Në letër, një sfidë pa tifozë, por aspak e tillë në tribuna, me miqtë që kishin udhëtuar me ultrasit me vete. Luhej në Shqipëri, por më të shumtë në numër ishin ukrainasit, si për sa u përket tifozëve, ashtu edhe reporterëve dhe gazetarëve. Gazetarët miq kanë mbetur të mahnitur nga moderatoret e TVSH-së dhe “Super Sport”, teksa shihnin në ekranet e stadiumit gjithë dëshirë momentet e tyre të prezantimit. Të gjitha këto dhe jo vetëm, ishin disa nga pikantet, të cilat sillen për ju nga “Panorama Sport”.
– Pavarësisht se sfida ishte pa tifozë, policia kishte marrë masat për mbarëvajtjen e këtij takimi. U bllokuan disa rrugë pranë stadiumit “Elbasan Arena”. Për ndeshjen u angazhuan 108 punonjës policie nga Komisariati i Elbasanit, por edhe FNSHja. – Edhe pse lajmi u dha që ndeshja do të luhej pa tifozë, kishte nga ata që nuk dinin gjë. Edhe dje para ndeshjes, kishin ardhur tifozë për të blerë një biletë, por më kot, sepse sportelet ishin mbyllur.
– Ndeshja luhej në Shqipëri, por pa frikë mund të thuhet se kishte më shumë ukrainas në stadium sesa shqiptarë. Raporti ishte përafërsisht 200 ukrainas dhe 100 shqiptarë.
– Në ndeshje pa tifozë, dy skuadrat respektive kanë mundësi të marrin me vete në stadium një numër të caktuar njerëzish. Ekipi i Dinamos kishte përzgjedhur ultrasit si mbështetës të klubit, sigurisht brenda rregullores. Gjatë gjithë ndeshjes, ata qëndruan në këmbë dhe përkrahën skuadrën e tyre.
– Gazetarë të shumtë kishte edhe nga Ukraina (43), të cilët nuk erdhën vetëm për të bërë një kronikë ndeshjeje, por edhe për të treguar gjendjen në vendin tonë. Detajet që u bënin përshtypje nga qyteti i Elbasanit janë bërë pjesë e kamerës së tyre. Edhe për sa u përket gazetarëve, në maxhorancë ishin ukrainasit.
– Në zonën e medias në stadium, gazetarët ukrainas po shihnin me endje dhe admirim prezantueset shqiptare të TVSH-së dhe “Super Sportit” nëpër ekrane, para fillimit të ndeshjes. Mesa duket, femrat shqiptare ua morën mendjen dhe kjo shihej qartë në mimikën e tyre.
– Shumë minuta para fillimit të ndeshjes, gjyqtarët dhe zyrtarët e UEFA-s shkuan pranë portës për inspektimin e teknologjisë së vijës fatale.
– Tekniku Ilir Daja ka qëndruar gjatë gjithë sfidës në këmbë dhe u ka kërkuar shpesh lojtarëve të tij të luajnë më shpejt me topin dhe të mos rrezikojnë prapa. Në fakt, në shumë raste, korçarët kanë gabuar me topat në gjysmëfushën e tyre dhe Daja irritohej me të drejtë.
– Në stadium nuk ka munguar edhe tekniku i Kombëtares, Kristian Panuçi, i shoqëruar nga kreu i federatës, Armando Duka.
VLADIMIR MEMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al