Jeton në Danimarkë dhe vjen në Shqipëri sa herë që i duhet të publikojë një klip të ri.
Orges Qato, i cili në muzikë njihet si Alores, është këngëtar dhe autor i njohur këngësh, që këtë herë është prezantuar si ‘Popstar’, ashtu siç titullohet dhe klipi i tij i fundit.
Artisti me timbrin e veçantë të zërit, i cili është rritur në një vend si Danimarka, ka qenë futbollist i talentuar dhe ka luajtur me U-19 daneze, por e la futbollin dhe i hyri muzikës, për të cilën edhe ka studiuar në Kopenhagën.
Në Danimarkë ka punuar si producent për shumë këngëtarë më famë daneze, kurse në vitin 2013 publikoi albumin e tij “On top” që pati shumë sukses, duke u pasuar nga disa klipe e koncerte brenda e jashtë Shqipërisë.
Për jetën që fëmijë në Europë, vargjet që shkruan për veten, dashurinë dhe pasionet, Alores i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
‘Popstar’ titullohet klipi yt i fundit. Çfarë të ka inspiruar për këtë këngë të guximshme, ku rrëfen jetën prej ‘popstari’?
Alores: E gjitha është një inspirim i jetës sime.
Në emisionin e Bieta Sulos, ‘Ftesë në 5’, përveç prezantimit të klipit të ri, rrëfeve jetën tënde në Danimarkë. Sa larg apo afër Europës të duket Shqipëria kur vjen këtu?
Alores: Në mentalitet shumë larg.
Prej gati një dekade në tregun e muzikës ke publikuar disa klipe të njohura. Si lind një këngë e jotja: nga shpirti, zemra apo mendja?
Alores: Çfarë unë shikoj, çfarë unë përjetoj dhe e kthej në vargje e pastaj në melodi.
Dimë që ti i shkruan vetë tekstet e tua. Kur e ke më shumë frymëzimin për të hedhur vargje në letër?
Alores: Është diçka që lind momentale, është diçka që e ke në brendësi, diçka që e do pamasë ta shkruash.
Je prezantuar në muzikë edhe si djali që i beson dashurisë, por edhe si ‘bad boy’. Kush je në të vërtetë?
Alores: Normal që i besoj dashurisë, akoma më shumë për faktin që unë e kam takuar dhe jam thellësisht i dashuruar. Por nuk jam ‘bad boy’, jam thjesht me karakter të fortë. Kështu mund të them se më shumë jam burrë, sesa ‘bad boy’. Në konceptin tim, djemtë e këqij janë si fëmijët.
Si do e mbyllësh këtë vit në muzikë dhe si do e nisësh 2020-ën sa u takon projekteve muzikore?
Alores: Surpriza është më e bukur sesa përgjigjja vetë.
Në këtë botë konsumiste, e ke vrarë ndonjëherë mendjen se çfarë ka vlerë të paçmueshme?
Alores: Vlera më e paçmueshme është dashuria.
Të rritesh në Danimarkë dhe të bësh muzikë shqiptare, të bën të ndiesh kënaqësi apo mundim?
Alores: Fakti që unë jetoj atje dhe bëj muzikë këtu, ky është dhe mundimi më i madh. Por shumë shpejt do të vendosem këtu.
Armët e tua më të forta për të qenë i veçantë në këtë treg?
Alores: Këmbëngulja, disiplina dhe përkushtimi. /Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al