7 Qershor, 2020

Ardit Roshi prish fejesën 6-mujore me vajzën e Agim Bajkos, konflikti që patën dhe zhdukja e gjurmëve


Moderatori i njohur Ardit Roshi i ka dhënë fund fejesës me vajzën e Agim Bajkos, Blerina Bajkon, në prag të martesës. Çifti i njohur janë ndarë me konflikt pas gjashtë muajsh fejesë dhe kanë zhdukur çdo foto apo gjurmë tjetër në rrjetet sociale, që dokumentonte lidhjen e tyre.

Dyshimet për ndarjen e moderatorit dhe Blerinës shtohen pasi të dy e kanë hequr njëri-tjetrin nga “Instagrami”, duke fshirë edhe fotot, por burime pranë tyre kanë treguar se nuk janë ndarë aspak në paqe, përkundrazi. Kujtojmë që në janar të këtij viti, Arditi i propozoi për martesë partneres së tij në studion e emisionit të tij.

“Përpara se të vijë momenti për mbylljen e mbrëmjes, dua një minutë për vete”, tha ai.

Më pas ftoi në skenë partneren, Blerinën, për t’i bërë surprizën emocionuese duke iu ulur në gjunjë.

“Në këtë rrugëtim të gjatë profesional, mbas kamerave më ka shoqëruar gjithmonë dikush. Është një vajzë, që si ju në shtëpi ka qeshur, ka kënduar, është shqetësuar dhe është gëzuar me këtë program. Blerina, eja të lutem! Unë jam njeri shumë privat. Mirë se erdhe! Por këtë moment dua ta ndaj me të gjithë. Mirëmbrëma! E di që nuk ke mikrofon dhe nuk flet dot, kështu që vetëm më dëgjo”, tha moderatori.

Ndërsa ndodhej përballë partneres së tij, Ardit Roshi i bëri asaj premtimin e bukur.

“Do të përpiqem të të bëj vajzën më të lumtur në botë”, i tha ai përpara se të nxirrte unazën. Arditi u ul në gjunjë në mes të skenës dhe më pas i vuri unazën në gisht vajzës që i propozoi martesë. Pasi Blerina pranoi propozimin, çifti u puthën dhe i thanë “të dua” njëri-tjetrit.

“Ju prezantoj me Blerina Bajkon, është e fejuara dhe nusja ime tani”, u shpreh moderatori, duke u bërë kështu dhëndri i kolegut të tij, Agim Bajko, i cili prej vitesh bën emisionin e tij po në “Vizion Plus”.

E më pas, për të folur për propozimin në ekran dhe për të treguar më shumë detaje për historinë e tyre të dashurisë, Ardit Roshi dhe Blerina Bajko u ftuan në emisionin “Soiree” në “Top Channel”. Ata tregun se janë njohur nga një grup i përbashkët shoqëror dhe se ka qenë vetë Blerina që i ka shkruar Arditit, pasi u kthye nga Italia për ta takuar.

“Pasi u ktheva nga Italia në fillim të kësaj vere, u takuam sepse unë i shkrova, nuk e di pse. I shkrova në ‘Instagram’, pasi nuk e kisha numrin e tij”, tha ajo.

“Unë e dija që ishte kthyer, por nuk i shkrova. Nuk i shkrova sepse…tani të lutem!”, ndërhyri Arditi.

Ndërsa Blerina vazhdoi rrëfimin e saj, duke treguar: “Shumë herë jemi ulur për ta analizuar se pse dhe ai nuk e ka kuptuar kurrë pse. Nuk ishte një nga ata persona që mendoja çdo ditë, por nuk e di, i shkrova”.

Blerina tregoi më tej se thjesht i shkroi: “Ku je?’, për ta takuar dhe më pas ajo çfarë ndodhi ishte pa dyshim “një histori e bukur dashurie”, siç u interpretua nga miqtë e tyre dhe media.

Nuk dihet ende se çfarë e prishi lumturinë e çiftit dhe arsyen pse i thyen premtimet ndaj njëri-tjetrit, ndërkohë që nuk ka ende një reagim nga ana e tyre për lajmet. Kujtojmë se Blerina është vajza e aktorit të njohur, Agim Bajko, humoristit të njohur dhe drejtuesit të “By Pass” në “Vizion Plus”.

Serioziteti dhe dashuria që i fali Arditi së bijës e bindi edhe Bajkon që ta pranonte si dhëndër Ardit Roshin në familjen e tij, por pas mosmarrëveshjeve që patën si çift, Bajko pa dyshim që u bë pjesë, duke marrë një vendim familjar për prishjen e fejesës.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al