5 Tetor, 2017

Armina flet për raportin me Liri Berishën, ja çfarë tipi vjehrre është ajo


Lidhja e gjatë me partnerin e saj Shkëlzen Berisha, prej kohësh është stabilizuar, edhe pse çifti akoma nuk kanë në plan një ceremoni zyrtare martese. Armina dhe Shkëlzeni janë të lumtur bashkë, respektojnë punët dhe hapësirat e njëri-tjetrit, bashkëjetojnë dhe ndihen me fat për dashurinë e tyre.

Megjithëse është vënë shpesh në fokus të mediave rozë për raportin me familjen Berisha, Armina duket se tashmë është mësuar me reagimet, komentet dhe ndonjëherë edhe sulmet virtuale për raportin e saj me djalin e ish-Kryeministrit Berisha. Siç e ka deklaruar edhe vetë shpesh në media, marrëdhënia me familjen Berisha ka qenë gjithmonë mjaft korrekte. Ish-kryeministri, por edhe zonja e tij janë treguar përherë miqësorë me Arminën dhe kjo mjafton që edhe blogerja të gëzojë të njëjtin respekt për ta.

 

Ndoshta nuk është gjithmonë e domosdoshme të jesh shoqe me vjehrrën, por në rastin e Arminës, kjo ka qenë kureshtja më e madhe e të gjithëve: a është (apo mund të jetë) shoqe me vjehrrën e saj, Liri Berisha?

Ato të dyja mund të mos dalin për shopping, por Armina, në çdo dalje të saj publike, flet me shumë dashuri për këtë raport. Të njëjtën gjë që ka bërë edhe sot…

 

E ftuar në “Rudina” në Tv Klan, për të rrëfyer më shumë për udhëtimin e fundit në Fashion Week në Milano dhe Paris, Armina nuk u shpëtoi edhe pyetjeve nga jeta private. Pak kohë më parë, në portale qarkulloi me shpejtësi një foto selfie e Arminës me Liri Berishën. Nuse e vjehrrë i kanë buzëqeshur aparatit dhe kaq ka mjaftuar që titujt për një marrëdhënie të dashur mes tyre të bënin xhiron e rrjetit.

Megjithatë, Armina gjithmonë është korrekte kur pyetet për këtë raport: “Unë e kam shumë, shumë për zemër. Ajo është një zonjë që më mirëkupton. Sepse jo të gjithë prindërit mund ta bëjnë këtë. Në fillimet e mia, edhe prindërit e mi mund të kishin rezerva për punën time, por ajo më mbështet gjithmonë, e vlerëson për punën që bëj”, – thotë Armina për zonjën Berisha.

Duke qenë se e ëma e Shkëlzenit e kupton dhe e mirëkupton punën që bën nusja e djalit, e ka më të thjeshtë edhe të vendosë një marrëdhënie të mirë me të, ndaj edhe për Arminën, ajo është kthyer në një mikeshë të mirë: “E ndjej edhe si mikeshë, është një gjë shumë speciale për mua”, – thotë blogerja e njohur.

 

Nëse nuk kemi parë shumë foto bashkë nuse vjehrrë, nuk ka shumë rëndësi. Ato më të bukurat dhe profesionalet, Armina i ka të lara dhe i mban në këndet e shtëpisë dhe të zyrës së saj. Është e lumtur që në çastet e ditëve të lodhshme të hedhë sytë mbi fotot më të bukura dhe të kujtohet sesa me fat është që ka aq shumë njerëz që e duan dhe i do./Class/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al