Konkurrenjtja e komentuar për bukurinë në “Big Brother 9”, Ambra Muji, duket se ka hedhur pas krahëve përplasjet virtuale me ndonjë ish-rivale në lojë, si dhe me ish-partnerin reper Elsamed Senaj, duke iu dedikuar tani vetes dhe modelingut. “Miss kinemaja” rrëfen për gazetën “Panorama” jetën pas famës që mori në “Big Brother 9” dhe ambiciet për të mbetur në ekran:
Si po shkon jeta jote pas “Big Brother”, për çfarë ndiejnë nostalgji ndjekësit e tu?
Jeta ime pas “Big Brother”-it vazhdon të jetë ajo që kam pasur më parë, me shoqërinë, familjen, normalisht e angazhuar me punën dhe pasionin për modelingun. Nga kontaktet që kam pasur me ndjekësit, besoj se u mungon qetësia që transmetoja tek ata, pra që ruaja qetësinë pa u ndikuar nga presioni i kamerave apo provokimeve të konkurrentëve të tjerë.
Me cilët prej rivalëve takohesh, dhe mund të jesh një ditë mikesha e ish-partnerit në lojë, Elsamed Senajt?
Mbaj kontakte me disa prej tyre, me ata njerëz që ishin njësoj si brenda, edhe jashtë “Big Brother”-it. Unë dhe Elsamedi nuk mund të jemi miq, flas të paktën për veten, sepse përfaqësojmë ide të ndryshme.
E lidhur me botën e modës dhe të televizionit, ku po planifikon të shfaqesh?
Modelingu është punë, aq sa edhe pasion për mua. Planet dhe qëllimet e mia normalisht janë në rritje, por jam duke pritur oferta të tjera.
U komentove për fillimin e një lidhjeje të re dashurie pas daljes nga loja. A je duke përjetuar një histori të bukur?
Preferoj që jetën private ta mbaj të tillë, por për të shuar kureshtjen mund të them që jo, nuk jam në një lidhje.
Pas ndarjeve Olsi-Fjorentina e Dona-Musa, i vetmi çift tani ka ngelur Benardi e Xheni. Si e parashikon vazhdimin e tyre dhe çfarë nuk shkon mes çifteve që lidhen në një reality show si “Big Brother”?
Nuk mund të flas për persona të cilët as nuk i kam takuar, por u uroj gjithë të mirat! Vetë fakti që lidhen në “Big Brother” nuk është bazë që mund të mbajnë një lidhje. Ai është një “reality show” që mund të mbaronte për secilin prej nesh në çdo moment, kështu që teoria për t’u lidhur me dikë vetëm për të qëndruar sa më gjatë aty, ka treguar se nuk funksionon.
Mendon se të shohin me paragjykim për punë të rëndësishme duke qenë se ishe pjesë e reality show-it?
Shoqëria shqiptare është paksa skeptike për sa u përket reality show-ve. Ndoshta paragjykohem, ndoshta jo. Por çdokush duhet të flasë për punën time, për produktin, jo për faktin se isha pjesë e një projekti. Për mua “Big Brother” ishte një eksperiencë e caktuar, në një kohë të caktuar. Jeta apo puna ime nuk filloi dhe as mbaroi aty.
Ti për çfarë do ta shfrytëzosh famën që more në “Big Brother”?
Fama e fituar në “Big Brother” mund të më hapë shumë dyer, por nuk e shikoj si mundësi për ta shfrytëzuar për aq kohë sa qëllimet i arrij me punë.
Që një vajzë e bukur të tregohet e zgjuar për veten, si duhet të veprojë?
Një vajzë tregohet e zgjuar në momentin që respekton vetveten, atë që përfaqëson si ide, si mendim. E bukur ose jo, është një përkufizim shumë subjektiv.
E ke qëllim në vetvete paranë dhe si mund ta fitosh?
Paraja nuk është qëllim, është vlerësim për atë që unë bëj.
Pasioni për modelingun e sheh si profesionin e vetëm të jetës?
Pasionin për modelingun e shikoj si profesion, por nuk është alternativa e vetme.
Nëse ka diçka që mund t’i dorëzohesh me gjithë shpirt, çfarë mund të jetë?
Nëse ka diçka që vërtet dorëzohem, ajo është familja ime.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al