëfyer se si e ka pritur këtë ish-partnerja e tij.
“Të gjithë veprojmë në mënyrat tona pas ndarjeve, dikush vendos “të zhdukë” partnerin/en në momentin kritik të ndarjes, dikush thyhet e shkruan, thërret apo kërkon takim, dikush tjetër bën diçka tjetër e kështu me radhë. Për mua, kjo këngë ishte “mesazhi” apo “telefonata” ime, një mesazh që e kam lënë të kuptohet se isha i ndërgjegjshëm për llojin e lidhjes që kishim dhe që reflektova, me pak fjalë.
Por jo, nuk është e synuar si tentativë që të rikthehemi, pavarësisht se kemi dashuri pa kushte në mes. Madje, falë kësaj të fundit, mbajmë dhe kontakte shoqërore (kënga i ka pëlqyer, ia kanë përkthyer shoqet shqiptare). Për ta përmbledhur, është thjesht rritje, maturitet personal. Fundja, artistë jemi, do përfitojmë edhe nga këto emocione e do i hedhim në letër”, u shpreh Albani.
I pyetur nëse mendon se një marrëdhënie toksike si ajo e “Thikave” është e destinuar të përfundojë keq dhe a i ka ndodhur edhe atij kështu, ai është përgjigjur: “Besoj që çdo lidhjeje toksike herët apo vonë do t’i vijë fundi, sepse si qenie njerëzore nuk kemi fuqinë mendore apo fizike që t’i përballojmë e t’i mbajmë gjallë.
Është idiotësi të qendrosh në diçka që të lëndon ty apo partnerin/en tënd. Dashuria nuk supozohet të të lëndojë apo të të bëjë të ndihesh keq, xheloz, pa vetëbesim, të pambushur, posesiv apo edhe të të të lërë pa gjumë fundja. Dashuria duhet të të bëjë të ndihesh sikur je në një shtëpi të rehatshme, diku me pushime”.