14 Tetor, 2017

Aventurat me motorr të Jozefina Topallit në shkretëtirën kuvajtiane


Në rubrikën “nostalgji” të  “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare” sot vijnë aventurat e Jozefina Topallit në Kuvajt.

Të veshur gjithnjë shik, me flokë të krehura e buzëkuq të ndezur. Kështu e kemi parë gjithnjë kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topallin në detyrën e saj dhe prezantimet e rëndësishme. Me të njëjtin look, në mes të janarit, e shoqëruar dhe nga kryetarët e grupeve parlamentar të PD-së e PS-së, kryetarja vizitoi Kuvajtin. Kjo u bë e mundur nga një ftesë zyrtare nga Kryetari i Parlamentit të Kuvajtit.

Jozefina Topalli bashkë me delegacionin nga Shqipëria gjatë vizitës pesë ditore kreu takime të rëndësishme me kryeministrin e Kuvajtit Sheikun Naser Al Mohammad Al dhe me Emirin e Kuvajtit  Sabah al-Ahmad al-Jabir al-SabahAhmad Al Jaber Al Sabah, ku u diskutua dhe çështja e Kosovës, ndërkohë që përfaqësuesit tonë patën kohë edhe për tu argëtuar. Drejtuesit e Kuvajtit i ftuan tanët për të parë Kuvajtin joformal duke i bërë një guidë të rrallë në shkretëtirë. Pikërisht këto dy fotografi tregojnë mbase aventurën më të rrallë të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli e cila pati mundësinë të ngiste një motor dhe të përshkruante rrugë në shkretëtirë.

Mesa mësuam Jozefina nuk e ka pasur fare të vështirë të mësojë se si ngitet një motor i tillë, madje në foto nga pamja duket se është zbavitur shumë. E veshur me pantallona të zeza dhe një bluzë jo shumë zyrtare, ajo ka vizituar dhe është argëtuar në shkretëtirën kuvajtiane. Pas nuk kanë mbetur as anëtarët e tjerë të delegacionit për të provuar këtë eksperiencë të veçantë. Po kështu në mes të shkretëtirës nuk mungoi as një xhiro me gamile, ndërsa kryetarja e Kuvendit shfaqet me një kapele interesante beduinësh.

Ka qenë mbresëlënëse por edhe e pamjaftueshme, kjo vizitë në Kuvajt për Jozefina Topallin e cila përfitoi të vizitonte edhe edhe tre vende të tjera, Bahrejnin, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ftesa për Topallin erdhi pak muaj më vonë, pasi kryeministri Sheiku Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah dhe një grup deputetësh të Kuvajtit vizituan Shqipërinë. Në takim me kryeministrin Jozefina, Kryetarja e Kuvendit theksoi rëndësinë që ka zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara mes dy kryeministrave, të Kuvajtit dhe të Shqipërisë në Tiranë, marrëveshje që kanë të bëjnë veçanërisht me bashkëpunimin ekonomik, social e turistik.

“Kuvajti, tha zonja Topalli, është i vetmi vend i Gjirit Persik prezent në Shqipëri me investime të ndryshme të mëdha. Gjithsesi mendojmë se është koha për të bërë më shumë dhe klima në Shqipëri është shumë e favorshme për biznesin pasi qeveria po vijon realizimin e reformave për lehtësim të procedurave për biznesin.

” Me këto fjalë përfundoi dhe takimi me kryeministrin i cili u shpreh për mbështetje të Shqipërisë në pikëpamjen ekonomike. Vizitë e paharruar, argëtuese dhe e arritur nga pikëpamja shtetërore. Kështu mund të quhen 5 ditët në botën arabe./GSH.al/

  
Ky shkrim u botua më  9 shkurt 2008

http://www.gsh.al/2017/10/12/bluetooth-nostalgji-aventurat-me-motorr-te-jozefina-topallit-ne-shkretetiren-kuvajtiane/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al