29 Dhjetor, 2019

Alida Duka: Këngët e mia të fundit flasin për personin që e desha me të vërtetë, por s’përfundova kurrë me të


Alida Duka, këngëtarja e hitit “Ani” në bashkëpunim me Adrian Minune dhe Chikita, bën një rrëfim të sinqertë për “Panorama Plus” duke rrëfyer arsyen pse këngët e saj të fundit i dedikohen ish-it që e deshi shumë, por nuk përfundoi kurrë me të.

Motra e Stines zbulon luksin që arriti nga sakrificat në muzikë dhe duetin surprizë në fillim të Vitit të Ri 2020.

Një duet me reperin Gbmc, si lindi bashkëpunimi juaj dhe a pati sukses?

Alida Duka: Kënga “Vetëm një natë” ishte planifikuar të dilte që në janar, por s’kishte mbaruar ende. Pasi nxorëm projektin “Krejt me harru”, vendosëm ta nxirrnim një natë në fund të vitit. Gjatë kësaj kohe qëlloi që Gbms ishte dy-tri herë në studio për projektet me Nestin dhe pasi e dëgjoi këngën lindi ideja për ta nxjerrë në bashkëpunim me të, gjë që u prit jashtëzakonisht shumë mirë nga fansat.

Nga klipet solo në duete, cila është strategjia për të bërë më shumë përshtypje në tregun e muzikës?

Kënga duhet të jetë në radhë të parë e kompletuar, si në tekst, beat interpretim dhe këngëtari i përshtatshëm, që dhe kritiku kur ta dëgjojë, të mos e kalojë pa e pëlqyer.

Ndërkohë ke mbajtur një koncert të bujshëm me Muharrem Ahmetin, pas problemeve të tij më shëndetin ku ishte në gjendje kritike për jetën. Si është gjendja aktuale e Muharremit?

Alida Duka: Me Muharremin na kanë pritur në Manchester jashtëzakonisht mirë dhe mua m’u bë shumë qejfi që ishte mirë shumë me shëndetin.

Ke fatin që në tregun e muzikës shqiptare të kesh një këshillues dhe orientues, që është vëllai yt Stine (Ernest Duka). Ka ndodhur të keni pasur konflikte për shkak të punës?

Alida Duka: Jam shumë me fat që vëllai im është këshilluesi, orientuesi dhe kritiku në lidhje me punën dhe projektet e mia që publikoj. Normal që ka pasur dhe zënka.

Je një hallë e kujdesshme, pasi shihesh shumë pranë vajzës së tij Estia. Të ngjan dhe a do ta orientoni në fushën e muzikës?

Alida Duka: O Zot! Ajo është adrenalina e shtëpisë dhe më ngjan jashtëzakonisht shumë. Për t’u habitur që një herë e dëgjon këngën, e regjistron dhe fillon e këndon. Ajo na lë të gjithëve pa fjalë, pra duam s’duam e ka të lindur talentin në muzikë.

Ke arritur të kesh një jetë luksi në sajë të fitimeve nga muzika. Ku synon të arrish sa i përket tregut ndërkombëtar?

Alida Duka: Jeta e luksit nuk është se më josh shumë, thjesht jam e lumtur shumë me atë që kam ndërtuar vetë. Vite me radhë kujtoj netët pa gjumë e mungesën e pushimeve. Kur të tjerët shkonin në plazhe, unë vija nga Gjermania për të mbyllur projektet dhe kthehesha e lumtur, pasi çdo gjë realizohej sipas asaj që planifikoja vetë. Tani thjesht po e shijoj kohën time, që nuk e shpenzova kot vite me radhë.

Jeta jote private ndonjëherë është bërë objekt i muzikës, pasi ndonjë histori të fortë dashurie e ke kthyer në këngë. Po tani, kush të motivon për t’i kënduar ndjenjës?

Alida Duka: Çdonjëri nga ne ka një person që e ka dashur me të vërtetë dhe nuk ka përfunduar kurrë me të dhe kjo është ajo që më bën që këngët e fundit flasin për një histori të tillë.

Ke marrë ndonjë goditje nga jeta, sa kohë të është dashur pët t’u shëruar nga lëndimi?

Alida Duka: Po të thosha “jo” do të gënjeja dhe nuk e kam për karakter të gënjej.

Me cilin artist shqiptar do të dëshiroje të bëje një duet të bukur?

Alida Duka: Më e goditura do të ishte me vëllain, Stinen, por nuk kemi gjetur diçka të përshtatshme ende. Një bashkëpunim të ri do t’jua sjell me një këngëtar të njohur në fillim të vitit, por më mirë le të mbetet surprizë.

Ta kesh jetën tënde në kontroll dhe të shëtisësh botën si femër e fuqishme, mendon se i tremb meshkujt apo i josh?

Alida Duka: Më shumë i tremb, pasi mendojnë se femrat e fuqishme s’mund t’i kontrollosh dot, koncept që është shumë gabim. /Panorama Plus

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al