I beson dashurisë së vërtetë dhe çdo minute të shpenzuar për të fituar para. Me energjinë e saj, Alida Duka i bën të gjithë ta imagjinojnë se një ditë do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian.
Për “Panorama Plus”, ajo rrëfen bashkëpunimin e ri me vëllain Stinen dhe Ingrit Gjonin dhe sekretet e femrës së pavaruar në muzikë e biznes. Alida Duka, këngëtarja e disa hiteve, i prek në zemër fansat e saj me historitë personale në këngë.
E vërteta dhemb gjithmonë edhe në art, por thotë se jeta e ka mësuar të përballojë gjithçka. Motra e Stines tregoi për “Panorama Plus” si e ktheu periudhën e pandemisë në avantazh, me dy këngë të reja plot energji dhe biznesin e saj.
Për dashurinë, martesën dhe paratë, ajo bën këtë rrëfim të hapur, si artistët e vërtetë…
Një këngë e re me vëllain Stinen dhe Ingrit Gjonin. Si lindi ky bashkëpunim dhe e ndjeni në ajër se keni qëlluar në shenjë për një hit vere?
Alida Duka: Në fakt, me Ingridin kemi pasur në plan të kishim një bashkëpunim të radhës pas këngës “Besame” dhe koncerteve që patëm 2019-2020, por nuk ishim bërë gati akoma për arsye të angazhimeve, më pas dhe situatës së Coronës. E filluam si këngë te studio e Nestit dhe më pas kënga mori rrjedhën e u formua bashkë me Stinen dhe Florjanin, me zërin e tij të mrekullueshëm. Në fakt, në radhë të parë kënga ose projekti që zgjedh duhet të më japë adrenalinë. Kjo është primare!
Kënga “Vetëm një natë” e para një viti u prit mjaft mirë. Nisur nga titulli, nëse do të kishe vetëm një natë në dispozicion për të njohur një njeri si do ta nisje bisedën?
Alida Duka: Kënga “Vetëm një natë” ka qenë një nga projektet e mia të preferuara që e doja si projekt për arsye të tekstit dhe beat-it melodioz. Titulli është kuptuar komplet gabim, sepse vetëm një natë unë e dëshiroj përsëri nga dashuria ime e vjetër (ne si dikur) “unë dhe ti” prapë. Por njeriu në përgjithësi merr nga gjithë teksti, i cili ka shumë domethënie atë që do të marrësh, jo atë që i gjithë teksti përcjell në këtë këngë.
Në vitet e karrierës ke bashkëpunuar me artistë të huaj. Cili prej tyre të ka lënë më shumë mbresa dhe kujt i ke vënë syrin për bashkëpunimin e rradhës?
Alida Duka: Unë kam punuar me shumë artistë të ndryshëm si edhe të njohur një prej tyre është dhe Moe Mitchel. Sapo nxora këngën “Chikita” the new remix dhe dy bashkëpunime të tjera, të cilat i kam dhe me Stinen në albumin Fuck Yeah.
Ndërkohë, energjia që ke të kujton këngëtaret që marrin pjesë në Eurovizion. E synon si skenë dhe për të mbërritur atje do tentojë nga Shqipëria apo Gjermania?
Alida Duka: Është e vërtetë, çdo person që takoj ma vënë ektrem në dukje energjinë që kam. Në fakt, do më pëlqente jashtë mase të jem pjesë e tij, natyrisht duke prezantuar Shqipërinë. Por le të themi shpresa vdes e fundit!
Po mendimi yt për festivalin “Kënga Magjike” cili është, kur do të të shohim në atë skenë?
Alida Duka: Këtë vit u mora me albumin, i cili ishte shumë i rëndësishëm për mua. Ndaj them që vitin tjetër do t’i përkushtohem më shumë skenës.
Si artiste ku e ndjen veten më bukur brenda një baladë, ku i këndon dashurisë me dhimbje apo brenda një kënge ritmike ku e sfidon dhembjen më forcën e brendshme?
Alida Duka: Normal që te baladat e ndiej veten më shumë sesa te këngët energjike. Pavarësisht se tek energjiket vihet në dukje energjia ime, kurse te baladat përcjell tjetër ndjenjë, besoj se është vënë re kjo që te kënga “E vuaj”, e cila ishte kompozimi im.
Në përballjen femra-meshkuj, në cilën gjini ke miq më të besuar në muzikë?
Alida Duka: Në muzikë, jo shumë. Nuk është se e kam shumë të kufizuar miqësinë ngaqë jam njëri shumë “loyal” dhe krijoj automatikisht kudo që jam miq përreth vetes.
Beson te dashuria e vërtetë dhe pa kushte, dhe si e sheh veten në jetën private në të ardhmen e afërt?
Alida Duka: Natyrisht që besoj te dashuria e vërtetë dhe them që një ditë do ta gjej dhe unë dashurinë e vërtetë.
Paratë sa të rëndësishme janë për të arritur qëllimet e tua dhe ti jeton për të fituar apo fiton për të jetuar?
Alida Duka: Çdo minutë që kalon është për mua për të fituar!