19 Mars, 2022

Boom klikimesh dhe komentesh, ‘suksesi’ i Elsa Lilës pas arrestimit


Jo të gjithë e njihnin Elsa Lilën (kryesisht brezi i ri) deri para një jave. Por, të gjithë kanë lexuar diçka rreth saj këto ditë pas arrestimit të papritur në Romë.

Këngëtarja e njohur shqiptare ka rënë në prangat e policisë italiane, pasi dyshohet se është pjesë e një grupi të organizuar të trafikimit të drogës. Për herë të parë, Elsa Lila, e cila është përmendur gjithmonë për artin e saj, ka pushtuar të gjitha faqet e para të mediave për lidhjet e saj me krimin dhe drogën.

Ajo ishte tërhequr prej vitesh nga muzika, e rrjedhimisht shumë njerëzi nuk e njihnin artin e saj. Mirëpo, kur arrestimi i saj ka qenë kryefjalë këto ditë, kurioziteti për të njohur muzikë e saj është rritur. Njerëzit i janë drejtuar You Tube, ku klikimet në këngët e Elsës janë rritur me disa dhjetëra mijëra. E po ashtu komentet. Njerëzit shprehin zhgënjimin e tyre. Të tjerë bëjnë ironi me vargjet e këngëve:

“Për çfarë malli e ke fjalën?”

“Burgut sapo iu shtua një zë brilant dhe një llogaritare e denjë”

“Po të merresh me miell nuk paske pasur frikë o e brishta Elsa”

Janë disa nga komentet.

 

Ndërsa një pjesë tjetër e ndan Elsën si njeri, nga Elsa si artiste. Dikush shkruan:

“Nuk mund të hedhë balt mbi talentin e saj”.

Teksa një dëgjuese që e ka dëgjuar tani këngën e Elsës me titull “Mall” shkruan:

“Sa inat më vjen që nuk e kam dëgjuar më parë këtë mrekulli. Më rrënqethi teksti, muzika, zëri i Elsës.” 

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me italianët. Edhe në mediat italiane (KLIKO) arrestimi i Elsës është pasqyruar gjerësisht. Ja disa komente në këngën e saj pjesëmarrëse në Sanremo, me titull “Valeria”:

“Kokainë e bukur, dua të them këngës…”

“Tani lexova që sot është arrestuar bashkë me 9 persona të tjerë për trafik droge në Romë. Turp! Më zhgënjeu”

“Nga Sanremo në Rebibbia, një hap i madh. Tani të burgosurit mund të shijojnë talentin e tij”


Elsa ishte ende adoleshente teksa u ngjit në skenë në 1996 dhe fitoi Festivalin e Këngës në RTSH me këngën “Pyes lotin”. Ndërkohë, në vitin 1999 në moshën 18 vjeçare, ajo u zgjodh “këngëtarja shqiptare e shekullit” nga sondazhi kombëtar i radios së shtetit shqiptar.

Në po të njëjtin vit, Elsa fitoi konkursin e parë të “Kënga Magjike”. Në vitin 2001, këngëtarja u nderua me “Ambasadorin e Muzikës Shqiptare në Botë” nga Rexhep Mejdani, President i Republikës së Shqipërisë.

Suksesin e madh që e krijoi në Shqipëri, këngëtarja e shfaqi edhe në shtetin Italian. Ajo preku skenën e Festivalit të Sanremos me këngën “Valeria” në vitin 2003. E 4 vite më pas, në 2007, mori pjesë sërish me këngën “Il senso della vita”.

Që nga ajo kohë jeta e artistes ka vijuar në Romë, Itali, por larg muzikës nga e cila është tërhequr prej shumë vitesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al