15 Nëntor, 2017

Blerta Leka, 18-vjeçarja nga Tirana në “Miss Universe”: Si rrezikova jetën në malin e Bovillës për klipin e prezantim


Bionde, shtatlartë dhe e zgjuar. Blerta Leka është vajza nga Tirana, e cila u përzgjodh mes shumë vajzave të tjera për të përfaqësuar Shqipërinë më 26 nëntor në finalen e “Miss Universe“, që do të mbahet në Uashington. Gara e më të bukurave nga e gjithë bota do të transmetohet nga televizioni me shikueshmëri të madhe në botë, “Fox Tv”.

Ndërkohë Blerta Leka është prezantuar tashmë pasi u shfaq në videon prezantuese me tematikën “Pa Kufij”. Ndërkohë për realizimin e klipit të prezantimit dhe promovues nga Shqipëria, ajo deklaron për gazetën “Panorama” se ka rrezikuar jetën, pasi i duhej të ngjitej në malin 620 metra të lartë të Bovillës për xhirimet e pamjeve që promovojnë Shqipërinë.

“Kemi ngjitur një supermal, që dhe burrat dridheshin, pra kemi rrezikuar jetën”, tregoi Blerta për këtë aventurë, ku shoqërohej nga producenti i “Miss Universe”, Eduart Deda, dhe stafi. Ndërkohë që bie në sy për linjat e saj në të gjitha setet fotografike, pak para garës ndërkombëtare ajo ka realizuar foto të reja me Armand Sallabandën. Blerta do të përfaqësojë Shqipërinë në SHBA, pasi u shpall fituese e “Miss Universe Albania 2017”.

Në një nga intervistat e saj të fundit, Blerta ka folur për ndjesinë e 18-vjeçares me kurorë misi në kokë. “Është ende herët për të folur për ëndrrat. Sigurisht që janë të shumta dhe të mëdha. Si fillim, pres të kthehem nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dhe do të përfaqësoj vendin tim në mënyrën më të mirë dhe të denjë, e më pas të shoh dhe ofertat që do të më vijnë, duke qenë se ‘Miss Universe’ ka një audiencë shumë të gjerë.

Pra, për momentin shkuarja në SHBA dhe përfaqësimi i vendit tim atje është një ëndërr më vete. Unë do të bëj maksimumin brenda mundësive që kam që këtë titull ta përdor për qëllimet e mia”. Duke u nisur nga fakti që zakonisht miset apo modelet preferojnë reperat ose bëhen pjesë e klipeve të tyre, pyetjes se sa afër muzikantëve apo artistëve është, ajo i përgjigjet: “Jam afër tyre, sepse vetë kjo fushë të lidh me ta. Vendet dhe ambientet e përbashkëta që frekuentojmë janë arsyet që mund të na afrojnë me ta, por asgjë më shumë”. Ndërkohë që të gjitha miset konsiderohen “princesha të kohëve moderne”, Blerta e përshkruan kështu: “Jam një princeshë në kërkim të karrierës profesionale dhe realizimit të saj”./Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al